Bashkimi i dy Gjermanive, çfarë ndodhi 34 vite më parë! Roli i Gjykatës Kushtetuese në shtetin demokratik

Oct 2, 2024 | 12:04
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI/ 3 Tetori është dita e festës kombëtare të Republikës Federale Gjermane. Në këtë ditë të shënuar, 34 vjet më parë (3 Tetor 1990) hyri në fuqi e ashtuquajtura Marrëveshja 2 + 4, që do të thotë marrëveshja mes dy Gjermanive dhe katër Fuqive Kryesore Aleate (ShBA, ish-Bashkimi Sovjetik, Britani, dhe Francë), përmes së cilës realizohej plotësisht bashkimi i Gjermanisë së ndarë në dy pjesë pas Luftës së Dytë Botërore. Siç dihet tashmë, procesi i ribashkimit kishte filluar realisht një vit më parë, me shembjen e Murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989.

bashkimi i gjermanise

Festa kombëtare e këtij viti përkon njëkohësisht edhe me 75-vjetorin e miratimit të Ligjit Themelor apo Kushtetutës së Republikës Federale Gjermane (më 23 Maj 1949) si dhe me konstituimin në Bonn më 7 Shtator 1949 të Bundestagut (Parlamentit) të parë demokratik që pason periudhën tepër të vështirë të diktaturës naziste në Gjermani (vitet 1933 – 1945). Pikërisht për këto arsye, në muajt maj – shtator të këtij viti jubilar, në qytete të ndryshme gjermane (kryesisht në Berlin si kryeqyteti i vendit, si dhe ne Bonn, si ish-kryeqyteti i Gjermanisë Federale nga viti 1949 deri në vitin 1999), janë organizuar aktivitete të shumta, si konferenca, bashkëbisedime, ekspozita, botime, e të tjerë, për të gëzuar, kujtuar e vlerësuar me të gjithë njerëzit arritjet dhe sukseset e padiskutueshme të demokracisë parlamentare në Gjermani, rrënjët e së cilës u hodhën të sigurta që në vitin 1949.

Megjithatë, theksi u vu në nevojën për të qenë gjithnjë sa më aktivë në këtë proces, pasi demokracia jeton e zhvillohet vetëm përmes pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve, perspektivave të qarta e angazhimit serioz të rinisë, vitalitetit e kurajës së shoqërisë civile, si dhe frymës së tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe në jetën politike dhe në shoqëri. Me të drejtë është vënë në dukje, gjithashtu, se në këtë proces, një rol mjaft të rëndësishëm ka luajtur dhe luan veçanërisht Gjykata Kushtetuese e vendit. Përmes jurisprudencës së pasur të saj, ajo ka ditur të japë një kontribut tepër të çmuar në Gjermani, sidomos për: respektimin e parimeve kryesore të demokracisë parlamentare; ndarjen dhe balancimin e pushteteve; garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor; rregullimin dhe kontrollin e veprimtarisë së administratës shtetërore në përputhje me ligjin; respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit; mbrojtjen e të drejtave kushtetuese e ligjore të opozitës; garantimin e një procesi politik të hapur e të barabartë për të gjitha partitë politike; e të tjerë.

Megjithatë, është vënë në dukje, gjithashtu, se duke pasur parasysh pikërisht këtë rol të jashtëzakonshëm e tepër delikat që ka Gjykata Kushtetuese në shtetin demokratik, duhen marrë masa sa më efektive për të garantuar sa më mirë integritetin, profesionalizmin dhe pavarësinë e plotë të kësaj Gjykate, në mënyrë që ajo të jetë në gjendje në çdo kohë të përballojë me sukses sfidat e ndryshme, e shpeshherë edhe shumë të vështira, që vënë para saj armiqtë e demokracisë. Për këto arsye, tri partitë parlamentare të koalicionit qeverisës, Partia Socialdemokrate (SPD), Partia e të Gjelbërve (Die Grune) dhe Partia Liberale (FDP) ndërmorën në korrik të këtij viti (2024) nismën për ndryshime të rëndësishme kushtetuese, përmes të cilave synohet kryesisht garantimi i paprekshmërisë së vendit dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese si institucion kushtetues qendror, si dhe mbrojtja edhe më shumë e pavarësisë së saj në vendimmarrje.

Është me shumë rëndësi të theksohet se kësaj nisme iu përgjigj menjëherë edhe grupimi kryesor opozitar në Bundestag, pra koalicioni CDU/CSU (Unioni Kristian Demokrat si dhe Unioni Kristian Social). Përfaqësuesit më të lartë të katër grupeve parlamentare përmendur më sipër u mblodhën në Berlin në fund të korrikut të këtij viti dhe përcaktuan drejtimet kryesore të kësaj reforme kushtetuese. Ndërkaq grupi i ekspertëve duhet të paraqesë brenda këtij muaji (Tetor 2024) projektin konkret të dispozitave që do të ndryshohen apo shtohen, për tu miratuar më pas në Bundestag dhe Bundesrat me një shumicë prej dy të tretave ne secilën prej tyre, ashtu siç kërkon neni 79/2 i Ligjit Themelor. Ky proces duhet të mbarojë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit që vjen. Në çdo rast ai duhet të përmbyllet para zgjedhjeve parlamentare të radhës, që planifikohen të zhvillohen në Gjermani në shtator të vitit 2025.

Në fakt, dy arsyet kryesore për ndërmarrjen e kësaj reforme në Gjermani janë: a) Zhvillimet shqetësuese të viteve të fundit në disa vende europiane, veçanërisht në Hungari e Poloni, ku pas ardhjes në pushtet të forcave të caktuara politike, në emër të reformave, në thelb është synuar për të shtënë në dorë apo kontrolluar me çdo kusht Gjykatat Kushtetuese si dhe në tërësi pushtetin gjyqësor. Në Hungari kjo u bë veçanërisht përmes uljes së moshës së pensionit, për të krijuar kështu sa më shumë vende vakante. Nga ana tjetër, në Poloni, gjatë gjithë periudhës 2015 – 2023 kur në pushtet ishte partia e qendrës së djathtë PiS, u përdorën metoda e mjete të ndryshme për të ndryshuar gjithashtu përbërjen dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. E njëjta gjë është tentuar të bëhet edhe në Izrael dhe në ndonjë vend tjetër demokratik, si dhe b) Rritja galopante në vitin e fundit e elektoratit të partive ekstremiste në Gjermani. Pavarësisht se nuk përmenden me emër, në fakt, bëhet fjalë kryesisht për partinë e të djathtës ekstreme AfD (Alternativa për Gjermaninë) dhe partinë e ekstremit të majtë BSW (Aleanca Sara Wagenknecht), krijuar vetëm pak muaj më parë (me 8 Janar 2024). Mjafton të përmendim se në tri zgjedhjet parlamentare më të fundit në landet gjermane Thyringen, Sachsen dhe Brandenburg zhvilluar respektivisht më 1 Shtator 2024 (Thyringen dhe Sachsen) dhe më 22 Shtator 2024 (Brandenburg), këto dy parti morën respektivisht i)Në Thyringen, AfD mori 32/8 %, duke qenë partia fituese në këtë land (e dyta u rendit CDU me 23,6% , ndërsa SPD, partia e Kancelarit Scholz, mori vetëm 6,1%; ii) Në Sachsen, AfD mori 30,6%, duke qenë e dyta, vetëm 0,6% më pak se CDU që si fituese mori 31,2%. SPD mori këtu vetëm 7,3%. iii) Në Brandenburg, AfD mori 29,2%, duke dalë e dyta, pas SPD që mori 30,9%, ndërsa CDU mori këtu 12,1%. Nga ana tjetër, në të tre zgjedhjet e mësipërme, Partia BSW doli në vendin e tretë, duke marre respektivisht 15,8% (Thyringen); 11,8% (Sachsen) dhe 13,5%(Brandenburg).

Kjo situatë ka krijuar shqetësime tek partitë demokratike tradicionale, të mëdha e të vogla, në Gjermani, aq më tepër që vlerësohet se simpatizantë e përkrahës të këtyre dy partive (AfD dhe BSW) të angazhuar në sistemin e drejtësisë, kanë tentuar që në emër të pavarësisë, të imponojnë vendimmarrjen e tyre në gjykata e prokurori të caktuara, në përputhje me programet e këtyre partive (sipas raportimeve të shtypit periodik, një gjë e tillë ka ndodhur në qytetet Drezden, Berlin, Friburg, Këln, e të tjerë). Po të vazhdohet të ecet kështu, supozohet se AfD dhe BSW, pavarësisht se të ekstremit të kundërt me njëra-tjetrën, një ditë (ndoshta edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen) mund të kenë një rezultat të tillë fitues që do t’u jepte mundësinë të qeverisin në koalicion të përbashkët, ose megjithëse në opozitë, të kenë një numër të konsiderueshëm deputetesh që do t’u lejonte të luajnë rol destruktiv në qeverisjen e vendit.

Ndër të tjera, nëse do të krijonin një shumicë të thjeshtë në të ardhmen në Bundestag, ato mund të ndryshonin edhe ligje të rëndësishme e me vlerë të jashtëzakonshme për vendin, siç mund të ishte edhe ligji mbi organizimin e funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne këto kushte mendohet se ka rëndësi vendimtare sidomos çimentimi i vendit dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese, si garante e zbatimit të Kushtetutës dhe mbrojtjes e zbatimit të parimeve e vlerave më të mira të demokracisë. Prandaj, pikërisht për këto arsye, në kuadër të reformës kushtetuese të ndërmarrë këtë vit, do të propozohen e miratohen jo vetëm disa dispozita të reja kushtetuese, por kryesisht do të transpozohen apo transferohen në nivel kushtetues disa prej dispozitave kryesore ekzistuese të ligjit respektiv mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili gjer tani, si çdo ligj tjetër i zakonshëm në Gjermani, mund të aprovohet apo ndryshohet edhe me një shumicë të thjeshtë të votave në Parlament, ashtu siç është vepruar edhe në Poloni e Hungari. Futja në kushtetutë e kolonave kryesore strukturore të Gjykatës Kushtetuese do të thotë se në çdo rast, ndryshimi apo zëvendësimi i tyre mund të bëhet vetëm përmes garantimit minimalisht të dy të tretës së votave si në Bundestag, ashtu edhe në Bundesrat. Pra praktikisht, në këto raste do të duhet medoemos edhe pëlqimi i opozitës.

Konkretisht, është rënë parimisht dakord që në shtesat, plotësimet e ndryshimet që do iu bëhen neneve 93 e 94 të Ligjit Themelor që i kushtohen Gjykatës Kushtetues, të përfshihen kryesisht këto urdhërime të rëndësishme kushtetuese:

1) Gjykata Kushtetuese do të përbëhet nga 16 gjyqtarë, të ndarë në dy senate me nga 8 gjyqtarë secili. Nuk do lejohet pra shtimi ose zvogëlimi i numrit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Po kështu, nuk do të lejohet prishja e strukturës kryesore të saj me dy senate apo krijimi i senateve të tjera për çështje të caktuara ose me përbërje të caktuar. (Tradicionalisht Senati i Parë merret kryesisht me gjykimin e kërkesave individuale si dhe me kontrollin e përputhshmërisë me Kushtetutën të normave apo ligjeve të caktuara që kontestohen. Quhet ndryshe edhe Senati i të Drejtave Themelore. Senati i Dytë gjykon kryesisht çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin e kompetencave mes Federatës dhe Landeve si dhe mes vetë Organeve Kushtetuese. Quhet ndryshe edhe Senati i Organeve Shtetërore – Shënimi ynë)

2) Mandati i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 12 vjet, pa të drejtë rizgjedhje të menjëhershme apo të mëvonshme. Gjyqtari kushtetues qëndron në detyrë deri në zëvendësimin e tij, respektivisht nga Bundestagu apo Bundesrati. Mandati i gjyqtarit kushtetues ndërpritet edhe përmes daljes së tij në pension në moshën 68 vjeçare.

3) Sipas radhës, gjysma e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese zgjidhet nga Bundestagu dhe gjysma tjetër nga Bundesrati. Në çdo rast, në çdo zgjedhje kërkohet minimalisht dy të treta e votave, respektivisht në Bundestag e Bundesrat. Nëse brenda gjashtë muajve nga mbarimi i një mandati organi respektiv nuk arrin të bëjë zgjedhjen e kandidatit të propozuar, atëherë, kompetenca për ta bërë një gjë të tillë i kalon organit tjetër (pra nga Bundestagu në Bundesrat ose anasjelltas). Siç shihet, përmes këtij rregullimi krijohet një mekanizëm zgjedhor zhbllokues, situata që mund të vijnë për shkak të bllokadave apo qëndrimeve me natyrë politike në këto dy organe qendrore kushtetuese.

4) Rendi i gjykimit të çështjeve nga Gjykata Kushtetuese përcaktohet nga vetë Gjykata. Vetëm ajo ka të drejtë të vlerësojë përparësitë apo urgjencën e kërkesave të caktuara që i paraqiten për gjykim.

5) Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë. Asnjë organ kushtetues apo mekanizëm tjetër shtetëror nuk ka të drejtë të hezitojë, apo të vërë në dyshin zbatimin e këtyre vendimeve.

Këto ishin disa nga risitë kryesore që synon reforma kushtetuese e këtij viti në Gjermani, reformë që përkon edhe me 75-vjetorin e Kushtetutës dhe 75-vjetorin e konstituimit të Parlamentit të parë demokratik të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo reformë është njëkohësisht edhe një dhuratë e bukur e mjaft e rëndësishme për 34-vjetorin e bashkimit të Gjermanisë. Sepse ajo i krijon realisht mundësinë Demokracisë si Formë e Qeverisjes që të mbrohet në çdo kohë nga forcat politike të ekstremit të majtë apo të djathtë si dhe nga qeveritë autokrate e të papërgjegjshme që haptazi apo në mënyrë të kamufluar sulmojnë apo duan të shtien në dorë për interesat e tyre të ngushta e meskine institucionet shtetërore, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, e cila padyshim që duhet të jetë gjithnjë e fortë dhe e pavarur, pasi ligjërisht, pikërisht ajo është mbrojtësja reale e vlerave më të rëndësishme kushtetuese dhe të të drejtave themelore të individit.

(Titulli i autorit: Gjermani – Demokracia ka nevojë gjithnjë për Gjykatë Kushtetuese të fortë e të pavarur)

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura