Arratisja e Himarës/ Kadri Hazbiu: Me të larguarit edhe shtatë komunistë (PJESA IV)

Aug 19, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Nje raport sekret i Sigurimit te Shtetit jepte ne vitin 1971 te dhena per arratisjen qe beri buje ne Himare. 

Sipas ketij raporti te firmosur ne fund nga Kadri Hazbiu thuhej se mes te arratisurve kishte edhe shtate komuniste, njeri prej te cileve ka qene rezident i Sigurimit te Shtetit. 

Raport: Mbi arratisjen në Greqi të 27 personave me motobarkën “De Rada” më datën 9 gusht 1971

Në datën 9.8.1971 u arratisën në Greqi, me motobarkën “De Rada” të ndërmarrjes së Peshkimit Vlorë, 27 persona-7 burra, 7 gra dhe 13 fëmijë. Në këtë numër përfshihen, përveç katër vëllezërve Malo me gratë dhe fëmijët e tyre, babën e nënën, dhe kunati Koço Kolila me gruan e fëmijën (që të gjithë nga Himara), si dhe dhëndri i tyre Kujtim Kallajxhiu nga Gjirokastra. Në datën 31.7.1971, të gjithë këta si “të ardhur nga Tirana, pas një pjesëmarrjeje në 40 ditët e vdekjes së kushëririt të tyre Kozma Dani, u grumbulluan në Vlorë, nga ku dëshironin të udhëtonin për në Himarë, po në këtë datë me motobarkën në fjalë sepse nuk kishte automjete për të marrë pjesë në festën lokale të Himarës (1 gusht 1971) dhe pastaj të kalonin aty pushimet e zakonshme vjetore”.

raporti i kadri hazbiut

Me përjashtim të familjes së Taqo Malos, Koço Kolilës dhe të Kujtim Kajllanxhiut, të cilët u lejuan verbalisht të udhëtonin me motobarkë nga oficeri i sigurimit përkatës mbi kërkesën e Vasil Malos, të gjithë të tjerët ishin të pajisur me listë-leje nga Dega e Punëve të Brendshme në Vlorë mbi kërkesën e ndërmarrjes së peshkimit. Hetimet e deritanishme çojnë në atë se arratisja është përgatitur që në datën 31 korrik 1971, por kjo nuk u realizua dot sepse nuk qe e mundur të largoheshin nga motobarka dy marinarë të kujdesshëm (të cilët u hoqën më vonë) dhe sepse në këtë rast me këtë motobarkë udhëtonte për në Himarë edhe oficeri i Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme Vlorë.

Që në ditët e para të mbërritjes në Himarë, me qëllim që të justifikonin largimin e gjithë familjes, ata hapën fjalë se “së shpejti do të ktheheshin në Vlorë për të bërë ceremoninë e fejesës së vajzës së Vasilit me oficerin e marinës ushtarake Nikolla Kristo”. Në orën 17:00 të datës 8.8.1971, të 27 personat që u arratisën, si dhe 12 të tjerët që u kthyen, hipën në motobarkën “De Rada” e ankoruar në fshatin Spile të Himarës, duke u thënë personave që i përcollën se po niseshin për në Vlorë.

Ekuipazhit, si dhe ushtarakëve të repartit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që merret me sigurimin e kufirit bregdetar, të cilët pyetën se përse kishin hipur në motobarkë të gjithë ata persona, Vasil Malo u tha se: “për një gjë të tillë kishte marrë leje nga Dega e Punëve të Brendshme Vlorë”. Pasi dolën në det, Vasili u thotë peshkatarëve (ekuipazhit) se “kish marrë urdhër nga ndërmarrja që të peshkonin natën dhe pas gjuetisë do të ktheheshin në Vlorë dhe urdhëroi që motobarka të marrë kursin Borsh-Lukovë (me drejtim jugun, në vend të veriut).

Kadri Hazbiu
Kadri Hazbiu

Në orën 24 të kësaj date, motobarka bëri dy kalata (dy herë hedhje e ngritje rrjete) dhe pasi peshkatarët u lodhën nga kjo punë intensive e bërë me qëllim, ky tradhtar urdhëron që ata të flinin, deri sa të vinte koha për ngritjen e rrjetave për të tretën herë, ndërsa drejtimin e motobarkës e mori ai duke qëndruar i vetmi në drejtim. Kur u siguruan se të gjithë kishin fjetur, Vasili me të vëllezërit morën pushkën që kishte me leje anija dhe thikat e zakonshme të kuzhinës së saj, kyçën dyert e fjetores, prenë rrjetat e peshkimit dhe i dhanë anijes kursin për në Korfuz.

Vlen të theksohet se në kabinën e fjetjes së bashku me peshkatarët ishte futur dhe kunati i tyre, Taqo Kristo, ndërsa oficeri i marinës, Nikolla Kristo u vendos për të fjetur në kullën e motobarkës së bashku me të fejuarën e tij (vajzën e Vasilit). Rreth orës 04:00 të datës 9.08.1971, pa mbërritur akoma në Korfuz pjesëtarët e ekuipazhit që sapo u zgjuan diktuan tradhtinë që ndodhi dhe, megjithëse të izoluar e të kërcënuar, bënë përpjekje për të dalë, por nuk qe e mundur. Me të mbërritur në Korfuz, tradhtarët, pasi nxorën nga motobarka me forcë gratë dhe fëmijët e tyre (të cilët qanin dhe nuk donin të zbrisnin), u bënë thirrje edhe të tjerëve që të dilnin nga anija, të pranonin të merreshin në pyetje veças ose dy e nga dy etj.

Por kërkesa u hodh poshtë në mënyrë të vendosur nga ekuipazhi, oficeri Nikolla Kristo dhe vëllai i tij me gruan dhe fëmijët, të cilët në pasditen e po asaj date u kthyen në Atdhe me motobarkën “De Rada”. Personat e kthyer, ata në moshë të rritur, pasi u mbajtën për 14 ditë në hetuesi dhe u arrit në sqarimet që shkurtimisht jepen më sipër, u lanë të lirë.

Dokumentet dhe intervistat në këtë dossier janë ekskluzivtet i gazetës “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura