Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në fshatin Stropckë të Pogradecit, ku një 83-vjeçar ka plagosur me armë zjarri, çifte, të birin pas një konflikti mes tyre.
Një i afërm i të lënduarit dhe autorit, në një prononcim për mediat është shprehur se baba e bir ishin konfliktuar dhe djali në gjendje të dehur kishte goditur të atin.
Ndër të tjera, ai ka treguar se lajmin e ka mësuar nga bashkëshortja e tij, e cila kishte dëgjuar të afërmit që qanin.
“Më tha gruaja, që kështu ka ndodhur. Kishte dëgjuar që qanin. Erdhi ambulanca e mori, e kishin lajmëruar. I kemi kushërinj, të mirë i njohim, si gjithë njerëzit. Nuk është gjë e mirë, si të ndihesh. Të arrijnë gjërat këtu… Konflikte dhe mund të kenë pasur, nuk jemi në shtëpinë tyre. Sot ishin zënë siç thanë, kishte qenë i pirë djali, e kishte goditur”, është shprehu ai.
Ndërkohë, i plagosuri Përparim Shkullaku, është nisur me helikopter nga Pogradeci drejt Tiranës.
47-vjeçari ndodhet në gjendje kritike dhe është nisur nga spitali i Pogradecit për ndihmë më të specializuar drejt Traumës.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Stropckë, ku gjatë një konflikti djali, Përparim Shkullaku, në gjendje të dehur ka goditur fizikisht të atin, Agim Shkullaku, ndërsa ky i fundit ka marrë çiften dhe e ka plagosur.
Policia bën me dije se 83-vjeçari është shoqëruar në komisariat.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al