Arkivat e ish Sigurimit të Shtetit, tashmë të aksesueshme për publikun

Oct 7, 2024 | 10:41
SHPËRNDAJE

Për herë të parë në Tiranë u zhvillua konferenca e 16-të vjetore e Rrjetit Europian të Autoriteteve Zyrtare për Dosjet e Policisë Sekrete. 

dosjet

Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave, përballimi i sfidave profesionale si dhe bashkëpunimi për narrativë të përbashkët europiane. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesit e Autoriteteve Përgjegjëse nga Gjermania, Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Rumania dhe Hungaria, të cilët diskutojnë dhe ndajnë përvojat e tyre në menaxhimin e dokumenteve të ishpolicisë sekrete dhe institucioneve represive, në tematikën e radhës: “Vizion i përbashkët – aksione sinergjike”. Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, në fjalën e saj të mirëseardhjes u shpreh se, ky është një moment kritik, kur vlerat evropiane dhe euroatlantike të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut përballen me sfida të mëdha. “Pamë ndër vite se si injoranca dhe mospranimi i së kaluarës së errët mund të sjellë pasoja të rënda, siç po ndodh aktualisht në Ukrainë.

Duke u mbledhur këtu, ne riafirmojmë angazhimin tonë të pandalshëm për të zbardhur arkivat e trashëguara nga ato regjime. Kjo nuk është thjesht një çështje teknike, por është një mision i rëndësishëm për të ndërtuar një kulturë të përkujtimit. Kjo kulturë e përkujtimit është thelbësore jo vetëm për vendet tona, por për të gjithë botën, për t’i dhënë fund injorancës së të kaluarës dhe për të parandaluar përsëritjen e errësirës së diktaturave”,-tha Sula. Ajo shtoi më tej: “Ne ndajmë me njëri-tjetrin sfidat dhe arritjet tona. Diskutojmë mënyrat më efektive për t’i sjellë në dritë ato arkiva, për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun dhe për t’i përdorur ato si mësime të rëndësishme për të ardhmen. Vetëm duke punuar së bashku, duke ndërtuar partneritete dhe përkushtuar burimet tona, mund t’i japim drejtësi të vërtetë viktimave dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”.

Sula përmendi se kjo mbledhje përkon me përvjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, një ngjarje historike që i hapi rrugë ndryshimeve për liri dhe të drejta njerëzore në vendet tona. “Kjo na kujton se sa e brishtë mund të jetë demokracia dhe se sa shumë kemi për të mësuar nga e kaluara. Në këtë kontekst, dua të mirëpres në mënyrë të veçantë anëtarin më të ri të këtij rrjeti – Ukrainën. Ukraina po përballet me sfida të tmerrshme, të cilat rrjedhin nga injoranca dhe mosballafaqimi me krimet e një sistemi gjakatar si ai i ishBashkimit Sovjetik dhe Rusisë”,-tha Sula. ATSH raporton se zhvillimet e konferencës i përshëndeti edhe Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner. Ambasadori Gjerman në Shqipëri u shpreh se, “është e rëndësishme për mbarë-shoqërinë që të shërohet dhe të kuptojë të shkuarën dhe mekanizmat e funksionimit të atij sistemi, por dhe të krijojmë kulturën e kujtesës dhe përballjes me të shkuarën brenda shoqërive tona”.

Mbi sfidat e krijimit të arkivës me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kuadri legjislativ si dhe bashkëpunim me institucionet publike për të pasurimin e fondit, foli Drejtori i Arkivit, në AIDSSH. Ndërsa për ecurinë e procesit të digjitalizimit të dokumentacionit arkivor dhe prezantimin e softuerit të arkivës digjitale, referoi Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit, Sofi Noti. Mbi “Rolin i dokumenteve Ish-Sigurimit të Shtetit në rindërtimin e të kaluarës historike totalitare të Shqipërisë”, referoi Prof. asoc. dr. Gjon Boriçi dhe Prof. asoc. dr. Sonila Boçi nga Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ndërsa Prof. Dr. Aljula Jubani, Drejtoreshë e Institutit për Studime Evropiane në Universitetin e Tiranës analizoi “Procesin e kthimit të dosjeve të policisë sekrete në materiale edukative, një qasje në të cilën AIDSSH po përparon në drejtim të edukimit të brezave të rinj me ngjarje të së kaluarës sonë komuniste përmes organizimit dhe ngritjes së Platformës “Mësojmë nga e kaluara- burime të hapura arsimore 1994-1991”. Konferenca vijoi me trajtimin e çështjeve që lidhen me bashkëpunimit brenda rrjetit. Diskutojnë përfaqësuesit nga Bullgaria, Sllovakia, Gjermania, Hungaria, Polonia, Rumania. Rezoluta përfundimtare e konferencës do të mbahet pas vizitës në Arkivin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të shtetit dhe do të përcaktojnë hapat e ardhshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe do të vendosë piketat për projektet e ardhshme të rrjetit, duke përfshirë zhvillimin e një platforme të përbashkët digjitale dhe zbatimin e strategjive të reja për edukimin dhe informimin publik.

Ambasadori Bergner: Na u desh shumë kohë për të tejkaluar turpin

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner tha në një takim mbi dosjet e ishSigurimit, se përballja me të shkuarën dhe turpin për atë që ndodhi është themeli i shtetit gjerman. Por ndërsa gjermanët kanë turp, pas 3 dekadash, Shqipëria ende nuk ka nisur zyrtarisht të kërkojë të zhdukurit. Është mbajtur në Tiranë Konferenca e Rrjetit Europian të Arkivave të Dosjeve ish Policive sekrete. Me praninë e arkivave nga disa vende që janë përballuar me të shkuarën komuniste, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve foli për nevojën e kulturës së reflektimit.

“Besoj se aq përpjekje sa harxhon një diktaturë, ose aq përpjekje sa harxhohen për luftën, sikur një fraksion e tyre të harxhohej për paqen dhe për të drejtat e njeriut, dhe për projekte reflektuese si këto tonat, bota do të ishte më e mirë”.

Në një Shqipëri që e përjetoi diktaturën për më se katër dekada, dëmshpërblimet për jetët e humbura, dënimet apo pronat e konfiskuara në diktaturë janë zvarritur. Gjithaq, më se tri dekada pas rënies së sistemit, shteti shqiptar ende nuk ka nisur zyrtarisht kërkimin e të zhdukurve ose të pushkatuarve nga komunistët. Kjo, sepse deklaratat nuk ndiqen nga veprat dhe arsyeja mund të gjendet në mënyrë të tërthortë në mesazhin e ambasadorit gjerman, ndryshe nga gjermanët ne nuk kemi turp nga diktatura.

“Nga përvoja personale mund të them se na u desh shumë kohë për të tejkaluar turpin, për të folur hapur për atë pjesë të historisë së Gjermanisë, që është pjesë e vendit tonë. Përballja me ato kohë, është themeli i shtetit gjerman. Njerëzit duhet të kuptojnë mekanizmat e tyre sistemeve, sepse shtypjen nuk e krijoi një sistem abstrakt, por njerëzit”, tha ambasadori Karl Bergner. Përfaqësuesit e rrjetit europian sollën përvojat e tyre që mund të çojnë në një platformë të përbashkët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura