Biblioteka Kombëtare, mbrëmje letrare në ditëlindjen e Kadaresë

Jan 28, 2015 | 12:52
SHPËRNDAJE

Ismail Kadare

Në një atmosferë çmimesh e botimesh, shkrimtari i madh Ismail Kadare feston 79-vjetorin e lindjes. Edhe pse thuajse çdo ditë të vitit mediat vendëse e të huaja shkruajnë për të, dita e lindjes është një tjetër rast për t’iu rikthyer veprës së Kadaresë dhe atë çka ai përfaqëson në kulturën shqiptare.

Institucioni që përkujton sot ditëlindjen e shkrimtarit, është pikërisht Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pegi”. Sipas drejtores së BK Persida Asllani, “përvojat personale dhe profesionale të studiuesve të afirmuar të shkrimtarit, por edhe studiuesve të rinj do të sillen për publikun përmes një bashkëbisedimi të hapur, ku ligjërimi letrar dhe ai për letërsinë do të shkrihen në një homazh dhe urim për ditëlindjen e shkrimtarit”.

 Është menduar që kjo mbrëmje të hapet me një ekspozitë specifike, konceptuar nga sektori i bibliografisë, kushtuar fillimeve dhe disa botimeve të rralla të Ismail Kadaresë. Gjithashtu gjatë këtij takimi do të prezantohet Bibliografia më e fundit kushtuar veprës së autorit nga studiuesja e re Jorina Kryeziu, botuar nga botimet “Pegi” dhe e mbështetur në pasurimin e saj nga sektorë të ndryshëm të BKSH-së.

Në vijim, mësohet se dr. Lili Sula do të trajtojë më konkretisht sfidën bibliografike të këtij botimi. Ndërsa rreth përvojave të ndryshme bibliografike të punës studimore janë ftuar të dëshmojnë edhe pedagogët e Departamentit të Letërsisë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë (UT) si profesor Bashkim Kuçuku dhe dr. Viola Isufaj, që të dy autorë të disa studimeve të rëndë- sishme mbi Kadarenë.

“Profesor Kuçuku do të trajtojë aspekte të punës bibliografike në lidhje me botimet në gjuhë të huaj të Kadaresë, marrëdhënien e ngushtë që krijohet mes studiuesit, kritikut, historianit të letërsisë dhe botimeve të autorit e studimeve ndaj tij, kryesisht në gjuhë të huaj. Viola Isufaj do të sjellë përvojën e saj mbi trajtimin e mitit nga Kadare, por edhe aspekte të perceptimit të tij në leximet e studiuesve të tjerë përmes një shqyrtimi bibliografik”, thotë Asllani.

Ismail Kadare ka lindur më 28 janar 1936. Do të spikaste qysh fëmijë dhe në moshë fare të re do të dallonte ndër emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Për t’u bërë më tej një nga emrat më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore botërore. Është anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, shteti francez e ka nderuar me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Është fitues i çmimit “Man booker International Prize” dhe “Prince of Asturias” për Artet. Prej shumë vitesh, Kadare është një kandidatët më të kuotuar për Çmimin “Nobel” në letërsi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura