Arratisja e bujshme e familjes Malo nga Himara në gusht të vitit ’71, në vështrimin e Kadri Hazbiut, ish-ministër i Brendshëm, vlerësohej si “një veprimtari armiqësore e mirorganizuar dhe e koordinuar me shërbimet e huaja”. E përmend këtë fakt numri një i Sigurimit të Shtetit, qysh në krye të raportit për “ngjarjen e paprecedentë” që i adresonte Mehmet Shehut, më 1 shtator të vitit 1971.
Në argument në vijim, ish-ministri i Brendshëm shtjellon për kryeministrin e kohës shkaqet dhe faktorët që kanë ndikuar në arratinë e jashtëzakonshme. Në gjykimin e Kadri Hazbiut, raporti specifik që ka pasur me organet e kundërzbulimit, Vasil Malo, njëri prej të arratisurve, e bën historinë sa komplekse, aq dhe delikate. Fakti që tradhtia në këtë rast organizohej nga një prej të besuarve të shërbimit të fshehtë i jepte një peshë të spikatur përgjegjësisë së kreut të këtij shërbimi, i cili me veprimet dhe mosveprimet e strukturave që drejtonte kishte lejuar arratisjen më të madhe që kishte ndodhur deri në atë kohë.
Në mënyrën si shpjegohet Hazbiu për këtë në raportin në fjalë bie në sy një episod interesant, që ka lidhje me kontaktet e mëhershme të Vasil Malos me një agjent të zbulimeve të huaja në Bari të Italisë. Në një nga kthimet e tij prej aty, ku kishte shkuar mbi 40 herë për eksportin e peshkut, Vasili në konfidencë ka njohur kreun e Degës së Brendshme të Vlorës me ofertën e mikut italian për t’u vënë në shërbim të agjenturës së një vendi të NATO-s, në shkëmbim të një shpërblimi të majmë.
Në pritje të lejes për ushtrimin e misionit “dopio-rol”, që sipas Hazbiut ka zgjatur diçka më shumë nga limitet e zakonshme, kapiteni i anijes “De Rada” ka organizuar arratinë e familjes dhe fisit nga Himara në Korfuz. E gjitha kjo, sipas ish-ministrit, ka qenë një alibi mashtruese, pas së cilës fshihej plani djallëzor për të kapërcyer sa më parë kufirin shtetëror. Nuk do të kishte ndodhur kjo, shpreh bindjen ai, nëse organet e Sigurimit do të kishin verifikuar në kohë saktësinë e denoncimit të Vasil Malos për bisedën me agjentin Pandeli Zaho në Bari të Italisë.
Vasili, argumenton Hazbiu, ofronte këtë lloj shërbimi për të rritur shkallën e besimit tek organet e Sigurimit, që të fshihte gjurmët e veprimtarisë armiqë- sore. Indiferenca e organeve të Sigurimit ndaj denoncimit të pazakontë, sipas numrit një të shërbimit sekret shqiptar, i ka mundësuar Vasilit dhe rrethit të tij të operonin shpejt dhe pa u shqetësuar për aventurën e tyre.
Në vijim, ish-ministri i Brendshëm përmend të tjera shkaqe, që, sipas analizës së ekspertëve të tij, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kësaj “veprimtarie armiqësore të paprecedentë në kufirin tonë bregdetar”. Më poshtë zbardhim të plotë dokumentin me firmën e Kadri Hazbiut, që mban datën 1 shtator 1971…
DOKUMENTI
Raport
Sqarime plotësuese për veprimtarinë armiqësore të paprecedentë
Në vështrimin në hollësi të organizimit të arratisjes, rezulton se ajo jo vetëm që është organizuar në përgjithësi jo keq, por në të njëjtën kohë është bërë edhe me ngut. Qëllimi ka qenë të marrin sa më shumë njerëz, jo vetëm familjarët, por edhe miq e të afërm të tyre. Megjithatë, legjendimet janë bazuar te pozita dhe besimi që këta njerëz kishin krijuar jo vetëm në shoqëri, por dhe tek organet e Sigurimit. Është disi i çuditshëm fakti që ata shumë sende personale që mund të merreshin prej tyre pa rënë në sy, nuk janë marrë.
Kështu, Vasili la në shtëpi 20 mijë lekë monedhë të lirë, pa bërë fjalë për ato që kishte në arkën e kursimit (10 mijë lekë), në të njëjtën mënyrë veproi edhe Koço Kolila, duke lënë 6500 lekë. Të gjitha këto flasin për një ikje të shpejtë. Duke gjykuar në tërësi arratisja mund të jetë kryer në këto kushte dhe për këto arsye:
a- Si vetë këta dhe zbulimi që i ka pasur në lidhje, ka mundësi të kenë dyshuar se organet e Sigurimit kanë rënë në gjurmë të kësaj pune. Prandaj, duke lënë në qetësi lidhje të rregullta të një rrjeti agjentural, ata kanë preferuar largimin para një goditjeje të mundshme.
Bazë për këtë ata kanë pasur qëndrimin e mbajtur ndaj legjendës së kurdisur nga Vasil Malo, i cili denoncoi se kur kishte shkuar në Bari të Italisë ishte takuar me një zbulues të agjenturës perëndimore, të quajturin Panajot Zaho, (emigrant nga Dropulli), i cili e kishte ftuar të vihej në shërbim të NATO-s. Ndër arsyet e tjera mund të përmendim mosarritjen e qëllimit për t’u futur në organet e Sigurimit të vëllait të tyre, Jani Malo, spostimin nga shërbimi pranë udhëheqjes së Partisë të gruas së këtij të fundit, si dhe diskutimin që është bërë për të propozuar Vasilin si “Hero të Punës Socialiste”.
b-Arratisja mund të jetë bërë me urdhër të zbulimit përkatës, gjë kjo që varet nga vlerësimi që i bëjnë ata efektit politik të kësaj arratisjeje në koniunkturën e dhënë.
c-Varianti i mundshëm është që arratisja të jetë shkaktuar nga ndonjë goditje pa dashur që kemi bërë ne mbi fijet e këtij grupi.
MBI PËRGJEGJËSITË E SIGURIMIT
Ka pasur mundësi që kjo veprimtari armiqësore të zbulohej e të parandalohej, në qoftë se organet e Sigurimit (Zbulimi e Kundërzbulimi), si poshtë: Dega e Vlorës dhe rezidentura e Romës, ashtu dhe në qendër: Drejtoria e Parë dhe ajo e Zbulimit do të ishin treguar në nivelin që kërkon funksioni i tyre në respektimin e normave të punës agjenturalo-operative.
Ku i shikojmë gabimet e të metat e Sigurimit.
1- Në mosrespektimin e parimit që “Puna e çdo qytetari në Sigurim të konsiderohet në çdo rast detyrë plotësuese, pra sekondare, kurse puna që ai bën në sektorin ku është ngarkuar konsiderohet si e vetmja bazë për vlerësimin e tij”.
Moszbatimi i këtij parimi i bën organet e Sigurimit të bien në shterpësi agjenturalo-operative dhe ul vigjilencën e masave. Në rastin konkret, tradhtari Vasil Malo, si për periudhën që kishte qenë rezident, ashtu edhe më vonë si “njeri i provuar dhe i besuar”, kishte krijuar në ndërmarrje, por jo vetëm atje, një pozitë të tillë ku, veç të tjerave, mund të hiqte e të vinte në ekuipazhin e anijes së tij kë të donte, të shkelte rregullat e caktuara për lundrim e qëndrim jashtë shtetit dhe njerëzit, përfshirë këtu dhe agjenturën, të mos i dënonin apo kritikonin ato sepse “ishte i besuar dhe këto gjëra mund t’i donte dhe puna e Sigurimit” etj., etj.
2-Një shkak tjetër është vështrimi i punës e kombinacioneve agjenturalo-operative në prizëm të ngushtë dhe jo në prizmin politik për ruajtjen e figurës moralo-politike. Duhet pra të peshohet mirë leverdia operative në raport me efektin e dëmin politik që mund të krijojë.
Edhe në rastin e dhënë, ky defekt del gjithashtu në pah. Denoncimi që bëri Vasil Malo se “me iniciativën e tij kishte takuar një emigrant që i kishte ofruar bashkëpunim agjenturor”, jo vetëm nuk duhej zvarritur, por, përkundrazi, duhej të ishte bërë objekt i një analize të thellë nga Sigurimi për të sqaruar pse ky e trajton funksionin e tij në atë mënyrë, saqë i propozohet hapur për të bashkëpunuar me zbulimet e huaja. Po të ishte gjykuar drejt, Komitetit të Partisë së Vlorës nuk do t’i kërkohej leje për ta futur këtë kuadër në kombinacion agjenturor, por do të kërkohej gjykimi më i thelluar dhe heqja e tij nga ky funksion i rëndësishëm.
3-Është shkelur parimi i verifikimit të plotë të çdo të dhëne. Në rastin konkret, nuk janë vlerësuar ndryshimet negative që ka pësuar në procesin e vet familja Malo, nuk janë lidhur në dinamikë mjaft të dhëna që kanë ekzistuar rreth personave që implikohen në këtë ngjarje, nuk janë verifikuar plotësisht sinjalizimet për shkeljen e rregullave nga Vasil Malo kur dilte jashtë shtetit, si dhe futja e tij në kontakt pune dhe zbulimi me agjentin e huaj, Panajot Zaho. Shënojmë këtu se Vasili jo vetëm që ishte futur në lidhje me këtë agjent, por prej tij ka marrë detyra dhe rreth 60.000 lireta shpërblim. Po kështu, është punësuar pa e verifikuar dhe studiuar mirë në drejtorinë e Pritjes qeveritare, kunata e Vasilit, Katina Malo.
4-Ka funksionuar familjariteti në raportet e punës me agjenturën. Ekzistenca e kësaj shfaqjeje me agjenturën krijon bazë për t’i servirur Sigurimit gjëra të paqena e ato të merren si të dhëna nga “njerëz të besuar” pa i verifikuar. Kjo dukuri i hap shtegun kalbëzimit të agjenturës dhe mundëson futjen në organet e Sigurimit të lajkatarëve e karrieristëve, për të mos thënë armiqve të çdo ngjyre.
Mbi bazën e këtij familjariteti janë ndërtuar qëndrimet e Sigurimit të Vlorës me Vasil Malon, i cili si ish-rezident kishte siguruar një besim absolut për Sigurimin dhe për rrjedhojë denoncimet e tij, si në rastin e lidhjeve me agjentin e huaj, nuk u bënë asnjëherë objekt i një verifikimi të hollësishëm. Po kështu, duke shkelur rregullat, kërkesa e tij për të hipur në varkë njerëz jashtë listës së aprovuar nga Dega e Brendshme u plotësua nga oficeri përkatës i Sigurimit.
5-Mungesa në vendosjen e raportit të drejtë në punën e Sigurimit midis asaj që duhet arritur me anë të kontaktit direkt me masën dhe asaj që arrihet me anë të agjenturës. Me këtë mangësi shpjegohet fakti që Dega e Vlorës e ka ulur vetë nga 28 në 2 numrin e agjenturës në ndërmarrjen e peshkimit, ndërkohë që edhe kësaj agjenture nuk i bëhet e qartë detyra për të zbuluar jo vetëm armikun në tërësi, por edhe shkeljet e rregullave për lundrim në daljet jashtë shtetit.
6-Dobësi të theksuara ka pasur në evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e materialeve. Fakti që rreth të njëjtit person, agjentit Panajot Zaho, që kishte kontaktuar me Vasil Malon në Itali, kishte materiale të ndryshme dhe çështja e tij u trajtua veç nga zbulimi, e veç nga kundërzbulimi, si dhe mjaft materiale të tjera që kanë të bëjnë me njerëz të veçantë të kësaj familjeje, të cilat nuk kanë shërbyer për një studim e gjykim më të gjithanshëm, flasin për dobësi në këtë sektor dhe aktualitetin e këtij problemi. Të gjitha këto të meta janë shprehje e vigjilencës së ulët revolucionare konkrete dhe e drejtimit të dobët në përgjithësi, dhe e disiplinës jo në lartësinë që vërehet në punën e Sigurimit.
AFRIM IMAJ
Dokumentet dhe intervistat në këtë dossier janë ekskluzivitet i gazetës “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al