Avionët elektrikë si taksi në zonat urbane, kompanitë prezantojnë konceptet e tyre në panairin ndërkombëtar “Farnborough 2024”! Ja si do të duken

Nov 10, 2024 | 22:15
SHPËRNDAJE

Udhëtimet me taksi në një të ardhme të afërt mund të realizohen me avionë elektrikë. 

avoion taksi

Prodhuesit e avionëve thonë se do të revolucionarizojnë udhëtimin e përditshëm për pasagjerët duke ofruar fluturime të përshtatshme, të shpejta dhe të qëndrueshme brenda qyteteve dhe mes tyre.

Disa prej kompanive të prodhimit të këtyre avionëve shfaqën konceptet e tyre në panairin ndërkombëtar “Farnborough 2024”.

Supernal, një kompani e mbështetur nga gjigandi global i makinave Hyundai Motor Group, thotë se automjeti i saj më i ri elektrik i pasagjerëve do të revolucionarizojë udhëtimin ajror në të ardhmen.

Ky aeroplan do të jetë në gjendje t’i transportojë më shpejt pasagjerët brenda qyteteve dhe mes tyre, duke fluturuar mbi radhët e gjata të trafikut rrugor.

“Qëllimi i tij është të ndryshojë mënyrën e lëvizjes së njerëzve. Është një aeroplan tërësisht elektrik, që me një karikim mund të përshkojë një distancë prej rreth 96 kilometrash, duke fluturuar me një shpejtësi prej 193 kilometrash në orë, dhe mund të transportojë njerëz në distanca të shkurtra, duke shmangur trafikun e ngjeshur urban”, thotë David McBride, shef i teknologjisë në kompaninë Supernal.

Automjeti plotësisht elektrik do të ketë rotorë që mundësojnë ngritje dhe ulje vertikale pa pasur nevojë për pista.

Kompania gjithashtu synon që fluturimet më vonë të automatizohen.

Ndonëse për disa ekspertë ky koncept mund të duket larg realitetit, shefi i kompanisë Supernal thotë se partneriteti me kompaninë Hyundai Motor Group (HMG) do të lejojë prodhimin e këtyre automjeve flutarake në një shkallë industriale masive.

“Ne besojmë se kemi jo vetëm fuqinë e madhe industriale, që Hyundai Motor Group mund të ofrojë, por ne edhe mund të revolucionarizojmë aviacionin përmes aftësive të mëdha të kompanisë sonë”, thotë Jaiwon Shin, president i Hyundai Motor Group dhe shef i kompanisë Supernal.

Kompania gjermane Lilium është gjithashtu në garë për prodhimin në shkallë të gjerë të avionit të saj elektrik EV-TOL. Avioni i saj tërësisht elektrik mund të ngrihet dhe ulet vertikalisht, por në vend të rotorëve përdor ventilatorë me motorë të fuqishëm për lëvizjen në ajër.

“Avioni ynë mund të transportojë gjashtë njerëz në një distancë prej 175 kilometrash dhe mund të arrijë shpejtësinë deri në 250 kilometra në orë. Kostoja e operimit të këtij avioni është aq e ulët sa që ne mund të ofrojmë bileta me çmime prej më pak se 2 dollarë për kilometër”, thotë Klaus Roewe, shef i kompanisë Lilium.

Por, përdorimi i këtyre automjeteve duhet fillimisht të miratohet nga zyrtarët e qyteteve, të cilët duhet të përcaktojnë zona nga ku këta avionë elektrik mund të ngrihen dhe ulen në mënyrë të sigurt.

Të dy avionët u shfaqën në panairin ndërkombëtar të aviacionit “Farnborough 2024”.

Richard Aboulafia, analist i aviacionit, mendon se mundësia reale për të parë më shpesh këta avionë në qiell është ende shumë larg.

“Ata janë jashtëzakonisht të popullarizuar nga pikëpamja e dizajnit dhe konceptit, por për sa i përket prodhimit të tyre masiv, ne ende jemi shumë vite larg. Pra, është një nga ato gjëra që njerëzve u pëlqejnë të diskutojnë, por nuk ka shumë aktivitet tregtar në lidhje me këta avionë“, thotë ai.

Panairi ndërkombëtar “Farnborough Airshow”, i cili u mbajt së fundmi në Britani, është një nga panairet më të mëdha të industrisë së aviacionit në botë dhe tërheq ekspertë dhe entuziastë nga e gjithë bota./voa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura