Shqiptarët nga vendet e ish-Lindjes komuniste nuk janë të vetmit që shohin me nostalgji disa aspekte të së kaluarës së tyre. Historia e pasluftës së Dytë Botërore në Shqipëri është akoma nën një vështrim të theksuar kritik dhe, në përgjithësi, pas viteve ‘90-të, prirja ka qenë për të nënvlerësuar arritjet dhe ekzagjeruar dështimet në çdo drejtim. Megjithatë, mjaft studime e analiza për këtë periudhë nxjerrin në pah një lloj konstante “pozitive” për periudhën komuniste, që ka të bëjë me zgjerimin e arsimit në vend. Duhet trajtuar, po ashtu, edhe miti i “superioritetit të sistemit arsimor komunist” ndaj atij paskomunist, për të parë vërtetësinë e këtij miti, pasi ekzistojnë sot disa supozime se ka një përkeqësim të situatës në arsimin e lartë, një rënie në mënyrë të konsiderueshme të cilësisë së këtij sistemi, krahasuar me periudhën e regjimit komunist, si dhe degradim të vlerave të sistemit në përmasa alarmuese.
Supozime të tilla, me sa duket, mbështeten në një shifër të raportuar në atë kohë, ku në Shqipëri kishte rreth 85% të popullsisë analfabete, por që në vitet ‘80-të ky fenomen u zhduk. Përveç kësaj, sipas një studimi të Bankës Botërore të vitit 2006, statistikat zyrtare të kohës flisnin për 700 mijë shqiptarë që ndiqnin arsimin e mesëm, ose që kishin mbaruar atë dhe vendi kishte mbi 40 mijë mësues. Theksi ishte vënë kryesisht në zgjerimin e arsimit të përgjithshëm, por duke pasur parasysh stadin e ulët kur filloi puna arsimore, Shqipëria mbeti megjithatë prapa vendeve të rajonit dhe veçanërisht vendeve të zhvilluara në këtë fushë, me një mangësi të veçantë sidomos në arsimin e lartë.
Çështje kyçe e procesit të zgjerimit, në atë kohë dhe sot, është si të kemi një rritje sasiore, pa pësuar rënie cilësore. Këtu duhen konsideruar dy faktorë: së pari, sistemi arsimor komunist, përfshirë këtu edhe atë universitar, kishte thellësisht baza ideologjike. Përzgjedhja e lëndëve dhe programeve ishte e centralizuar dhe bazuar në një filozofi të qartë pedagogjike, që ishte mësimdhënia me një bazë të gjerë, e cila synonte përgatitjen e një brezi profesionistësh me detyra të qarta shoqërore. Po ashtu, ky sistem ideologjik dhe i centralizuar siguronte edhe absorbimin e studentëve të diplomuar në sistemin publik. Si i tillë, sistemi komunist dukej se krijonte një siguri funksionimi dhe garanci punësimi, gjë që tani është më e rrallë; së dyti, lëndët, sidomos shkencat shoqërore, duke qenë thellësisht të ideologjizuara, vinin theksin në aftësinë e studentëve për të reflektuar dhe përsëritur argumentet e filozofisë zyrtare marksiste, jo të përplasjes së ideve dhe këndvështrimeve të ndryshme. Si rrjedhim, studentët merrnin një formim të gjerë shkencor, por të përcaktuar, që nuk linte vend për vlerësime relative. Kjo qasje ishte vetëpërjashtuese edhe për mundësitë e projekteve studimore, prandaj historikisht universitetet shqiptare të periudhës komuniste ishin kryesisht qendra mësimdhënieje dhe jo projektesh studimore.
Në sistemin aktual, të dyja këto veçori nuk ekzistojnë. Mospasja e një boshti ideologjik është zhvillim pozitiv, por ajo krijon edhe problemin e relativizmit të opinioneve. Jo të gjitha idetë apo teoritë janë të barabarta për nga rëndësia, kështu që relativizmi i tepruar, në vend që të zgjerojë këndvështrimin, mund ta hallakatë atë, ndërkohë mungesa e garancive të punësimit publik krijon një pasiguri për studentët. Megjithatë, kjo situatë nuk është ndonjë veçanti thjesht shqiptare, madje ajo krijon në vetvete një fushë garimi të përbashkët, ku favorizohet cilësia.
Ndryshimi i sistemit në vitin 1990 u pasua dhe me një emigrim masiv, prej të cilit nuk shpëtoi dot as sistemi i arsimit të lartë. Një studim tjetër i vitit 2008 vë në dukje se, pas vitit 1990, pothuajse gjysma e pedagogëve dhe studiuesve të universiteteve shtetërore u larguan nga Shqipëria, por në vitet e fundit, së bashku me rritjen e numrit të universiteteve joshtetërore (private) dhe punësimin tek to të shumë pedagogëve të rinj, të arsimuar jashtë, po shtohet edhe numri i mësimdhënësve e studiuesve në arsimin e lartë, edhe pse në krahasim me vendet e rajonit dhe vendet e zhvilluara Shqipëria mbetet më prapa.
Masivizimi i arsimit duket të jetë një dukuri botërore, sepse shoqëritë e sotme të shërbimit krijojnë mundësi për të gjithë, kësisoj, në parim, askush nuk ka të drejtë t’i imponojë individit që të përzgjedhë apo të përcaktojë për të se ç’lloj edukimi duhet të marrë, ku duhet të studiojë, apo cilin cikël studimesh duhet të vazhdojë. Edukimi duket të ketë marrë funksione nga më të ndryshmet në kohën e sotme, sakaq edhe përzgjedhja realizohet në faza të ndryshme të jetës.
Në të kaluarën, të drejtën për t’u shkolluar dhe degën e shkollimit e caktonte ish-Komiteti Ekzekutiv (ose Këshilli i Lagjes), sepse ekzistonte një sistem planifikimi, me kufizime të mëdha, me arsye ideologjike e biografike. Koncepti i “zgjerimit”, në fakt, kishte të bënte më shumë më gjeografinë për arsye propagandistike, sesa si “shans i barabartë” për të gjithë.
Pranimet me konkurs në shkollën e lartë, pas vitit ’90-të, duke hequr formalisht procedurat administrative të përzgjedhjes arbitrare, shënuan një hap shumë pozitiv përpara, edhe pse jo në pak raste u shfaqën shenja të manipulimit prej universiteteve shtetërore. Matura Shtetërore më vonë përmirësoi dukshëm procedurat dhe rriti transparencën, duke u konsideruar si praktikë pozitive. Kjo praktikë ka rritur besimin te sistemi dhe konkurrueshmërinë. Vërtet konkurrenca mund të mos jetë e plotë dhe sistemi shfaq herë pas here defektet e veta, por në tërësi nxiten energji pozitive te të rinjtë, rritet vetëbesimi dhe forcohet personaliteti i tyre. Këta janë avantazhe të sistemit të konkurrencës dhe tregut të lirë në edukim. Mundësia për të ndjekur studimet universitare është e jashtëzakonshme në kohën e stome, është “fati” i brezit të sotëm, krahasuar me brezin e kaluar.
Në të kaluarën, universitetet ishin njësi të mbyllura, të izoluara përgjithësisht prej arritjeve akademike shkencore botërore, kryesisht për arsye ideologjike, por edhe në mungesë të plotë të bashkëpunimit me universitete të huaja, si shkëmbim përvojash dhe pedagogësh, organizim të konferencave shkencore ndërkombëtare dhe botim të akteve të tyre. Nën rrethana të tilla, nuk mund të flitet për cilësi në të kaluarën, kur arritjet akademike e shkencore nuk ndaheshin me një komunitet shumë me të gjerë akademik, brenda e jashtë vendit. Universitetet nuk ishin njësi të hapura dhe transparente për të gjithë, sa kohë nuk ofronin shërbime të gjithanshme për studentët dhe stafin, pa website dinamike, pa CV transparente të pedagogëve, ku përfshihen jo thjesht librat dhe artikujt shkencorë të botuar, por edhe numri i recensave që u bëhen veprave të tyre dhe botime të ndryshme me faktor impakti.
Më tej, vështirë të flitet për arsimim cilësor, në mungesë të një oferte formative në të kaluarën, që ka të bëjë me rëndësinë që i jepet ofertës së kurseve, që kanë të bëjnë më metodologjinë e punës shkencore. Një pjesë e mirë e diplomave vuanin nga mungesa e metodologjisë, sepse vetë stafi kishte probleme me njohjen dhe përdorimin e duhur të metodologjisë. Në vetvete metoda është shkencë, e cila lartëson cilësinë e punës kërkimore. Përveç kësaj, sot i kushtohet një rëndësi e madhe ofertës didaktike, që do të thotë se stafi mësimdhënës, krahas përgatitjes në kohë të moduleve, kurseve dhe lëndëve që jep mësim, në bibliotekat e universiteteve sillet tashmë e plotë e gjithë bibliografia e duhur për çdo modul a lëndë.
Në përfundim, në të kaluarën nuk kishte një lidhje organike midis programeve dhe kërkesave reale të tregut të punës, me dije e aftësi bashkëkohore, as nuk ofroheshin teknologjitë më të mira arsimore. Kësisoj, duke mos pasur reagimin e tregut të punës, i cili ishte i mbyllur, i planifikuar dhe i centralizuar, ishte pothuajse e pamundur të matej realisht cilësia e programeve që ofroheshin. Krahasimi i cilësisë dhe matjes së saj me të kaluarën përbën një ndryshim thelbësor me të sotmen: në të kaluarën në matnim çfarë u jepnim studentëve, kurse sot matet ajo çfarë janë në gjendje të bëjnë studentët (homo faber). Sot ballafaqohemi më një mjedis shoqëror dhe ekonomik gjithnjë e më konkurrues, i cili, përtej defekteve që mund të shfaqen, shtyn studentët t’i drejtohen dijes për të qenë më të suksesshëm. Ky është avantazhi i sistemit të sotëm në raport me të kaluarin, pasi, sa kohë nuk ishte arsim konkurrues, nuk mund të ishte as cilësor. Rritja domethënëse e arsimit privat do të ndihmojë shumë në arritjen e objektivit për të shtuar numrin e popullsisë me arsim të lartë, por rritja sasiore duhet kryer në përpjesëtim të drejtë me atë cilësore. Përpjekjet e viteve të fundit për të pasur një sistem renditjeje/pikëzimi të përbashkët për universitetet, krahas akreditimit, ishte nismë shumë e dobishme, por ajo duhet të përfshijë të gjitha universitetet shqiptare, shtetërore dhe jo shtetërore.
*Rektor i Universitetit
Europian të Tiranës