Bashkëpunonte me rrjetin e trafikantëve të emigrantëve, GJKKO merr vendimin për ish-efektivin! Agjentët vendosën GPS në çantën e një prej refugjatëve dhe… Si funksiononte skema

Sep 20, 2024 | 12:40
SHPËRNDAJE

GJKKO ka lënë në qeli efektivin e policisë Edmond Braha, i cili u arrestua pasi akuzohet se bashkëpunonte me një rrjet trafikantësh të emigrantëve.

gjkko spak

Edmond Braha kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim për t’u paraqitur. Por, Gjykata e Posaçme e ka rrëzuar duke e lënë pas hekurave.

Vendimi:

  1. Kërkuesi Edmond Braha me datë 20.08.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Verifikimin e nevojave të sigurimit dhe zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” caktuar me vendimin nr.37, datë 10.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”.
  2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenin 246/6 e vijues të K.Pr. Penale, me vendimin Nr. 498, datë 20.09.2024, vendosi:
  3. Shqyrtimin në seancë gjyqësore të informacionit me shkrim, në lidhje me hetimet e kryera, gjendjen e procedimit penal dhe nevojat e sigurimit. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” për kërkuesin Edmond Braha, të caktuar me vendimin me nr.37, datë 10.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  4. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, ose një masë tjetër më të butë, si një kërkesë e pabazuar në ligj dhe në prova.
  5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
  6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Zbardhen rolet e anëtarëve të trafikimit të emigrantëve

Sipas prokurorisë, bëhet me dije se grupi kriminal ku bënin pjesë edhe efektivë të Policisë së Kufirit trafikonin emigrantë nga Bangladeshi, Iraku dhe Pakistani. Në dosje tregohet se kufiri shqiptar është lehtësisht i kalueshëm dhe kjo për shkak të zyrtarëve policor që thyejnë ligjin dhe lejojnë kalimin e paligjshëm.

Në materialin hetimor thuhet se grupi kriminal i kishte role konkrete, ku sipas Prokurorisë së Posaçme, Luan Sulaj mundësonte transportin, Lulzim Lami siguronte kontrata punësimi fiktive, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli dhe Tom Preka ishin organizatorë, ndërsa zyrtarët e policisë Edmond Braha e Altin Hasani ishin garancia për të mos u prekur emigrantët që hynin në vendin tonë.

Sipas SPAK, ata dyshohet se përmes përfitimit të paligjshëm, në dijeni të plotë, lejuan aktivitetin kriminal, aktivitet në gjurmët e të cilit SPAK ra që në fundin e gushtit të vitit të kaluar. Në fakt, operacioni i Prokurorisë së Posaçme vuri në lëvizje Policinë e Shtetit dhe BKH-në për të sjellë në pranga të përfshirët në këtë rrjet kriminal, duke bërë që të kishte jo pak tension brenda radhëve të policisë, për shkak të implikimit të punonjësve të Policisë së Kufirit.

HETIMET

Sipas të dhënave hetimore që dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme në lidhje me rastin në fjalë mësohet se Arba Hysenllari punonjëse e agjencisë së punësimit, ishte në dijeni të aplikimeve për punësim e viza pune, si dhe të aktivitetit kriminal.

Endri Seiti dhe Luan Tafalla organizojnë aktivitetin kriminal, të cilët përmes agjencisë së punësimit “Intercontinental Link”, me ortak dhe administrator Endri Seitin, në bashkëpunim me shoqërinë tregtare “Mags Shoes” të italianit Antonio Spechio, “Gerem Konfeksione” me Xhuljeta Çoben dhe shoqërinë “Konservimi Adritatik” të Artur Matës, kryenin aplikime për leje unike punësimi e më pas aplikime për pajisje me vizë “D”, për punësimin e klandestinëve.

Por, të gjitha ishin fiktive dhe qëllimi ishte që të hynin lirshëm në Shqipëri, dhe më pas të ndiqnin destinacionin final, vendet e Bashkimit Evropian. Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” mbërrinin të huaj që kryesisht ishin nisur nga Dubai. SPAK ka përdorur edhe një pajisje GPS të quajtur “Peakslim” që ia ka vendosur përmes agjentëve në çantë njërit prej pasagjerëve që ka udhëtuar me linjën Dubai-Tiranë, përmes të cilët janë kontrolluar lëvizjet e refugjatëve në disa raste.

Artur Mata rezulton edhe i promovuar në disa media vendase si sipërmarrës që punëson bangladeshas, teksa në pamje shfaqet duke pritur klandestinë, të cilët fotografohen e më pas nis lëvizja e tyre nëpër vendet ku edhe janë vënë kontaktet. Po sipas prokurorëve të çështjes, efektivi Edmond Braha përfundonte porositë e specialistit Altin Hasani. Ky i fundit nuk takohej personalisht në ambiente të hapur me trafikantët, por dërgonte kolegun.

Hasani jepte aprovimin në lidhje me procedurat e pajisjes me vizë të shtetasve të huaj. Braha pasi takonte trafikantët shkonte dhe raportonte tek Hasani. Në një përgjim ambiental, agjentët arrijnë të sigurojnë të dhëna me interes. Po Luan Tafalla flet me kode duke i shpjeguar një personi që ka qenë në banesën e Altin Hasanit dhe ku kanë biseduar rreth shtetasve të huaj.

Në këto biseda kuptohet që në të njëjtin pallat ky ka banesën, ka zyrën edhe bashkëshortja e tij e cila punon pranë OSBE-së dhe takimet realizohen pa mbajtur telefon me vete, fakte të cilat tregojnë për kujdesin e shtuar që personi nën hetim ka për të mos u kapur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura