Avioni i drogës në Divjakë, kapet trafikanti i katërt

Jun 5, 2014 | 7:29
SHPËRNDAJE

Një person i katërt i implikuar në trafikun e drogës me avion nga Divjaka u arrestua mbrëmjen e djeshme. 

 Drejtoria Operacionale e Policisë së Shtetit ka vënë në pranga shtetasin Kleviol Ahmetaj, 30 vjeç. Prangosja e tij u bë rreth orës 22:30, pasi policia rrethoi një banesë ku fshihej i kërkuari, duke mos i lënë mundësi largimi. Ai ishte shpallur në kërkim një javë më parë, pasi ekspertiza e shenjave të gishtave e kishte implikuar në tentativën e trafikimit të lëndëve narkotike me avion nga plazhi i Divjakës. Mësohet se 30-vjeçari ka lidhje me 100 kilogramë drogë të gjetur në pyll pranë zonës ku ra avioni, që mendohet se janë hedhur nga makina e dytë e pranishme në vendngjarje. Kjo sasi droge mendohet se u dërgua në vendngjarje nga një makinë e dytë dhe u hodh në pyll pas rrëzimit të avionit. Sipas burimeve të Policisë, i arrestuari mendohet se si 38-vjeçari Saimir Bajrami, emigrant në Itali, që u arrestua në Divjakë më 10 maj pasi avioni ra në rërë, kishte marrëveshje me pilotin italian për trafikun e drogës. Pak ditë më parë, forcat e Policisë vunë në pranga edhe shtetasin Aurel Pupa, 24 vjeç, nga Lushnja, i cili rezultoi se kishte marrë pjesë në paketimin e lëndës narkotike të ngarkuar në makinën e Saimir Bajramit, i cili priste uljen e avionit për të ngarkuar lëndën narkotike. Tre shqiptarët e arrestuar deri tani, së bashku me pilotin italian Giorgio Riformato, e çojnë në katër numrin e personave të dërguar në qeli deri tani nga Policia e Shtetit në lidhje me trafikun e drogës me avion nga zona e plazhit të Divjakës. Pas arrestimit një javë më parë të shtetasit Aurel Pupa, në kërkim u shpallën edhe disa persona të tjerë, të cilët nuk u gjetën në banesat e tyre. Policia nuk u mjaftua me kontrollet rutinë, por organizoi punën dhe shërbimet, me qëllim gjetjen e vendndodhjes së të dyshuarve dhe vënien e tyre në pranga. Mbrëmjen e djeshme, forcat operacionale kanë arritur të arrestojnë shtetasin Kleviol Ahmetaj, banor i lagjes “Kadri Qystri”. Arrestimi i tij është bërë pas shërbimeve të ngritura nga policia në zonën ku ai fshihej, në një banesë në Lushnjë, ndërsa thuhet se i riu është pjesë e grupit të dytë të drogës. Tashmë në kërkim për çështjen e avionit të Divjakës kanë mbetur edhe tre persona të tjerë, mes tyre dy vëllezër, për të cilët policia është duke punuar me qëllim kapjen e tyre. Në mars të vitit 2008, i dyshuari i katërt për avionin e drogës në Divjakë ishte arrestuar nga policia e Lushnjës nën akuzën e përdhunimit të një të miture 13-vjeçare.

“Corriere”, ja rrugët e drogës me avionë
Gazeta italiane “Corriere della Sera” ka publikuar dje një artikull mbi trafikun e drogës me avionë, përfshirë edhe Shqipërinë. Artikulli shoqërohet me disa foto dhe video, që tregojnë raste avionësh të vegjël sportive, që janë përdorur për trafikim droge. Sipas “Corriere”, në Itali ndodhet një “flotë” e vërtetë avionësh të tillë, që dyshohet se janë përdorur për transportimin ajror të lëndëve narkotike. Gazeta përmend edhe rastin e pilotit Giorgio Riformato që ndaloi në plazhin e Divjakës, ku do të merrte 460 kilogramë drogë. Në një hartë ilustruese të gazetës paraqiten grafikisht rrugët e drogës me avionë drejt Italisë, të cilat nisin nga Greqia e Shqipëria dhe kalojnë në Itali. Rrugë të tjera janë nga Maroku në Spanjë, Portugali e Spanjë, nga Italia në Gjermani dhe nga Franca në Angli. 

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura