Bashkimi Evropian shtyn me 6 muaj sanksionet ndaj Rusisë, Kallas: Duhet të paguajnë për dëmin që po shkaktojnë

Jan 27, 2025 | 14:09
SHPËRNDAJE

Bashkimi Evropian ka vendosur të vazhdojë të lërë ende në fuqi për gjashtë muaj të tjerë sanksionet ndaj Rusisë.

kaja kallas

“Ministrat e Jashtëm të BE sapo ranë dakord për të zgjatur përsëri sanksionet ndaj Rusisë,” postoi në mediat sociale Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

“Kjo do të vazhdojë të privojë Moskën nga të ardhurat për të financuar luftën e saj,” tha ajo, ndërsa shtoi se: “Rusia duhet të paguajë për dëmin që po shkakton”.

Sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Moskës skadonin më 31 janar dhe ministrat e jashtëm të BE-së vendosën njëzëri t’i zgjasin ato për gjashtë muaj të tjerë.

Sanksionet përfshijnë të gjitha ndalimet e tregtisë me bazë sektori, si dhe masat që imobilizuan asetet e bankës qendrore të Rusisë.

Fitimet nga asetet e ngrira po përdoren për të financuar një kredi prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, të mbështetur nga G7.

 

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte bërë thirrje fillimisht për konsultime me administratën Trump përpara një vendimi për rinovim.

Por presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se është gati të rrisë presionin ekonomik ndaj Rusisë, për të arritur një marrëveshje paqeje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura