Beteja për ujin

Aug 22, 2024 | 8:15
SHPËRNDAJE

fatoscocoliFATOS ÇOÇOLI

Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë për burimet ujore për frymë. Kapaciteti aktual i burimeve ujore të ujit të pijshëm të Shqipërisë e tejkalon me mbi 3 herë kërkesën që ka vendi për ujë. E megjithatë, për paradoks, nuk kemi ujë 24 orë në 24 në rubinetat e shtëpive tona! Mirëpo nuk duhet të harrojmë nga vijmë. Për 32 vjet, 1991-2021, cilësia problematike e ujit të pijshëm në pjesën dërrmuese të ujësjellësve bashkiakë i ka detyruar qytetarët ta blejnë ujin që pinë në shumicën e qyteteve tona! Investime të hedhura dëm në të kaluarën nga mungesa e koordinimit bashki-qeveri qendrore, si dhe borxhe të mëdha, në nivele miliona dhe dhjetëra milionë euro, të akumuluara prej vitesh, kanë shtangur dhe atrofizuar institucionet e vjetra të ujësjellës-kanalizimeve.

Nga ana tjetër, mungesa e laboratorëve të duhur për matjen e cilësisë së ujit të rubinetit, apo laboratorë ekzistues pa pajisjet e domosdoshme, si dhe mungesa e një ekspertize të domosdoshme, e cila nuk gjendet në çdo bashki, kontribuuan në profilizimin si tërësisht joefektive të 58 shoqërive aksionere të ujësjellës-kanalizimeve, të ndodhura nën administrimin e plotë të 61 bashkive. Trashëgimia e papërgjegjësisë së shoqërive të vjetra të ujësjellës-kanalizimeve, me antimoralin “Nuk kanë ç’na bëjnë, se pa ujë nuk i lënë dot qytetarët! Jemi të domosdoshëm”, keqadministrimi, indiferenca dhe abuzimi i trashëguar me dekada kanë sjellë që furnizimi me ujë i qytetarëve sot mbart ende probleme të mëdha. Edhe pse sistemi i sotëm i furnizimit me ujë të pijshëm, edhe në sajë të 900 milionë eurove të hedhura nga qeveria qendrore në vitet 2014-2022 prodhon 28 për qind më shumë ujë, nga sa është nevoja për furnizim, shumica e qytetarëve tanë nuk furnizohet 24 orë në 24!

Deri në qershor 2022, më shumë se gjysma e humbjeve nuk ishin teknike, por vetëm pasojë e keqadministrimit dhe e vjedhjes. Përpara kësaj situate, Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës kërkoi që në nëntor 2021 një mendësi të hapur. Nisi takimet dhe konsultimet me të gjitha ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe bashkitë që i menaxhonin. Në maj 2022, pas konsultimeve, në përputhje me Strategjinë Kombëtare 2020-2030 të Menaxhimit të Ujit, kjo ministri nisi reformën e sektorit të ujit, ose ndryshe betejën për ujin. Nga 58 shoqëri aksionere të ujësjellës-kanalizimeve, nën administrimin e plotë të 61 bashkive, shumica me probleme të jashtëzakonshme menaxhimi dhe akumulimi borxhesh, u krijuan 15 shoqëri rajonale, asambletë e të cilave menaxhohen 51 për qind nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe 49 për qind nga bashkitë dhe vetë shoqëritë rajonale. Fakti që qeveria qendrore ka 51 për qind të aksioneve ofron garancinë e furnizimit të këtij malli jetik, ujit, duke respektuar, përmes një pune të përbashkët midis pushtetit vendor dhe atij qendror, autonominë e pushtetit vendor.

Ky i fundit është jo vetëm pjesë aktive e reformës, por edhe po monitoron procesin, duke përcjellë nga afër kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve në bashkitë përkatëse. Që në qershor 2022, 40 bashki të vendit morën vendim për t’u bërë pjesë e reformës në sektorin e uji, të pasuara më vonë nga bashki të tjera. Nga qershori 2022 e deri korrik 2024, reforma në ujësjellës-kanalizime ka ecur më shumë se sa në 32 vitet e fundit të marra së bashku. Shumica e 15 shoqërive rajonale kanë likuiduar faturën korrente të energjisë elektrike (borxhi më i madh i ujësjellësve), madje edhe disa detyrime të vjetra, duke e ulur disi borxhin e trashëguar prej 270 milionë euro (kryesisht, borxh OSHEE-së, plus kamatëvonesat). Gjatë vitit 2023, 12 nga 15 shoqëritë rajonale të krijuara, nuk krijuan detyrime të reja dhe likuiduan një pjesë të detyrimeve të trashëguara. Pjesa e dytë e programit qeveritar të performancës dhe të investimeve në sektorin e ujit, i nisur më 15 mars 2024, quhet Programi Infrastruktura Bashkiake V.

Ky program angazhon 50 milionë euro dhe do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në disa prej qyteteve kryesore të vendit dhe në zonat rurale në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë. Ai financohet nga qeveria gjermane, nëpërmjet bankës së njohur të zhvillimit KfW, nga qeveria zvicerane, përmes SECO, nga Bashkimi Europian dhe nga qeveria shqiptare. Nga ky program po përfitohen 266 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, 17.4 kilometra rrjet i ri kanalizimesh, 14 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim i lidhjeve ekzistuese, si dhe rreth 13 mijë matës të rinj të instaluar uji. Menaxhimi më i mirë i 15 shoqatave rajonale të ujit ka sjellë ndryshime. Më 30 korrik 2024 kishim 4 milionë euro më shumë arkëtime nga shoqatat rajonale, si dhe 7 për qind më pak ujë pa të ardhura, se sa korriku 2023. Pra, më pak humbje dhe abuzim, më pak ujë të pafaturuar. Beteja për ujin 24 orë për qytetarin nuk është fituar akoma, por ajo po avancon./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura