BIRN: “Kuota gjinore” futet te lista preferenciale me amendament

Jul 26, 2024 | 14:07
SHPËRNDAJE

Kuota gjinore e detyruar me ligj në pjesën e mbyllur të listës së kandidatëve, në 1/3 e kësaj liste, do të aplikohet edhe në pjesën tjetër të saj, pavarësisht se nga kjo pjesë e listës del deputet kandidati që merr më shumë vota. Sipas propozimit, “1 në 3 nga kandidatët fitues nga lista e hapur duhet të jetë grua”.

Seanca-plenare-1140x760

Sipas amendamentit të bërë gjatë seancës plenare, “në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës, një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, sipas numrit të votave që këto të fundit kanë marrë”.

Nisma e firmosur fillimisht nga gratë deputete, Dhurata Çupi nga PD dhe Etilda Gjonaj nga PS, u përkrah nga deputetë të tjerë si dhe nga krerët e dy grupeve të mëdha parlamentare, ai i PS-së Bledi Çuçi dhe ai i PD-së, Gazment Bardhi.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor parashikojnë që një e treta e listës së kandidatëve për deputetë të partive politike të jetë e mbyllur dhe e garantuar nga përzgjedhja e kryetarëve të partive, ndërsa votuesit mund të japin votë preferenciale për pjesën tjetër të listës duke u dhënë mundësinë të zgjidhen në Kuvend me këtë formulë afro 30 për qind të totalit të deputetëve.

Pakti politik u arrit mes dy partive të mëdha pas disa javësh konsultime të mbyllura në një grup të vogël negociatorësh, pasi një komision i posaçëm parlamentar i ngritur për këtë punë dështoi të realizonte këtë reformë./BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura