Bajerni kursen 5 milionë euro nga Tuhel, por Hënes e quan katastrofë

Oct 17, 2024 | 22:58
SHPËRNDAJE

Tomas Tuhel ka marrë drejtimin e kombëtares angleze. Ish-trajneri i Bajernit do të nisë mandatin e tij nga data 1 janar. Në Mynih ky lajm po pritet pozitivisht.

henes-tuhel (1)

Bavarezët po kursejnë miliona me punën e re të Tuhel. Mbrëmjen e së martës po qarkullonin raporte të shumta se gjermani do të ishte trajneri i ri i kombëtares angleze. Konfirmimi zyrtar nga Federata Angleze e Futbollit pasoi të mërkurën. Pas 15 vitesh si trajner klubi, ish-“timonieri” i Bajernit merr për herë të parë një përzgjedhje kombëtare.

Shefat në Sabener Strase duhet të jenë të lumtur që Tuhel ka gjetur një punë të re. Sipas informacioneve të “Sky”, 51-vjeçari ishte ende nën kontratë me gjigantët nga Mynihu pas largimit nga klubi në verë. Kjo fillimisht do zgjaste deri më 30 qershor 2025. Me angazhimin e tij si trajner i kombëtares së Anglisë, rekordmenët gjermanë po kursejnë pagën e mbetur të Tuhel. Sipas “BILD”, shuma arrin në gati pesë milionë euro. Uli Hënes ende nuk i pëlqen të kujtojë ditët me Tomas Tuhel.

HËNES E QUAN KATASTROFË – Tuhel ishte trajner i Bajern Mynih nga marsi i vitit 2023 deri në qershor të këtij viti. Megjithatë, ai fitoi vetëm 37 nga një total prej 61 ndeshjesh, me bavarezët që humbën një titull për herë të parë në dymbëdhjetë vjet. Në një takim sekret javën e kaluar në Arenën e Mynihut, Uli Hënes, ndër të tjera, foli me rreth 120 punonjës të klubit.

Sipas informacioneve të “SPORT BILD”, presidenti i nderit u prononcua në “Samitin e Lidershipit”, ku prezantoi idetë e tij, shpjegoi se çfarë do të thotë për të ndjenja tipike “Mia san mia” dhe i dha një “shuplakë” verbale ish-trajnerit në fytyrë. Hënes thuhet të ketë thënë se Tuhel ishte një katastrofë për klubin. Megjithatë, nuk ishte hera e parë që ai sulmonte trajnerin gjerman. Në prill deklaroi se Tuhel nuk ishte i gatshëm të zhvillonte lojtarë të rinj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura