Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi At Shtjefën Gjeçovin, në ditën e tij të lindjes, 12 korrik 1874. Ai lindi në Janjevë të Kosovës, 150 vjet më parë.
Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896, u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.. Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore etj.. Mbi të gjitha, ai do të mbahet mend për punën e jashtëzakonshme që bëri në vitet 1910- 1925 për botimin e librit “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunit ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”.
Paralelisht me punën si meshtar, ai mblodhi traditat e Shqipërisë Veriore, rrafshit të Mirditës dhe Alpeve shqiptare, poezinë popullore të malësive, zakonet e së drejtës popullore dhe lëndë etnografike. Po ashtu, ka qenë i pari folklorist shqiptar që ndërmori punë kërkimore në terren sipas kritereve metodologjike të kohës. Atë Gjeçovin e vranë shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit, ku shërbente si famullitar.
ANGAZHIMET
U lind në Janjevë të vilajetin e Prizrenit, i biri i Mati Gjeçovit dhe Prendës, i pagëzuar me emrin Hilë; prejardhjen e hershme farefisi i tij e kishte nga Kryeziu i Pukës. Prindërit e dërguan më 1884 në kolegjin françeskan të Troshanit, në Vilajetin e Shkodrës, ku mori mësimet e para të rrugës së meshtarisë. Më 1888 përfundoi mësimet dhe u nis më 16 gusht në kuvendin e Fojnicës për vitin e rishtarisë. Vijoi studimet në Derventë dhe Banja Luka, përfundoi studimet në institutin françeskan të Kreshevës së bashku me Pashk Bardhin. U urdhërua meshtar më 1896, kur meshoi së pari në Troshan dhe hyri në radhët e françeskanëve. U caktua fillimisht famullitar në Zllakuqan, më tej përafërsisht nga viti 1899 e deri më 1905 në Laç-Sebaste.
Përgjatë vitit akademik 1905/06, më 19 dhjetor 1905, zëvendësoi kolegun e vet Bardhin në shkollën e Borgo-Erizzo. U kthye në atdhe, ku vjeshtën e 1906 mori pjesë në një kuvend të bajrakut të Kurbinit.Nga maji i 1907 dhe deri më 1915 u caktua famullitar në Gomsiqe, më 1916-1917 në Theth dhe 1919-1921 në Rubik. Bashkëpunoi si korrespondent me Komisinë Letrare të Shkodrës për materiale të vjelura nga goja e popullit. U përpoq që t’u jepte mësime të gjuhës shqipe bashkësisë së Thethit dhe Prekalit. Më 1920 u caktua famullitar në Vlorën e pushtuar nga italianët, i pambështetur nga kapelani ushtarak italian, u prit dhe u ndihmua nga Dom Mark Vasa. Më 1921 banoi në Shkodër, më 7 qershor 1923 u emërua sekretar i Provincës Françeskane. Më 1926 u caktua famullitar në Zym të Hasit, asokohe pjesë e Mbretërisë Jugosllave. Qe pjesë e një komiteti për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve. Ngaqë nuk e ndërpreu as mësimdhënien e shqipes pas mbylljes së atyre pak shkollave nga autoritetet jugosllave, as punën e tij për mbledhjen e folklorit dhe ekspeditave arkeologjike, i irritoi autoritetet jugosllave dhe e vranë në Kodër Rrezina më 14, apo sipas burimeve tjera, ose 23 tetor 1929. Vrasja e tij u pa edhe si rast i fanatizmit të ortodoksisë serbe ndaj katolikëve. Trupi iu bart nga sivëllau i tij françeskan Lorenc Mitroviç përbrinjë dëshmorit tjetër të atdheut, Luigj Paliq.
VEPRA
Paralelisht me shërbimin meshtarak, ai mblodhi traditat e Shqipërisë Veriore, rrafshit të Mirditës dhe Alpeve Shqiptare, poezinë popullore të malësive, zakonet e të drejtës popullore dhe lëndë etnografike. I raportoi rregullisht kërkimet e tij duke botuar materiale etnografike, arkeologjike dhe histori lokale nëpër të përkohshme të ndryshme të kohës. Ka qenë i pari folklorist shqiptar që ndërmori punë kërkimore në terren sipas kritereve metodologjike të kohës. Përvoja e tij zë fill në periudhën studentore në Bosnje me një punim historik mbi Arqipeshkvinë e Tivarit bashkautor me sivëllaun Lovro Mihaçeviq, duke punuar të paktën gjashtëmbëdhjetë faqet e para me titullin në latinisht Metropolis Antibarensis. Botimet e para të Gjeçovit janë dymbëdhjetë poezi tek “Albania” e Konicës me emër pende Lkêni i Hasit. Puna më e rëndësishme e jetës së tij qe përmbledhja e kodit zakonor shqiptar, botimi i të cilit u titullua Kanuni i Lekë Dukagjinit. Mbledhjet e para të kanunit i botoi në vitet 1898-1899 po tek “Albania” e Konicës më 1897-1898 dhe më pas tek “Hylli i Dritës” ndër vitet 1913-1924.
Përmbledhja e plotë me 1,263 nene, të renduara në 12 kapituj, u botua nga françeskanët së pari më 1933 vetëm pas vdekjes së tij. Metoda se si u bë mbledhja nuk është bërë e ditur, edhe nëse ka pasur një pyetësor, nuk është ruajtur. Shkroi dramat “Dashtunija e atdheut” më 1901, “Kushtrimi asé Mark Kuli Kryeqitas” 1903, “Shqiptari ngadhënjyes” 1904,| Princi i dy Dibrave asé Mojs Golemi” 1904; “Shqiptari ngadhënjyes”, 1904; “Katër të lumtun, asé Edipi i Shqipnis”, 1926; një pjesë prej të cilave ende në dorëshkrim që gjenden në ASH. Shqipëroi dramat “Atil Reguli”. Dramë me tri pamje të Metastasit më 1905, botuar më 1912; “Vajza e Orleansit asé e Lumja Joana D’Ark” nga A.F. Bergamo, botuar më 1915; “Shna Ndou i Padues” i N. Dal-Gal, botuar më 1912. Shkruan po ashtu edhe novelat, “Mnera e Prezës” 1902 dhe “Rrafgime” 1903.
La pa botuar përkthime të sentencave të Sokratit, të romanit polak shumë të lexuar Quo vadis (1916) të Shenkieviçit dhe pjesëve nga ‘Scritti su Parga’ të poetit neoklasik italian Ugo Foskolo. Përveç kësaj, Gjeçovi na ka lënë si trashëgim gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale ende të pabotuara, ndër to shtatë pjesë teatrore dhe disa tregime. Pa llogaritur artikujt e shumtë Përralla popullore (1903), Doke dekësh (1907), Rrnesa e kombit shqiptar nder malcina (Gomsiqe, 1908), Doke darsmore në kanu (1910-1911), Vajtorëja (1917-1920). Një pjesë e dorëshkrimeve humbën me vdekjen e tij. Sa i përket shkrimeve arkeologjik, veçohet shkrimi Trashigime thrako-ilirjane botuar po te “Hylli” më 1924.[11] Sipas ditarit të Shuteriqit, më 1924 së bashku me Simon Shuteriqin zbuluan këmbanën e Sopotit të Bërzeshtës.[20] Në Ekspozitën Misionare Botërore të Françeskanëve të hapur më 1925 në Vatikan, Provinca Françeskane Shqiptare u përfaqësua me elemente nga koleksioni arkeologjik i Gjeçovit. Koleksioni i tij u organizua më tej si muze në mjediset e kuvendit françeskan në Shkodër.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al