Belgjika arrestoi vëllezërit për drogë, bllokohen pronat në Berat

Mar 13, 2014 | 14:11
SHPËRNDAJE

Ndërtesa e bllokuar dje në Berat
BERAT – Bllokohen pasuritë e dy vëllezërve të arrestuar për trafik droge në Belgjikë. Policia e Beratit ka vepruar dje në bazë të ligjit të antimafias, duke shkuar në fshatin Cukalat, ku bllokoi në terren një ndërtesë shumëkatëshe, tokë dhe mjete motorike në pronësi të vëllezërve Riza Mahmutaj (Irakli Zyka), 39 vjeç dhe 33-vjeçarit Egli Zyka. Ata u vunë në pranga dy muaj më parë në shtetin belg, prej nga doli dhe vendimi për të sekuestruar pasuritë e tyre. Mësohet se Policia e Belgjikës i ka kapur dy vëllezërit Zyka me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe armëmbajtjes, si dhe përfshirjen e tyre në aktivitete të tjera kriminale. Burime të Policisë bëjnë të ditur se: “në orën 11:00, në zbatim të urdhrit për ekzekutimin e vendimit penal të datës 28 shkurt të vitit 2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, si dhe bazuar në detyrimet e përcaktuara në ligjin ‘Antimafia’, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të Policisë belge, është ushtruar kontroll në fshatin Cukalat”. Sipas Policisë, dy vëllezërit akuzohen në shtetin belg për kryerjen e veprës penale të “tregtimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim. Veç akuzës së parë, gjatë kontrollit në banesën ku jetonin në Belgjikë, iu gjet dhe sekuestrua drogë dhe armë. Në fshatin Cukalat të Beratit, vëllai i madh, Riza Mahmutaj, kishte nisur të ndërtonte një godinë 3-katëshe. Po në të njëjtën zonë u bllokua dhe një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë tokë. Nën sekuestro u vunë dhe mjetet motorike të të dy vëllezërve, si dhe libreza kursimi e çdo dokument pronësie.

Të bllokuara
• 1 ndërtesë trekatëshe
• 30 mijë m2 tokë
• 1 makinë “Nissan”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura