Atalanta është deri më tani ndoshta surpriza më e bukur në Serinë A. Objektivi më i afërt është shpallja kampionë dimri, ndërsa në ditën e Krishtlindjeve, mendja kryesore e projektit, Xhan Piero Gasperini ka dhënë një intervistë për kanalin zyrtar të Serisë A.
“Ka qenë e vështirë të parashikonim se do të ishim të parët në renditje, sidomos në gusht ku gjithçka ishte e vështirë dhe me disa disfata. Duke marrë parasysh fitoret e fundit radhazi dhe vendin e parë, asgjë nuk ka qenë lehtësisht e parashikueshme.
Gjëja më e rëndësishme në vitin që jemi duke mbyllur ka qenë triumfi në Ligën e Europës. Në atë moment kam pasur një ndjenjë të veçantë, por nuk është shumë ndryshe nga ajo kur fiton një ndeshje të vështirë. Kam parë të gjithë qytetin duke festuar dhe që ka pasur një entuziazëm të papërshkrueshëm. Edhe rrugëtimi ka qenë i bukur, jo vetëm finalja, por edhe e gjithë ecuria.”
BERGAMO- Në 9 vite ne kemi bërë një rrugë të gjatë, gjithmonë në rritje dhe me entuziazëm. Kemi vlera të mëdha, me shumë respekt për lojtarët. Ka qenë një harmoni e madhe mes skuadrës, lojtarëve dhe pronarëve të klubit, që kanë përcjellë këto vlera.
DE KETELARE DHE LUKMAN- “Është një djalë shumë i ndjeshëm, i zgjuar, punëtor dhe që të kupton mirë. Kjo është diçka e rëndësishme. Kur flas me të e kuptoj që ai e kupton futbollin, vështirësitë dhe punon për të përmirësuar veten. Gjithashtu edhe Lukman është një lojtar i madh.
Në aspektin karakterial, janë lojtarë që kanë më shumë vazhdimësi dhe janë solidë, por kjo është diçka normale, i favorizon roli. Lukam është kthyer në një nga lojtarët më të mirë në Europë.
OBJEKTIVAT- “Nuk mund të vendosim objektiva kaq të mëdhenj në këtë moment dhe kjo është e bukura e futbollit. Kjo gjë të lejon më pas të bësh një rrugëtim si sezoni i kaluar, ku askush nuk e imagjinonte se do të arrinim deri në pikën ku përfunduam. Edhe tani nuk e dimë se ku do të arrijmë. Ne kërkojmë vetëm që të ecim sa më lartë të jetë e mundshme”, tha ndër të tjera Xhan Piero Gasperini.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al