“Biri i k*****”- Dëshmia e rrallë e ish të dënuarit politik: Në burgun e Spaçit kishim djalin e tezes së Enver Hoxhës! Para se të vdiste tragjikisht, e pyeta për kushëririn e tij dhe…

Oct 12, 2024 | 7:59
SHPËRNDAJE

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

burgu i spacit enver hoxha

“Ma gëzofshi”!

“Pasi të qorrojmë ty”!

“Me mua ç’patët”?

“Na prishe foletë”!

“Unë”?

“Ti me të tjerët, na vutë dinamitin”!

“S’kemi faj ne”!

“Ç’rëndësi ka, a i shponi ju vrimat”?

“Të detyruar”!

“Mos i bëni”!

“Na kanë shtënë në burg, more”!

“Aty u pafshim! – krra-a-u, krro-krro, krra-a-u”.

“Ç’mallkim i rëndë”!

“Mos pafshi dritë kurrë më! – krra-u, krro-krro, krra-a-u”.

“Kurrë më”?

“Po, kurrë më! – krra-u, krro-krro, krra-a-u”.

“Thojini Alain Poe-së”!

“Ia thamë dikur, tani s’është nevoja, se e kemi mes nesh”!

“Me ju, edhe ai qenka bërë korb”?!

“Ai ka qenë korb me gjallje, o i nxirosur! S’e fliste kot gjuhën tonë! Por edhe ju ashtu do përfundoni, o korbët ju! – krra-a-a-u, krro-krro, kra-a-a-u”! shpesëria u var mbi tokën sterre me sqepa dhe çaponj çapëlyer.

Çova duart i lemerisur. U ndeh reja, u nxi dielli, shkapeti rrufeja, u ça qielli dhe e ndau orbitën midis. Rrufetë zigzage gjarpëruan si gjuhë të zeza harpiesh nga vrimat e piritit dhe shkarkuan mbi horizont, tërë zezonat e ferrit.

Oshtima, bubullima, kërcëllima, gjëmime, rrëzime, shtërzime ndezën rruzullimin me gjuhë të zeza zjarri, bash si karboni, fshikulluan eterin si bishtra kuçedre dhe u plasën me rropamë mbi kodrat e Spaçit, zaptuan vrimat e zeza të piritit dhe u ngucën e u sulën në to, shkallmuan rezistencën e shkëmbit dhe çelën galeri të reja.

“Zona e dytë është këtu”? – gjëmoi një zë.

“Me se mund t’iu shërbej, zotëri”?

“Do përcëlloj krejt malin, me rrufetë shigjetare”!

“Cili qenkeni ju, o gjëmimtar”!?

“Zeus-i-i”! – gjëmimi gjëmoi gjëmëmadh.

“A-ha, të mora për Malon”!

“Për kë the”?

“Malon, tellallin tonë”!

“Kaq i tmerrshëm, na qenka ky Malua”!?

“Shëmbëlleni nga zëri! Pastaj u dija në Olimp, zoti Zeus”!

“Kam qenë dikur, tani ndërrova jatak”!

“Me Malon”?

“Ç’Malo ziu o qyqar, komunistët hipën në Olimp, unë zbrita në Spaç”!

“Më vjen shumë keq”!

“Mos të të vijë hiç”!

“S’i prishet rehati robit, në këtë moshë”!

“Hë jam Perëndi, zotëroj urat e zjarrit”!

“E kam të mësuar në mitologji”!

“E pra, do t’u pjek”!

“Ç’ju kemi bërë vallë”?

“Dikur më vodhët zjarrin, tani më vutë minat”!

“S’kemi faj, ata duan pirit…”!

S’më plas fare, për punët tuaja”!

“S’u plas the”?!

“Po, o të plasshin kokërdhokët…”!

Plasi një rrebesh që ruana zot! Toka u bënë njësh me qiellin. Rrëshekët e zinj kamxhikuan dheun me shi acid dhe pikla fryrë. Nga grykat e galerave vërshuan vrundujt me furi çmendurake dhe qitën ç’gjetën në bark.

Flakën në humnerë shtretër vagonësh me rrotat në hava, kazanë të shformuar e të grisur, shina të gërryera, tubo të shqyera, trupa të kalbur e të shkulur me rrënjë, lopata të ngrëna, kazma të rëna, bishtra të thyer, karton-kapa të shqyer. T’u përzien si ushta mesjetare leva e qysqi të ndryshkura, me kurmet cullak të të dënuarve politikë, lerosur me gjak piriti dhe policët me yllin ngulur në zhapën e ballit.

Gulfa skëterrore u plas mbi faqen karshi dhe mori rrokullimën teposhtë në kolektorin kërmëz që shkumonte, ziente e shtërzonte, gërryente e përpinte, thëthinte e treste në acid sulfurik, gjithë ç’gjeti para. Nga majat me borë zeshkane u vithisën ortekët, përrenjtë gjëmuan me rrapëllima marramendëse, lumenjtë buisën dhe llurba e zezë përpiu gjithësinë.

Globi ndërroi trajtë, u shkul nga tabani lumi, brigjet, lugina, delet e zeza dhe baresha sterrë, sakaq humbën kodrat me pyje të zinj dhe malet me borë zeshkane. U përmbys horizonti dhe u tret panorama, vrimat e piritit mbetën pezull në ajrin ku sterronin si gojë e shqyer kuçedre, gati të gllabëronin dënuarit politikë, bashkë me orbitat dhe galaktikat.

Kataklizëm!

U shkartis bota, globi mbeti skilet, minierat u kacavarën në hiç! Nga ëndrra në zhgjëndërr

“Ruana o Zot”, luta Fuqi plotin, që s’di në më dëgjoi, i zënë me punët qiellore…! Po më dëgjuan shokët.

“Këtu jemi, s’kemi ku vemi”!- përsëriste Havzi Nela, kur policët injorantë ngatërronin numrin dhe na kthenin së dyti në apel.

“Boll na lodhe kryet Smail, e dimë ku jemi”!- ia kthente Esat Kala, sa herë përsëriste tellalli papagallçe kartelistin, kur na ndërronin frontet e punës.

Kurse Xhelal beu ua priste shkurt:

“Nga do Partia”! kur e pyesnin nga vinte.

Pra shokët i dëgjuan proçkat e mia sepse s’kisha ku shkoja, doja s’doja, do vegjetoja në atë shtatëdhjetë centimetrash, që më kish taksur Partia.

“Vajti akshami, or mik”! – më tundi Rizai. – “Do çuar ne doktori ky çun, ce iku nga fiqiri, bre”!

“S’është fillaqia ja pedhja o Xake, s’ka jatro, ja aftos, na muti manas to komunismos”! – ia pati Barba Nashua, gjysma shqip, gjysma greqisht.

“Zona e dytë, brigada e…”!

“Me kë fjalosesh, biro”?

“Me Malon, me malin, me borën, me djallin, me Hadin, me Ferrin, me Zeusin, me Cerberin, me qiellin, me diellin, me lumin, me brigjet, me shtigjet, me shiun, me jugun, me veriun, me rrufetë, me vetëtimat, me korbat, me vrimat, me minjtë, me policët, me Zotin, me…”, – vazhdova përçartjen.

“Mblidh mendjen bir, kokërr gruri është e shkreta dhe fiu…”!

“Shkunde o Zake, ce i ikën dhitë”! – Xhelal beu jepte e merrte, dy shtretër më tutje.

“Lëne mër jahu, të nginjet me hije e lugetër, pa na këtu jena, kur t’i dalë pija flasim”! – sugjeroi Ali Nelku, nga përtej korridorit.

Dëgjoja por s’kuptoja, sepse ato çaste, isha në ajrin me korbat e zinj, flatër më flatër, me Alain Poe-në. Në darkë e mblodha veten, mposhta lodhjen psikologjike e fizike, që më la pleuriti i para do javëve dhe nisa arsyetimin.

“Emërimi u bë fakt, shumë më të sëmurë se unë do rropaten në atë zonë, një më shumë një më pak, s’ngre kandar, neve na konsiderojnë kafshë pune dhe na shpien ku është barra më e rëndë”!

Më lipsej të njihesha me shokët, që do iu bashkëngjitesha të nesërmen. Takova brigadierin, një korçar gërdallë me emrin Mensur, që më tha se në grup isha me Tomorin, (Balliun) që e thërrisnim Tomçe, për ta dalluar nga Allajbeu dhe një dibran.

“Tomçen do ta kesh minator, është nga Çekini i Gramshit, ka një motër të martuar në Berat dhe e ke biçim patrioti” – nisi shpjegimin Mensuri.

“Tomçen e kam mik, po tjetri”?

“Osmani, kushëri me Studentin”.

“Pa emër qenka ky Studenti”?!

“Oh-u-a, s’e njeh Studentin tine”? – bëri të habiturin.

“Jo”! – ia ktheva.

Kur mori të ikte, ktheu mendjen dhe u rrotullua sa i krisën eshtrat si dëng purtekash:

“Ahmeti, mo”! – më pa si tuhaf: – “Gjithë Spaçi i njeh Ahmet dhe Osman Avdinë”?!

“Spaçi mbase i njeh, por unë s’po njoh as veten”! – e ngjatjetova dhe u largova. Në derë sa s’u plasa me Myslimin.

“Për ku me kaq yrysh, byrazer”?

“Për në orizoret kineze”! – shkërbeva Esat Kalën.

“Lërjua Esatit dhe Xhelalit, orizoret, thuamë ç’të ka gjetur”? – këmbënguli serioz.

“Asgjë për t’u shënuar”!

“Pse je shpërqendruar kësisoj”?

“Epo zona e dytë, vëlla”!

“Kurajë, s’je vetëm”!

“S’para ndihem mirë me shëndet”!

“Kush qenka mirë këtu? Një murdallëk jemi të tërë”!

“Natën e mirë”! – dhe bëra të ikja.

“Prit, me kë të kanë caktuar në grup”?

“Me Tomçen dhe kushëririn e një farë student”!

“Tomorin e kemi tonin, ndërsa Osman Avdinë…”?

“Kështu e quajnë më duket”!

“Ai dhe i kushëriri, janë djem florin”! – i mburri piktori.

“Mbase, unë s’i njoh”!

“Kur t’i njohësh, do më japësh të drejtë”! – më uroi natën e mirë dhe bëri për nga banjat.

Atë natë e gdhiva me ëndrra, m’u fanitën vagonë që shtypnin kurme njerëzorë pas armaturës, tavane që shembeshin dhe shtrydhnin fatzinjtë, policë me tela bari, në rripin e pantallonave…!

Kur lajmëruan zgjimin fishkëllimat e gjarpërinjve, pasuar nga zgurra e Malos, mua më kish dalë gjumi me vakt. Iu bashkova gumëzhimave të të transferuarve që kërkonin shokët në ecejaket; banja, çezma, kuzhinë, gjersa mora kalvarin mes mikut të vjetër, Tomçes dhe Osmanit, që e takoja së pari.

Qyfyre burgu

Në bërrylin ku ktheheshe në brigadën e parë, grindeshin dy zhelanë, sa dëgjohej që larg: “Hë mo Veri, si po ju venë punët në Kamboxhia, Laos, Vietnam i Jugut dhe Kore e Veriut”!

“Lermë rehat o Xhelal bej, të kam rixha, unë mezi ngrys ditët e mia, ti më ngatërron me dynjanë”! – i ktheu tjetri me të njëjtin ton.

“Pse ore, kot të ka prurë këtuzë Vekja tynë”!

“Pushti”! – ia pati tjetri.

“Po tinë, ç’na thua mo”? – m’u drejtua kur po kaloja aty pari.

I mbytur në andrallat e mia, s’ia vura veshin, por ai më cyti sërish:

“Fol një llaf, mo t’u mbylltë e mendjes”!

“Ç’të të them o Xhelal bej, s’të përgjigjem dot tash për tash sepse, sa jam nisur për Azi, me t’u kthyer, sosh do të jap xhevap”! – ia pata me thumb.

“Çap ku ka nevojë Partia”! – ia dha të qeshurës me gjithë shpirt: – “Ha- ha-ha”! – njësoj si në Reps dhe iu kthye atij që po kruhej:

“Zike, ai kushua yt, e vlerëson tepër këtë djalkën, e pikasi qysh në Reps, se do bënej kuadër dhe po e çon në zonën e dytë për eksperiencë”!

“Ua-a, ç’na u bë ki Xhelali mo, s’la gjidi pa çërmuar, edepsëzi”! – m’u ankua viktima.

“E paske zënë me Njazinë sot, Xhelal bej”? – e cyti Osmani.

“Punët e mira nisin menatë, o djalë! Pse ore, kot thonë; dielli duket në sabah! Kujt mund t’i besosh më shumë, se djalit të tezes”?

“I biri kurvës”! – ia ktheu flakë për flakë tjetri.

“Hajt mo, tezen tënde po shan:!

Pjesën më të ligë timen!

“E di ç’keni çuna, hidhni këmbët se s’na hyjnë në hesap punët e të tjerëve”! – e ndërpreu Tomçja. U shkëputëm dhe vijuam rrugën drejt vrimave të zeza.

Dy grindavecët, ishin Xhelal beu dhe Njazi Gorica nga Gjirokastra, njëri figurë emblematike në burgjet politike dhe tjetri, me ç’thoshin, djalë tezje i Enver Hoxhës. S’di sa e saktë ishte kjo fabul, por të tillë e përgojonin, madje edhe gjirokastritët: Laver Minxhai dhe Mërkur Babameto, që pranonte edhe vetë, se ish gjak me Enverin.

Sido që me Njaziun s’lidha dot miqësi, ngaqë rrinte i tërhequr, në rastin e vetëm kur munda të flisja shtruar, ia shpreha me takt ç’ka kisha dëgjuar dhe ai pohoi, se ishte e vërtetë. Kur e pyeta se si kish ndodhur të përfundonte në burg djali i tezes së të madhit, m’u shfre me mllef:

“Biri i kurvës, ai s’ngjan as nga fisi i të atit, as nga i s’ëmës, as nga shtati, as nga inati, as nga terbietet, as nga syfetet!”

Natyrisht atëkohë i mora me rezerva, prisja rastin t’i gjeja terezinë, që ta hapja sërish këtë temë, por fatkeqësisht ky shans s’mu dha, sepse Njaziu, do humbte jetën tragjikisht.

Ai punonte në brigadën e mirëmbajtësve, mbase i vetmi privilegj si djalë “teze” i të Madhit, kur të tjerët rropateshin nëpër galeri.

Në shërbimet mbështetëse, caktonin o të moshuar, o të sëmurë me një vandak raporte, o spiunë, që i çonin për relaks pas “shërbimeve” të vyera, o ndonjë individ me suport nga lart.

Njaziu i përkiste kategorisë së fundit, ndonëse të vjetrit e mbanin për burrë me karakter, të pa kompromentuar me Sigurimin dhe me operativin, gjithsesi rrinte i stepur dhe ishte tip i vështirë.

Një ditë, patrioti im, Halim Qejvani shkarkoi vagonin me mineral në himozhën e zonës së tretë, një goxha gur kërceu jashtë spondëve dhe u vithis teposhtë lugut, aq shpejt, sa afër fundit i shëmbëllente flurudhës gjyles. Punëtorët e sipërfaqes, pastronin dherat e depozituara nga rrëketë e një dite më parë, nën rrëzimë. Sido që Halimi vuri ulërimën: “ruhuni, ruhuni”! dhe të gjithë u alarmuan, tragjedia ndodhi.

Guri rrëmbeu edhe gurë të tjerë, në trajektoren çmendurake, sa thuaj po derdhej lumi i skëterrës, furia e ortekut shkëmbor, s’i la mundësi reagimi qyqarit Njazi, një shkëmb iu plas në kokë dhe ia shpërndau trutë, në llurbën e pellgaçeve.

Djali i “tezes” së Njëshit, përfundoi në gropën pa emër, ndërsa Halimit i futën një treshe mbi dënim dhe e mbyllën dosjen me poshtëshënimin:

“…me gjithë instruktazhet e pareshtur dhe këshillat e përhershme për mbrojtjen nga aksidentet në punë, viktima s’u tregua i kujdesshëm, si pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa shkaktari i aksidentit, mori dënimin e merituar. Etj., etj…”!

Shumë mirë mund të përdorej togfjalëshi, aq në modë atëkohë: “Një armik më pak”

Zona e dytë

Shkelja për herë të parë pas gati tetë muajsh, në faqen verilindore të kodrës së Gurth-Spaçit. Më kishte çuar puna gjer te rrëkeja vertikale, matanë vijës që e ndante shpatin, në dy pjesë gati simetrike.

Kur atë mëngjes kalova bërrylin në hundën e dalë, m’u shfaq një panoramë që s’ndryshonte kushedi me atë që shihja përditë, sidoqoftë ishte një horizont i panjohur. Vendi pothuaj gjithaq i zhveshur nga bimësia, do shkurre përcëllake të shpërndara çrregullt mbi sipërfaqen e vithisur, s’gëzonin luksin të bëheshin pemë, nga prezenca e ekstraktit të piritit.

Ca hapa nën rrugë vazhdonte vargu pafund i shtyllave të rrethimit, mbi tri metër i lartë dhe karakollët e rojeve. Cerga e telave gjembaçë, përshkonte rrëzimat dhe honet gjer në një kurriz, ku merrte kthesën nëntëdhjetë gradë dhe ngjitej terma shpatin, për të humbur sysh mbi galerinë e fundit. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura