Ballkani nën stuhi reshjesh! DW: Viktima në Bosnje për shkak të shirave e rrëshqitjeve të dheut! Përmbytet Vlora

Oct 5, 2024 | 8:40
SHPËRNDAJE

Stuhi reshjesh kanë goditur Ballkanin Perëndimor e priten të vazhdojnë edhe në fundjavë. Si pasojë e shirave e rrëshqitjeve të dheut në Bosnje-Hercegovinë ka pasur mjaft të vdekur. Edhe në Vlorë pati përmbytje

permbytje bosnje

Pamjet në mediat sociale tregojnë se sa shpejt shirat përmbytën rrugët dhe ndërtesat në mjaft vende në Ballkanin Perëndimor. Situata më e rëndë është në Bosnje-Hercegovinë.  Të paktën 16 vetë kanë vdekur nga përmbytjet e rënda dhe rrëshqitjet e dheut në Bosnje-Hercegovinë. Autoritetet lokale dhe Zyra për Mbrojtjen Civile thonë se numri i saktë i viktimave ende nuk dihet dhe se numri i të vdekurve nga përmbytjet ka gjasa të rritet. Në Bosnje-Hercegovinë më i prekur është një rajon malor rreth 30 kilometra në veri të qytetit të Mostarit. Trupat pa jetë u gjetën në rajonin malor të Jabllanicës, i cili gjendet 70 kilometra në jugperëndim të Sarajevës. Në fotografitë e botuara në mediat lokale duket se prej rrëshqitjeve të dheu u mbuluan mjaft ndërtesa. Nga një xhami dukej vetëm minarja.

“Situata është shumë serioze, shumë njerëz nuk mund të largohen nga banesat”, shkroi kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Niksic në platformën X. Sipas zëdhënësit të qarkut, Darko Jukan, qyteti i Jabllanicës, me një popullsi prej 4,000 banorësh, nuk ka për momentin asnjë lidhje me botën.Qeveria në Bosnje-Hercegovinë krijoi një shtab krize dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Edhe në Shqipëri situata në disa qytete u përkeqësua ditën e djeshme brenda pak minutash. Situata më e rënduar është në Vlorë ku u përmbytën disa lagje, disa rrugë e kryqëzime janë ende të bllokuara. Probleme ka edhe në rrugën lidhëse të autostradës Vlorë-Fier me Transballkaniken.

Shirat mund të pengojnë përpjekjet e skuadrave të shpëtimit

Edhe në Bosnje-Hercegovinë ka probleme me rrugët e bllokuara. Aldin Brasnjic, drejtues i Zyrës për Mbrojtjen Civile të federatës boshnjako-kroate, tha se ekipet e shpëtimit ende nuk kanë arritur të depërtojnë në disa fshatra për shkak të rrugëve të bllokuara. Ai tha se shirat që parashikohen gjatë fundjavës do t’i vështirësojnë përpjekjet e tyre edhe më tej.

Edhe në qytetin Kiseljak, rreth 20 kilometra nga Sarajeva, janë nën ujë shumë shtëpi, kopshte dhe makina, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.

Ndërkohë edhe Kroacia lëshoi ​​një paralajmërim për përmbytje për qytetin bregdetar të Rijekës dhe zonat e brendshme të vendit.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ndryshimet klimatike po i rrisin gjasat, intensitetin dhe kohëzgjatjen e ngjarjeve ekstreme të motit si shirat e rrëmbyeshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura