BE-ja të mos bjerë në gracka rreth mbështetjes publike për anëtarësim të vendeve të reja

Oct 22, 2024 | 7:15
SHPËRNDAJE

auth_Augustin_Palokaj1487143494AUGUSTIN PALOKAJ

Serbia është kandidatja e cila përkëdhelet më së shumti nga BE-ja, e në të cilën ka më së paku mbështetje të qytetarëve për anëtarësim në BE. Pushteti në Serbi, si dhe një pjesë e opozitës, përmes propagandës së pandërprerë kundër Perëndimit, krijojnë opinionin kundër anëtarësimit në BE. Pastaj atë opinion negativ e përdorin për trysni ndaj BE-së që të bëjë lëshime. Dhe në Bruksel menjëherë e marrin parasysh këtë duke thënë se, “nuk duhet të jemi tepër të ashpër ndaj Serbisë, sepse kjo do t’i largojë ata nga BE-ja”. Në anën tjetër, askush as nuk mendon për shqiptarët e Kosovës, të cilët në përqindjen më të madhe mbështesin anëtarësimin në BE.

Shqiptarët në rajonin e Ballkanit Perëndimor në të gjitha shtetet ku jetojnë, pa dyshim janë mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të vendeve të tyre në BE dhe janë grupi etnik me orientimin më të madh properëndimor. Mbështetja për BE-në dhe për NATO-n në mesin e shqiptarëve është aq e madhe, saqë është edhe afër anomalive në matjet e opinionit publik. Në të kaluarën, diplomatët tregonin një anekdotë me një zyrtar të Shqipërisë. Kur e kishin pyetur se “si është e mundur që mbështetja për NATO të jetë 97 për qind”, ai ishte përgjigjur se do të zhvillojnë një fushatë për të bindur edhe këta 3 për qind të tjerë. Sa i përket NATO-s, shqiptarët pak a shumë janë të kënaqur me atë që ka bërë kjo aleancë për ta. Ka ndërhyrë për të çliruar shqiptarët e Kosovës, NATO-ja është në Kosovë për të ruajtur paqen, ndërkohë që Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s. Edhe Maqedonia e Veriut, mes tjerash, edhe falë angazhimit të madh të shqiptarëve të këtij vendi, është bërë anëtare e NATO-s. Rol të rëndësishëm shqiptarët kanë pasur edhe në krijimin e shtetit të pavarur të Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Por BEja nuk ka qenë aq e drejtë dhe korrekte ndaj shqiptarëve.

Është dashur që të kalojnë më shumë se 15 vjet që nga aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE që të hapet kapitulli i parë në negociatat e anëtarësimit. Kosovën, BE-ja nuk e trajton si shtet dhe nuk e ka marrë fare në shqyrtim aplikimin e saj për anëtarësim në BE as pas dy vitesh. Me Kosovën, BEja mban vetëm raporte minimale formale, pa paragjykuar qëndrimin e vendeve anëtare ndaj statusit të saj. Kosova është i vetmi vend në Evropë që ka kërkuar anëtarësim në BE dhe që nuk ka statusin e vendit kandidat. Por përkundër kësaj, dëshpërimi i drejtë i shqiptarëve me BEnë nuk është përkthyer në kundërshtim të BE-së. Niveli i mbështetjes për anëtarësim në BE ka mbetur edhe sot e kësaj dite jashtëzakonisht i madh në mesin e shqiptarëve kudo që jetojnë. Bile mund të thuhet lirisht se për anëtarësim në BE as në vendet e tashme anëtare e as në ato kandidate nuk ka mbështetje të qytetarëve më shumë sesa në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe kjo mbështetje është e sinqertë. Është shprehje e dëshirës, vullnetit dhe synimit strategjik që të bëhen pjesë e familjes Evropiane. Dhe nuk kanë asnjë orientim tjetër.

Dallimi ndoshta me popujt e tjerë në rajon është vetëm se duke qenë mbi 90 për qind pro BE-së, shqiptarët ndoshta janë për një a dy përqindje më shumë edhe pro amerikanë. Dhe në të kaluarën jo rrallë ky proamerikanizëm i shqiptarëve ka krijuar xhelozi në Bruksel. Aq sa kur Kosova u njoh nga Izraeli dhe kur si pjesë e pajtimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapi ambasadën në Jerusalem, BE-ja ishte aq e ashpër në reagime saqë kërcënoi se kjo “do të ketë pasoja serioze në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së”. Më shumë BE-ja shqetësohej për qëndrimet proamerikane të shqiptarëve sesa për qëndrimet proruse të serbëve. Dhe kur SHBA-të vendosën që të sanksionojë Kosovën, në selinë e BE-së me ironi thoshin se “ja çka po u bëjnë miqtë tuaj amerikanë!”. Natyrisht, kur SHBA-të kritikojnë Kosovën, një herë duhet pritur që BE ta bëjë këtë tri herë. Kur BE-ja i vendosi masat ndaj Kosovës, të cilat janë akoma në fuqi, në Bruksel thoshin se “E kanë bërë këtë edhe SHBA-të, edhe Shqipëria”. Por as këto masa nuk i kanë kthyer qytetarët e Kosovës kundër BE-së. Krejt ndryshe është situata në Serbi dhe në pjesën e Bosnjë-Hercegovinës ku jeton shumica serbe. Ata janë më shumë në anën e Rusisë sesa të Perëndimit. Me këtë qëndrim të theksuar prorusë të qytetarëve arsyetohet edhe refuzimi i Serbisë që të mbështesë sanksionet e BEsë ndaj Rusisë.

Duhet të jetë e kuptueshme pse serbët janë aq shumë kundër Perëndimit në përgjithësi dhe BE-së në veçanti. Sepse ata në secilin nivel politik dëgjojnë përditë akuza të rënda ndaj BEsë. Dëgjojnë se si Perëndimi është “hipokrit, sepse ka njohur Kosovën”, se “Perëndimi dëshiron destabilizimin e Serbisë” dhe shumë akuza të tjera. E vetmja temë ku flitet në mënyrë pozitive për BE-në janë investimet dhe mjetet financiare që jep BE-ja dhe vendet anëtare. Serbia është kandidatja e cila përkëdhelet më së shumti nga BE-ja e në të cilën ka më së paku mbështetje të qytetarëve për anëtarësim në BE. Pushteti në Serbi, si dhe një pjesë e opozitës, përmes propagandës së pandërprerë kundër Perëndimit, krijojnë opinionin kundër anëtarësimit në BE. Pastaj atë opinion negativ e përdorin për trysni ndaj BE-së që të bëjë lëshime. Dhe në Bruksel menjëherë e marrin parasysh këtë duke thënë se, “nuk duhet të jemi tepër të ashpër ndaj Serbisë, sepse kjo do t’i largojë ata nga BE-ja”.

Në anën tjetër, askush as nuk mendon për shqiptarët e Kosovës, të cilët në përqindjen më të madhe mbështesin anëtarësimin në BE. Por kjo mbështetje nuk po arrin t’ua zbusë zemrën atyre në BE që marrin vendime dhe Kosova vazhdon të jetë e izoluar dhe e lënë jashtë proceseve formale të integrimit në Bashkimin Evropian. Prandaj kur në BE duan që të arsyetojnë qasjen përkëdhelëse ndaj Serbisë me dëshirën që të rrisin mbështetjen e qytetarëve për anëtarësim, le ta kenë parasysh edhe mbështetjen e madhe që ekziston për BEnë në mesin e shqiptarëve në rajon, sidomos në Kosovë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura