Bashkë kundër ndotjes së ajrit për të shpëtuar jetë

Oct 11, 2024 | 8:07
SHPËRNDAJE

FIONA MCCLUNEY SILVIO GONZATOFIONA MCCLUNEY
SILVIO GONZATO

*Nga seria “Opinion”, “Ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e mjedisit – koha për të përshpejtuar veprimin e përbashkët’”

Ndotja e ajrit është një shqetësim kritik që rrezikon mjedisin tonë dhe shëndetin publik. Për më tepër është çështje e të drejtave të njeriut që ndikon në mënyrë joproporcionale te komunitetet tona më të cenueshme, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit. Sipas një studimi të UNEP-it të vitit 2021 për Ballkanin Perëndimor, ndotja e ajrit mbetet një sfidë urgjente në të gjithë rajonin. Në Shqipëri, cilësia e ajrit vuan nga efektet e kombinuara të transportit, aktiviteteve industriale dhe ngrohjes së banesave. Ndërkohë, sipas Indeksit të UNICEF-it për Rrezikun Klimatik për Fëmijët 2021, ndotja e ajrit është barra më e madhe shëndetësore për fëmijët nën pesë vjeç në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me 99% të fëmijëve të ekspozuar ndaj niveleve të ndotësve të ajrit, që mund të ndikojnë rëndë në shëndetin dhe zhvillimin e tyre, duke çuar në pasoja të përjetshme. Në qytetet kryesore si Tirana, cilësia e ajrit shpesh i tejkalon nivelet e rekomanduara nga OBSH-ja për substanca të dëmshme si dioksidi i azotit (NO2) dhe grimcat (PM10). Ndërsa Tirana mund të jetë në nivelin më të lartë të ndotjes urbane, rajone të tjera si Elbasani, Fieri dhe Korça janë njësoj të prekura, kryesisht për shkak të emetimeve industriale. Një vlerësim i Agjencisë Evropiane të Mjedisit arriti në përfundimin se ndotja e ajrit në mjedis ka shkaktuar 4.600 vdekje të parakohshme në Shqipëri në vitin 2021.1

Kjo nuk është thjesht statistikë; është një realitet i zymtë që përkthehet në shtim të problemeve të frymëmarrjes, kostove të kujdesit shëndetësor dhe presioneve ndaj shërbimeve publike. Cilësia e keqe e ajrit shkakton dëmtim të zhvillimit kognitiv që çon në performancë të dobët në shkollë.

Pavarësisht performancës relativisht më të mirë të Shqipërisë në krahasim me vendet fqinje, nuk ka vend për vetëkënaqësi. Sistemet e monitorimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri janë të vjetruara dhe shpesh jo të besueshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2018 zbuloi se të dhënave të mbledhura për monitorimin e cilësisë u mungonte rigoroziteti i kërkuar për të frymëzuar politika efektive. Për më tepër, ndonëse është miratuar Direktiva për Cilësinë e Ajrit të Mjedisit, mekanizmat e zbatimit mbeten, për fat të keq, të pamjaftueshëm. Autoritetet shqiptare duhet të trajtojnë urgjentisht mangësitë në rrjetin e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe të sigurojnë që të dhënat të ndahen në mënyrë transparente me publikun. Shqipëria nuk është e vetme në përballjen e kësaj sfide dhe komuniteti ndërkombëtar është këtu për ta mbështetur vendin.

Një qasje e unifikuar që përfshin BEnë, OKB-në dhe palët vendore të interesit është thelbësore. Nismat ndërkombëtare, si Indeksi i UNICEF-it për Rrezikun Klimatik për Fëmijët dhe Manifesti i të Rinjve për Cilësinë e Ajrit dhe Ndryshimet Klimatike, me të rinjtë që kërkojnë të ndërmerren hapa konkretë, ofrojnë korniza thelbësore për veprim. Këto nisma theksojnë nevojën kritike për ndërgjegjësimin dhe edukimin e publikut për cilësinë e ajrit dhe ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në shëndet. BE-ja e shoqëron Shqipërinë në tranzicionin e saj të gjelbër duke mbështetur transportin më efikas dhe miqësor me mjedisin, duke përfshirë edhe rivendosjen e linjave të modernizuara të trenave për qytetarët e saj me rajonin dhe Evropën, si dhe duke financuar sistemin e ardhshëm elektrik të transportit të shpejtë të autobusëve në Tiranë.

Është e rëndësishme që Shqipëria ta forcojë Agjencinë e saj Kombëtare të Mjedisit, të zgjerojë rrjetin e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe të sigurojë që ka burimet dhe ekspertizën e nevojshme për ta monitoruar cilësinë e ajrit në mënyrë efektive, duke përfshirë edhe ngritjen e sistemeve të alarmit për cilësinë e ajrit në shkolla dhe kopshte. Gjithashtu, vlerësimet e rregullta nga Instituti i Shëndetit Publik duhet të bëhen normë, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke ofruar të dhëna në kohë reale për publikun përmes një Indeksi të aksesueshëm të Cilësisë së Ajrit. Mbrojtja, mirëmbajtja dhe rritja e mbulesës urbane dhe peri-urbane të pemëve dhe natyrës mund të ndihmojë për uljen e ekspozimit ndaj ndotjes urbane. Për shembull, pemët përgjatë rrugëve veprojnë si një pengesë fizike, duke reduktuar fluksin e drejtpërdrejtë të ndotësve nga trafiku drejt ndërtesave. Mbulesa e shëndetshme e pemëve dhe e natyrës gjithashtu mund të zvogëlojë gjenerimin dhe ekspozimin ndaj rërës dhe pluhurit në zonat urbane. Bashkimi Evropian do të mbështesë ripyllëzimin dhe menaxhimin e pyjeve në Shqipëri përmes programit të tij “BE për pyjet” që do të nisë vitin e ardhshëm.

Pemët dhe natyra urbane dhe peri-urbane sjellin edhe shumë përfitime të tjera, duke ndihmuar në freskimin e qyteteve dhe reduktimin e ishujve të nxehtësisë, përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të banorëve, zvogëlimin e rrezikut nga përmbytjet, ofrimin e hapësirës për komunitetin, inkurajimin e ecjes dhe çiklizmit, krijimin e vendeve të gjelbra të punës, tërheqin blerësit dhe turistët në rrugët me hije dhe shumë më tepër. Promovimi i lëvizshmërisë së gjelbër, si përdorimi i automjeteve elektrike dhe adoptimi i praktikave të qëndrueshme të biznesit, luan një rol kritik në reduktimin e ndotjes urbane dhe nxitjen e qyteteve më të shëndetshme. Automjetet elektrike prodhojnë zero emetime nga tubat e shkarkimit, duke ulur ndjeshëm nivelet e ndotjes së ajrit në zonat me popullsi të dendur.

Kur kombinohen me planifikim të qëndrueshëm urban dhe modele biznesi që i japin përparësi përgjegjësisë mjedisore, këto përpjekje mund të çojnë në ajër më të pastër dhe hapësira urbane më të jetueshme. Integrimi i lëvizshmërisë së gjelbër me gjelbërimin urban jo vetëm që përmirëson cilësinë e ajrit, por krijon edhe një mjedis më të qëndrueshëm dhe elastik për brezat e ardhshëm. Bashkimi Evropian ka bashkuar forcat me Gjermaninë për të ndërtuar rrjetin e ri të transportit të gjelbër për qytetin e Tiranës, një sistem transporti me autobusë elektrikë me emetim zero që ndihmon ndjeshëm në reduktimin e emetimeve të dëmshme. Ndodhemi në një moment kyç në trajtimin e ndotjes së ajrit në Shqipëri. Shëndeti i fëmijëve dhe e ardhmja e komuniteteve varen nga një angazhim i vendosur për ajër më të pastër. Le të ndërmarrim veprime kolektive tani për të zbatuar politika të fuqishme dhe për të forcuar sistemet e monitorimit, duke siguruar një mjedis më të shëndetshëm për brezat që do të vijnë. Është koha për t’i dhënë përparësi ajrit që thithim dhe për të mbrojtur shëndetin e njerëzve tanë.

*Ky artikull është pjesa e parë e serisë sonë të përbashkët të opinioneve OKB-BE mbi’ Ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit – koha për të përshpejtuar veprimin e përbashkët” nga Ambasadori i BE-së dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri. Dy artikujt e ardhshëm do të përqendrohen te ndryshimet klimatike dhe turizmi i qëndrueshëm.

* Fiona Mccluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së *
Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri

1 https://www.eea.europa.eu/publications/harm-to-human-health-from-air-pollution/table-2

/Gazeta Panorama/ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura