Bashkëpunimi mes Moskës dhe Phenianit, shefi i NATO: Kërcënim jo vetëm për Europën, por edhe për SHBA

Nov 7, 2024 | 20:57
SHPËRNDAJE

Shefi i NATO-s Mark Rutte tha të enjten se bashkëpunimi ushtarak i Koresë së Veriut me Rusinë kundër Ukrainës është një kërcënim që shtrihet përtej Evropës dhe duhet të trajtohet në mënyrë kolektive.

Capture

“Ky rol i Koresë së Veriut në thelb është një shembull se si Kina, Koreja e Veriut, Rusia dhe Irani bashkëpunojnë mes tyre. Ky është gjithnjë e më shumë një kërcënim, jo vetëm për pjesën evropiane të NATO-s, por edhe për Shtetet e Bashkuara, sepse Rusia po furnizon Korenë e Veriut me teknologjinë më të fundit ushtarake në këmbim të ndihmës së Phenianit në luftën kundër Ukrainës”, u tha Rutte gazetarëve përpara takimit me udhëheqësit evropianë në Budapest.

Sekretari Rutte tha se nëse Rusia do të ketë sukses në Ukrainë, ajo do të bëhet më e guximshme dhe e pajisur më mirë, duke paraqitur një kërcënim më të madh në kufirin e NATO-s dhe për Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi i NATO-s tha se mezi pret të diskutojë me anëtarët e administratës së re të zotit Trump mbi mënyrën “kolektive të përballjes me kërcënimet dhe ruajtjen e sigurisë në pjesën tonë të botës”.

Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol tha në një konferencë për shtypin të enjten në Seul se qeveria e tij do të “modifikojë gradualisht strategjinë tonë të mbështetjes në faza” në varësi të nivelit të përfshirjes së Koresë së Veriut në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

“Kjo do të thotë se ne nuk po përjashtojmë mundësinë e ofrimit të armëve”, tha zoti Yoon.

Zyrtarët e Koresë së Jugut dhe ata të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se Koreja e Veriut ka dislokuar më shumë se 10,000 trupa në rajonin e Kurskut në Rusi.

Të mërkurën, ministrat e jashtëm të Grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara të botës, së bashku me Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re, lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur “shqetësimet serioze” mbi “mbështetjen e drejtpërdrejtë të Koresë së Veriut për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.

“Ne dënojmë në termat më të fortë të mundshëm rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, duke përfshirë eksportin e armëve nga Koreja e Veruit dhe prokurimin e paligjshëm të raketave balistike nga Pheniani në kundërshtim me rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe përdorimin e këtyre raketave dhe municioneve nga Rusia kundër Ukrainës”, thanë ministrat, duke paralajmëruar se kjo mund të zgjerojë në mënyrë të rrezikshme konfliktin, që mund të ketë pasoja serioze për Evropën dhe sigurinë në rajonin e Indo-Paqësorit.

Ata shprehën gjithashtu shqetësim serioz për transferimin e mundshëm të teknologjisë bërthamore apo raketore nga Rusia në Korenë e Veriut.

Sulmet me dronë

Zyrtarët ukrainas njoftuan për dëme ndaj ndërtesave të banimit të enjten nga sulmet ruse me dronë.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha përmes një postimi në rrjetin social Telegram se sulmi rus dëmtoi shtëpi dhe ndërtesa banimi në pesë lagje të kryeqytetit ukrainas.

Serhii Popko, kreu i Administratës Ushtarake të qytetit të Kievit, tha se mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi dhjetëra dronë mbi rajonin e Kievit dhe se dy persona u plagosën nga këto sulme.

Në rajonin e Odesës në Ukrainën jugore, guvernatori Oleh Kiper tha të enjten se rënia e mbetjeve të dronëve të rrëzuar dëmtoi disa ndërtesa dhe plagosi një person.

Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit Dnipropetrovskut, njoftoi përmes një postimi në Telegram se nga sulmet ruse me dronë u dëmtuan pesë shtëpi gjatë natës, por nuk pati asnjë të plagosur.

Zyrtarët në Çerkasi, Kherson dhe Mikolaiv thanë gjithashtu të enjten se mbrojtja ajrore rrëzoi dronët rusë në rajonet e tyre.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shkatërroi dy dronë ukrainas mbi Voronezh, ku zyrtarët thanë se nuk pati njoftime për dëme materiale apo viktima.

Një pjesë e të dhënave në këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Agence France-Presse, Reuters dhe The Associated Press./voa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura