Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për 3 autorët e dyshuar të atentatit të dështuar ndaj Inez Hajrullës, i njohur si i forti i Vlorës.
SPAK ka kërkuar 11 vite burg për Leonard Luzin, i njohur edhe me nofkën “Daku”, 10 vite burg për Muharrem Koroveshin dhe për të penduarin e drejtësisë Amarildo Nikolli 2.9 vite pas hekurave.
Të tre të pandehurve iu ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
47-vjeçari Leonard Luzi u arrestua nga autoritetet spanjolle më 18 korrik, ndërkohë që ishte shpallur në kërkim për organizimin e vrasjes së Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt, një krim që u parandalua.
“Daku” është një emër i njohur për policinë, pasi ka lidhje të forta me eksponentë të krimit. Ai është shoku i Amarildo Nikollit, të penduarit të drejtësisë, i cili ndodhet në burg.
Atentati në tentativë ndaj Inez Hajrullas u zbardh nga rrëfimi i të penduarit, i cili tha se ishte pajtuar nga “Daku” për të kryer vrasjen, por nuk mundi ta ekzekutonte shënjestrën, pasi u arrestua nga policia.
Inez Hajrulla është një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Vlorë. Ai mori drejtimin e grupit kriminal pas vrasjes në 2018 në Durrës të Edison Arizajt, i njohur si Edison Faqedjeguri.
ATENTATI I DESHTUAR NDAJ INEZ HAJRULLA DHE ERVIS MATODOSHAJT
Vrasja Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla dështoi sepse në gusht të 2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, policia ka ndaluar për kontroll vrasësin, Amarildo Nikollin dhe i ka gjetur me vete armët me të cilat do të kryente krimin.
Pikërisht në atë ditë, 7 gusht 2023 ishte gati për të vrarë Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullën. Atij iu gjetën një arsenal armësh, më konkretisht një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes.
TE ARRESTUARIT PER ATENTATIN E DESHTUAR
Për atentatin ndaj Hajrullës, më herët ka rënë në pranga Muharem Koroveshi, Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi. Në kërkim rezulton ende Erio Zejno.
Luzi kishte planifikuar atentatin për hakmarrje për vrasjen e kushëririt të tij, Erigert Ferik (Zejno) në 2013. Një nga personat e dyshuar ai autor ka qenë edhe Ervis Matodashaj, mirëpo një vit më vonë gjykata vendosi pushimin e hetimeve për mungesë të provave ndaj tij.
SI KANE NISUR NGJARJET KRIMINALE
Hetimet kane provuar se vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit.
Rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve.
I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë. Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al