Belgjikë, kapet banda e 13 grabitësve shqiptarë

Oct 15, 2014 | 13:13
SHPËRNDAJE

Fjorida Ballauri, Adnan Xholi dhe Artan Didi
Prokuroria: Të akuzuarit dërgonin në Shqipëri fitimet e sendet e shtrenjta

Shkodër, sekuestrohen 150 mijë euro e 50 ora të vjedhura

Një grup kriminal i përbërë nga 13 shtetas shqiptarë të akuzuar për dhjetëra grabitje është goditur dje në mënyrë të njëkohshme në Belgjikë dhe në Shqipëri.
Gjatë kontrollit të banesave në Shkodër u gjetën 150 mijë euro e 50 ora të shtrenjta të vjedhura në dyqane, banesa dhe te qytetarë të ndryshëm në Belgjikë. Në pranga kanë rënë 13 persona, ndërsa lajmi është konfirmuar nga shefja e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, Fjorida Ballauri. Në një deklaratë për median së bashku me drejtorin e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme Adnand Xholi dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Artan Didi, Prokuroria bëri me dije rezultatet e aksionit. “Pas një operacioni të gjerë ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe belge, të zhvilluar dje, u arrit të goditet një grup i strukturuar kriminal shqiptarësh që vepronin në Belgjikë, të specializuar në vjedhje dhe grabitje me dhunë”, theksohet në deklaratë. Gjatë veprimeve hetimore të kryera në Shqipëri, Prokuroria njofton se u arrit të gjenden prova dhe fakte të plota, të cilat u shoqëruan me arrestimin e 15 personave, nga të cilët 13 shtetas shqiptarë dhe dy të huaj, që u vunë në pranga në Belgjikë. Sipas Prokurorisë, operacioni është koordinuar ndërmjet dy vendeve dhe ndërhyrja është bërë njëkohësisht mëngjesin e djeshëm në zonën e Shkodrës dhe në qytetin e Luevenit në Belgjikë. Katër ditë më parë, autoritetet belge kanë sjellë në Tiranë një letër-porosi, e cila i është përcjellë Prokurorisë për Krime të Rënda. Kjo e fundit mori leje nga gjykata për ushtrimin e kontrollit në disa banesa dhe ambiente publike në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, të cilat ishin në pronësi të shtetasve të dyshuar për grabitjet në Belgjikë dhe familjarëve të tyre. Në zbatim të urdhrave të gjykatës, forcat e posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontroll në banesat e dyshuara dhe kanë gjetur sasi të mëdha parash, orë të shtrenjta të grabitura në Belgjikë që ishin sjellë më pas në Shqipëri për t’u shitur.

TË ARRESTUAR
1. Besmir Allushi
2. Gentian Sylaj
3. Denis Sylaj
4. Erald Agajçi
5. Leonard Velaj
6. Zamirjan Meti
7. Elis Rroshkodoli
8. Gentiana Burgaj
9. Elis Sylaj
10.Siditian Sylaj
11.Avenir Hasanaj
12.Përparim Isufaj
13.Gledis Agolli
14.Qatip Amal
15.Torosian Edgard

Provat e gjetura në Shkodër
– Rreth 150 mijë euro
në gjendje kesh
– Katër armë
automatike, dy
pistoleta dhe një
pushkë
– Rreth 50 ora të
shtrenjta, si edhe
bizhuteri floriri,
unaza me diamant etj.
– Tri automjete
luksoze dhe
dy motorë

Fitimet e grabitjeve u transferuan në Shqipëri
TIRANE – Anëtarët e grupit kriminal të arrestuar në Belgjikë dyshohet se kryenin vjedhje jashtë Shqipërisë dhe më pas, sendet e vjedhura, me vlera të konsiderueshme, i shisnin ose i trafikonin në Shqipëri. Sipas Prokurorisë, dyshohet se shumat e krijuara nga sendet e vjedhura i dërgonin pranë familjeve të tyre nëpërmjet transfertave me agjencitë e specializuara ose në gjendje kesh. Organi i akuzës ka pohuar dje se nga hetimet ka rezultuar se anëtarët e këtij grupi kanë krijuar pasuri të shumta dhe nga ana tjetër nuk rezultojnë të jenë të punësuar. “Për këtë arsye, ka dyshime të forta se këta persona dhe bashkëpunëtorë të mundshëm të tyre janë të përfshirë në një rrjet të gjerë vjedhjesh, paratë e përfituara nga të cilat i kanë transferuar në Shqipëri”, pohuan burimet zyrtare të organit të akuzës. Sipas Prokurorisë shqiptare mësohet se autoritetet e Belgjikës kanë rreth dy vjet që hetojnë mbi veprimtarinë e këtij grupi të strukturuar kriminal, në kuadër të të cilit dyshohet se këta shtetas kanë kryer veprat penale të vjedhjes, grabitjes me dhunë dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë aktivitetit kriminal grupi prej 13 shqiptarësh dhe dy shtetasish të huaj mësohet se ka kryer dhjetëra grabitje në disa qytete të Belgjikës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura