BE: Serbia t’i përmbushë detyrimet e veta, Kosova të themelojë Asociacionin

Oct 31, 2024 | 16:33
SHPËRNDAJE

Bashkimi Evropian i ka rikujtuar Kosovës se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është detyrim ende i papërmbushur, si zotim që ka dalë nga marrëveshja e 2013-s dhe se që atëherë Kosova nuk ka ndërmarrë hapat për themelimin e tij.

BE Kosove

Gazeta KOHA në Kosovë ka adresuar pyetje mbi insistimin që të pranohet draft-statuti i BE-së për Asociacionin.

Pyetur më tej se pse Kosova nuk e ka mundësinë që ta paraqesë draft-statutin e saj, zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Nabila Massrali, ka thënë se statuti duhet të hartohet dhe diskutohet në dialog, e se kjo nënkupton që “çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe BE-në si ndërmjetës dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e viteve 2013-2015”.

Massrali ka sqaruar më tej se në tetor të 2023-s, BE-ja mbështetur nga partnerë si SHBA-ja, prezantoi draft-statutin evropian për Asociacionin bazuar “në modelet dhe praktikat më të mira evropiane”, të cilin e pranuan të dyja palët në parim. Ndërkaq, ka përmendur se kur Këshilli i Evropës në dhjetor 2023 e mbështeti atë draft-statut për të cilin Kosova dhe Serbia kishin paraqitur gatishmëri, ajo ishte “njohje zyrtare e dokumentit nga 27 shtetet anëtare të BE-së”.

“I bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit në përputhje me draftstatutin e BE-së, pa vonesa të mëtejshme. BE-ja rikujton se Marrëveshja për rrugën e normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Serbia pritet të përmbushë obligimet e veta që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën e normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në draftstatutin evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga BE-ja”, ka thënë Massrali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura