Asgjë e re nga fronti i integrimit

Oct 25, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

DEMUSH SHASHADEMUSH SHASHA

Komisioni Evropian mira toi të mërkurën një raund të dokumenteve të reja pompoze të quajtura “Agjendat e reformave”. Titulli i zgjedhur i këtyre dokumenteve tregon që në fillim se sa i divorcuar nga realiteti është Komisioni Evropian. Është bërë një lloj zakoni në proces integrues që mungesa e thelbit kuptimplotë të zëvendësohet me formën e pakuptimtë. Tipar i zakonshëm i kësaj qasjeje është që takimet apo dokumentet e rëndomta të marrin emra pompozë duke u bërë kështu “Samiti i Komunitetit Politik Evropian” apo “Plani Investiv dhe Ekomomik për Ballkanin Perëndimor”. Këta emrat luksozë, në fakt, fshehin varfërinë e thelbit të tyre. Kjo është edhe arsyeja përse më askush nuk impresionohet nga “samitetet” apo “urimet” që vijnë nga Brukseli. Kështu ishte edhe dita e djeshme.

Dje Komisioni Evropian miratoi një raund të dokumenteve të reja pompoze të quajtura “Agjendat e reformave”. Titulli i zgjedhur i këtyre dokumenteve tregon që në fillim se sa i divorcuar nga realiteti është Komisioni Evropian. Pra, sot ai flet për “agjendë reformash” për një grup shtetesh, të cilat minimalisht këta dhjetë vjet kanë treguar shumë qartë që gjëja e fundit për të cilën ata janë të interesuar janë “reformat”. Në Serbi këto “reforma” kanë asfiksuar media të lira dhe opozitën. Në Shqipëri gjithë krerët e opozitës janë në burg apo rrugës për në burg. Këtu tek ne qeveria ka braktisur në tërësi agjendën integruese të reformave në shkëmbim të agjendës së sovranitetit.

Dhe gjithë këtë farsën e “reformave evropiane” e kuptojnë shumë mirë edhe qytetarët, por edhe vetë qeveritë e rajonit. Kjo është edhe arsyeja përse dita e djeshme kaloi në heshtje në gjithë rajonin tonë. Dje asnjë kryeministër i asnjë vendi në rajonin tonë nuk bëri ndonjë postim ose ndonjë konferencë për shtyp për “agjendë reformash”, sepse të gjithë tani e kuptojmë se për çfarë shfaqjeje teatrale po flasim. Po kështu edhe mediat pothuaj në tërësi injoruan këtë lajm.

Të vetmit që postuan dhe festuan janë miqtë tanë në Bruksel, të cilët përsëri dëshmuan sa të divorcuar nga realiteti janë. Dhe në gjithë këtë mes ata ishin të vendosur që të ketë festë, qoftë edhe festë “me zor”. Prandaj, ata dërguan presidenten e Komisionit Evropian për një “tour” në rajonin tonë për të “festuar” miratimin e agjendave të reformave. Turi i vizitave filloi dje me Tiranën dhe konferencën për shtyp të presidentes Von der Leyen dhe kryeministrit Rama. Por konferenca përsëri shfaqi dikotominë në mes rajonit tonë dhe BEsë. Për 30 minuta sa zgjati konferenca për media kryeministri Rama nuk e tha asnjë fjalë të vetme për festimin e “agjendës së reformave”. Nga ana tjetër, gjëja e parë për të cilën foli presidentja Von der Leyen ishte “agjenda e reformave”. Kryeministri Rama mund të jetë shumë gjëra në këtë botë, por ai nuk është idiot politik. Ai ka zgjedhur të mos flasë për agjendën e reformave, sepse e kupton sa banale është bërë kjo fjalë. Këtë e kupton edhe diskursi publik në Shqipëri. Kjo është edhe arsyeja përse jo vetëm Rama, por edhe gazetarët prezentë në konferencën për shtyp nuk kanë bërë asnjë pyetje për “agjendën e reformave”

Duke iu kthyer shkurtimisht “agjendës së reformave” të Kosovës dy gjëra bien në sy. E para, fjala “anëtarësim” është fshirë në pjesët kyç të tekstit në rastin e Kosovës. Për shembull, në rastin e të gjitha vendeve të tjera qëndron në mënyre eksplicite se agjenda e reformave “është dizajnuar për të mbështetur procesin e zgjerimit duke përshpejtuar përafrimin me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat përmes reformave të parapara në kuadër të kornizës së anëtarësimit të ardhshëm në BE” dhe se agjenda e reformave do të “forcojë aftësinë e vendit për të marrë obligime që burojnë nga anëtarësimi në BE”. Të dy këto qëllime eksplicite për anëtarësim në BE janë fshirë në rastin e Kosovës. Së dyti, reformat e parapara në kuadër të agjendës së reformave janë mishmash dhe riciklim i detyrimeve të Kosovës në procesin integrues prej vitesh. Disa “reforma” janë, në fakt, edhe banale. Merrni shembull një “reformë” në kuadër të arsimit. Aty thotë se reforma e synuar është rikthimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit me anëtare me drejta të plota në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Pra, reforma në fjalë i bie që të kthehemi në gjendjen e vitit 2018, kur, në fakt, ishim anëtar me të drejta të plota, por falë vendimeve të qeverisë “Haradinaj” u përjashtuam nga kjo organizatë.

Por, siç thashë, ndoshta diskutimi i cilësisë së “agjendës së reformave” është i pakuptimtë pasi që i gjithë qëllimi i kësaj ndërmarrjeje është i pakuptimtë. Ideja themelore mbrapa agjendës së reformave është incentiva financiare. Pra, ideja që tani vendet e rajonit do të tregojnë përkushtim në zbatimin e këtyre reformave për shkak se për arritjen e çdo reforme do të shpërblehen me një shumë të caktuar financiare. Kjo ide është e gabueshme në themel. Nuk ka para në botë që do të bindë Vuçiçin të çkapë kontrollin e vet nga mediat dhe gjyqësori. Nuk ka para në botë që do ta bindë të heqë dorë nga Radoiçiqi.

Ajo çfarë rajoni ynë ka nevojë nuk është “agjenda e re e reformave”, por vullneti i sinqertë politik. Na duhet vullneti i sinqertë i BEsë për të anëtarësuar vendet e rajonit në BE. BE-ja nuk mund të zëvendësojë mungesën e guximit dhe lidershipit politik me burokraci dhe fonde. Me “agjendë të re të reformave” ajo vetëm do të ruajë status quo-në në rajonin tonë. BE do të vazhdojë të na ftojë të bëjmë reforma, ne do të bëhemi që po i zbatojmë këto reforma.

Thënia “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” është popullarizuar së fundi nga filmi me të njëjtin emër, i cili fitoi pothuaj çdo çmim prestigjioz ndërkombëtar. Filmi portretizon jashtëzakonisht bukur udhëtimin personal të një ushtari të ri gjerman nga një idealist fisnik e patriot gjerman drejt një njeriu të shkatërruar nga tmerri dhe tragjedia e luftës. Ai lufton në frontin perëndimor ku palët janë duke humbur mijëra jetë ushtaresh në ditë për të mos lëvizur asnjë milimetër toke drejt armikut. Humbasin mijëra jetë çdo ditë për të ruajtur status quo-në. Kjo është edhe arsyeja përse titulli i romanit dhe më pastaj filmit “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” është bërë sinonim i status quosë. Kësisoj kjo është analogji e bukur për procesin integrues të Ballkanit Perëndimor. Humbasim çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit për të ruajtur status quonë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura