Nga VALENTINA MADANI
Zef Preçi, ekspert i njohur i ekonomisë, apelon për ndëshkimin e korruspionit të madh, ai që sipas tij përfshin zyrtarët e lartë dhe biznese klientë të qeverisë. Z. Preçi për gazetën “Panorama” apelon për drejtësi të pavarur pasi niveli i lartë i korrupsionit në vend po rrënon jetesën e shqiptarëve. Në një situatë të tillë ai vë theksin te mbikëqyrja e ligjshmërisë, por vëren me shqetësim se qeveria ka shmangur Kuvendin si institucioni që përfaqëson sovranin.
Zef Preçi përmend nismat e qeverisë si amnistia fiskale, apo legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, nga të cilat morën zemër segmente të krimit të organizuar. Z. Preçi shpreh shqetësimin se korrupsioni ka kontribuar gjithashtu në rritjen e mprehtë të pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë që kemi vërejtur në vendin tonë gjatë dekadave të fundit. Korrupsionin dhe humbjen e shpresës për një jetë më të mirë në Shqipëri Preçi i sheh një faktor rëndues në krizën aktuale të braktisjes së vendit.
Z. Preçi, prej kohësh nuk kemi të bëjmë më me nivelet e një korrupsioni të vogël, por tashmë korrupsioni po vishet në mënyrë te koncentruar nga Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave. Sipas jush, ku është burimi i gjithë këtij korrupsioni dhe cilat janë format e tij?
Ashtu si dhe në vende të tjera të rajonit me institucione të dobëta, me shoqëri apatike dhe të frustruar nga pamundësia e sigurimit të mjeteve elementare të jetesës, me një shtresë të biznesit të varur dukshëm nga pushteti, me shoqëri civile të dobët e pa ndonjë influencë të dukshme në komunitet, edhe në vendin tonë korrupsioni është gjerësisht i pranishëm.
Në fakt, disa nga format më të zakonshme të korrupsionit që vihen re në vendin tonë janë: përfitimet e ryshfetit nga zyrtarët publikë, vendimmarrjet qeveritare për projekte të gabuara investimesh, zbatimi diskriminues i ligjeve fiskale dhe vjeljes së taksave, financimi i paligjshëm i partive politike, patronazhimi partiak, mashtrimi elektoral, presioni dhe shantazhi fiskal, deri te grabitja e organizuar e pronës publike dhe të fondeve buxhetore, kryesisht nëpërmjet “ligjeve të porositura”. Është pikërisht kjo formë e fundit, d.m.th. përdorimi i fuqisë së pushtetit dhe mjeteve kushtetuese rregullatore si ligje, vendime, urdhra, etj. si mjete për grabitjen e fondeve buxhetore dhe pasurive publike, përbën shqetësimin kryesor kombëtar dhe ndërkombëtar më të madh të periudhës që po kalojmë. Kjo edhe për faktin se përveç pakësimit të mjeteve financiare të nevojshme për arsimin, shëndetësinë, sigurinë etj., korrupsioni gërryen besimin publik ndaj institucione dhe shërben si gjenerator për nxitjen e braktisjes së vendit, siç edhe po ndodh për fat të keq.
Cilat janë pasojat e tjera të kësaj situate?
Një pasojë tjetër e kësaj situate është edhe deformimi i dukshëm i konkurrencës në tregje, duke sjellë rritjen e çmimeve për konsumatorin, sigurimin e fitimeve të mëdha për ato segmente të sipërmarrjes që janë të lidhura politikisht, të cilat sigurojnë fitime të pamerituara, por edhe që ndikojnë në deformimin për këtë shkak të vullnetit të zgjedhësve përmes parave që penetrojnë kështu në sistemin politik të vendit. Vlen te theksohet se sofistikimi i formave të shfaqjes së korrupsionit, siç rezulton edhe nga rastet e hetuara nga SPAK apo që janë nën shqyrtim nga Gjykata e Posaçme, e ka vështirësuar edhe punën e këtij institucioni, për të mos folur pastaj për vullnetin e dyshimtë politik që shfaq mazhoraca qeverisëse në mbështetje të suksesit të punës së këtij institucioni.
Ndoshta këtu është vendi të themi me gojën plot se kjo është “një çështje e sistemit” tonë që në shumë raste integron të korruptuarit dhe që kështu tenton të korruptojë edhe shoqërinë. Se në fund të fundit, sistemin e përbëjnë njerëzit që përzgjidhen të punojnë në ofrimin e shërbimeve publike duke filluar me përfaqësimin në Kuvend, në qeveri, etj., dhe jo godinat apo zyrat shtetërore.
Aferat korruptive, a po mbulohen për fat të keq edhe me ligje të posaçme që vijnë nga Parlamenti, por që iniciohen qartazi nga qeveria?
Përgatitja e ligjeve të posaçme apo të porositura është diçka që mund të ndodhë edhe në vende të tjera dhe ka të bëjë me përpjekjet e komunitet të biznesit për të siguruar fitime sa më të mëdha duke bashkëpunuar paligjshmërisht me pushtetin e radhës. Por, miratimi “si në Shqipëri” i këtyre ligjeve reflekton largimin e Kuvendit nga roli i tij kushtetues në mbikëqyrjen e ligjshmërisë së aktivitetit të ekzekutivit, d.m.th. në përmbushjen e rolit funksional si përfaqësi e sovranit, siç pëlqen të thirret. Ndërkohë, duket se nevojat e mëdha për burime financiare në përmbushjen e programit të vet politiko-qeverisës e kanë shtyrë qeverinë të eksperimentojë në tërheqjen e kapitalit privat në investimet e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike në formën e partneritetit publik-privat.
Në fakt, ky eksperiment ka rezultuar shumë i kushtueshëm financiarisht dhe me kosto madje edhe për taksapaguesit e gjeneratës së ardhshme; po zbatohet me kontrata afatgjata të njëanshme dhe që mbartin tërë riskun në anën e buxhetit të shtetit apo të sektorit publik, që sigurojnë fitime marramendëse për kompani fantazmë, të përzgjedhura politikisht apo të krijuara posaçërisht dhe me pronësi të dyshimtë apo edhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve të lartë vendimmarrës në kushtet e konfliktit të interesave, etj.
E në këtë proces janë eksponentë të rëndësishëm të qeverisë që shfaqen në pozicione të ndryshme në “gatimin” e kësaj situate që rëndon xhepat e qytetarëve dhe rrënon besimin e tyre ndaj politikës si shërbim publik. Madje, në zbatimin e “ligjit për investimet strategjike” apo nen për tingëllimin joshës të disa politikave të shpallura të viteve të fundit si “amnistia fiskale, e aseteve dhe penale” apo “legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore”, kanë marrë zemër edhe segmente të rëndësishme të krimit të organizuar kombëtare dhe ndërkombëtare dhe vendi ynë mbetet kështu objekt i mbikëqyrjes për shumicën e agjencive ligjzbatuese të vendeve mike.
Shkurt, shqetësimi i sotëm është dhe duhet të jetë korrupsioni i madh, d.m.th. ai lloj korrupsioni që përfshin zyrtare publike dhe biznese kliente të qeverisë dhe që ka të bëjë me shuma të konsiderueshme parash apo kontrata, licenca dhe qira nëpërmjet prokurimit publik për periudha15, 20 apo 25-vjeçare me risk të ulët për përfituesit e tyre të njohur dhe të panjohur.
A po mbrohen zyrtarët e lartë nga gjyqësori lidhur me përgjegjësitë penale, ku është kërkuar hetim sa u përket prokurimeve publike dhe koncesioneve?
Siç dihet, një përkufizim i thjeshtë i abuzimit me pushtetin është keqpërdorimi i pozitës së pushtetit për të përfituar padrejtësisht nga individët, organizatat ose qeveritë. Abuzimet me pushtetin janë përshkruar në mënyrë të ndryshme si krime të “jakave të bardha”, krim ekonomik, korrupsion publik, krim i organizuar, shpërdorim i detyrës shtetërore, etj. Me sa shihet, në këto pak kohë që SPAK është në funksion të plotë, kjo e fundit është edhe forma më e dukshme e abuzimit të zyrtarëve me pushtetin që zotërojnë lidhet ngushtësisht në vendimmarrjet publike për fondet buxhetore, për pasuritë publike, për kontratat koncesionare etj.
Mendoj se asnjë prej nesh nuk duhet të bjerë viktimë e gjyqeve popullore të periudhës së regjimit komunist. D.m.th. parimi i drejtësisë sovjetike të kohës se Wishinsk-it “çojeni njëherë në burg se referencën ligjore të shkeljes e gjejmë më vonë” duhet braktisur qoftë edhe si koncept i rëndomtë. Me këtë dua të them se sipas mendimit tim, i duhet dhënë koha e duhur SPAK-ut që të hetojë sipas ligjit, të dërgojë në gjyq zyrtarë e politikanë sipas ligjit dhe gjykata të dënoje këta të fundit sipas ligjit.
Si ndëshkimi për të justifikuar evidencat e vendit në rrugën e anëtarësimit në BE, apo fondet financiare të institucioneve ndërkombëtare dhe qeverive mike si të BE e SHBA, ashtu edhe revanshi i nxitur politikisht për të “blinduar” vijimësinë e pushtetit të mazhorancës aktuale janë kundër produktive për vendin dhe pengojnë seriozisht ndërtimin e besimit të publikut te drejtësia e reformuar. Gjyqësori shqiptar e bën punën e vet sipas ligjit vetëm nëse institucionet e tjera shtetërore përgjegjëse siç janë entet rregullatore, institucioni i auditit të brendshëm dhe te atij të jashtëm (KLSH) ushtrojnë detyrat e veta dhe bashkëpunojnë në favor të mbrojtjes se interesit publik.
Sa u takon hetimeve në proces në fushën e prokurimeve dhe të koncesioneve edhe një vëzhgues i zakonshëm e vëren lehtësisht se ka njëfarë ngërçi apo ecuri të ngadalshme të çështjeve hetimore në proces që të krijon përshtypjen e njëlloj dorëzimi të kontrolluar të zyrtarëve të lartë apo politikanëve të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive. Personalisht nuk dyshoj në vullnetin e mirë, kapacitetet profesionale dhe në infrastrukturën në ngritje e sipër të prokurorëve dhe gjykatësve të njësisë se Posaçme dhe shpresoj shumë që pa cenuar të drejtat e zyrtarëve të hetuar apo në hetim, të përmbushë rolin e vet kushtetues.
Ndërkaq, një shqetësim që mendoj se meriton të evidencohet në lidhje me ndëshkimin ligjor të abuzimeve në fushën e prokurimeve dhe të koncesioneve është fakti se autoritetet shqiptare, në mjaft raste lejojnë që kompani me pronarë me rekorde kriminale brenda dhe jashtë vendit të përfitojnë nga fondet dhe pasuritë publike.
Po ashtu, edhe vazhdimi i pagesave për shërbime që nuk ofrohen sipas kontratës (siç është p.sh., rasti i kontratës koncesionare të inceneratorit të munguar të Tiranës), apo vonesa në shqyrtimin e rasteve të dhënies së kontratave të tilla koncesionare në shkelje procedurale, kompanive off-shore, etj., nuk justifikon pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë nga drejtësia e reformuar dhe ka ngjallur shqetësim në rritje ndër ta.
A është kjo një lloj politike për të shpopulluar Shqipërinë?
Personalisht, nuk besoj në teoritë konspirative dhe aq më pak në opinionin që shfaqet herë mbas here se qeveria apo eksponentë të rëndësishëm të saj veprojnë qëllimisht për të shpopulluar vendin. Duhet të jemi realistë, cilësia intelektuale në Kuvendin e Shqipërisë, në qeverinë dalë prej tij, por edhe në administratën aktuale të shtetit është shumë larg standardeve të një vendi demokratik dhe që ndodhet në prag të anëtarësimit në BE, d.m.th., predominon paaftësia, mediokriteti, nepotizmi, menaxhimi i interesave të vogla elektorale, ndikimet e lobistëve, bizneseve të mëdha dhe oligarkëve, etj.
htë sfida më e madhe e shoqërisë së sotme shqiptare dhe askujt, aq më pak qeverisë nuk i lejohet që ta relativizojë apo ta anashkaloje këtë fenomen të lidhur ngushtësisht me keqqeverisjen dhe ushtrimin e pushtetit për llogari të një grushti oligarkësh të lidhur me të.
Në këtë mënyrë, korrupsioni ka kontribuar gjithashtu në rritjen e mprehtë të pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë që kemi vërejtur në vendin tonë gjatë dekadave të fundit. Pra, korrupsioni dhe humbja e shpresës për një jetë më të mirë në Shqipëri janë gjithashtu një faktor rëndues në krizën aktuale të braktisjes së vendit.
Kush është instrumenti më i fortë kundër korrupsionit qeveritar?
Përvoja shumëvjeçare e vendeve me sistem funksional e qeverisje demokratike ka treguar se për suksesin e luftës kundër korrupsionit është parakusht respektim i parimit të ndarjes së pushteteve d.m.th., te përgjegjësive në ekzekutiv (qeveria), legjislativ (Kuvendi) dhe gjyqësor.
Sa më demokratike të jenë vendet, aq më të rëndësishme bëhen edhe elemente apo kushtet e tjera si p.sh., pjesëmarrja qytetare në qeverisje, roli i shoqërisë civile në ndërgjegjësimin e qytetarëve, roli grupeve të presionit për të denoncuar aferat e dyshuara qeveritare etj.
Dhe kundërta, nëse vendi ka institucione të dobëta, politizim të thellë të tyre, nënshtrim të shtetit për llogari të mbajtjes së pushtetit, etj., siç është rasti i vendit tonë, ky grup i dytë i faktorëve e humbet peshën dhe rëndësinë e tij. Në këtë mori institucionesh, aktorësh dhe faktorësh, në rastin e vendit tonë, çmoj se themelore mbetet ndarja e pushteteve dhe mbështetja pa rezerva e organeve të drejtësisë në ndëshkimin e korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli që abuzojnë me detyrën shtetërore dhe bashkëpunimit të tyre me oligarkët dhe krimin e organizuar duke cenuar kështu interesat publike.
Çfarë mund ta bëjë të suksesshme këtë betejë?
Për një sukses të luftës kundër korrupsionit në rastin e vendit tonë, mendoj se duhet një shkëputje e mentalitetit dhe praktikës së dëmshme të partive politike për t’u mbështetur në sistemin e ashtuquajtur “patronazhi partiak”. Thelbi i këtij sistemi të ndaluar me ligj në SHBA qysh në vitin 1867 me aktin XXX dhe të rregulluar me ligj mbi shërbimin civil në të gjitha vendet demokratike perëndimore është përdorimi i vendeve të punës në administratën publike dhe jo vetëm (d.m.th. edhe e fondeve buxhetore në dispozicion) si “plaçkë tregu” në duart e eksponentëve të partisë apo të koalicionit fitues të zgjedhjeve administrative apo politike të radhës.
Të jemi të qartë, angazhimi në forcat politike, e drejta e për t‘u angazhuar në to vullnetarisht është ndër të drejtat bazë të njeriut e sanksionuar në Kushtetutën e vendit dhe duhet respektuar si e tillë.
Por në të njëjtën kohë, duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë se angazhimi partiak i një pjese të shoqërisë nuk duhet dhe nuk mund të bazohet në shpërblimin e tyre nga taksat e të gjithë qytetarëve kontribuues në taksa, siç edhe po ndodh aktualisht. Kjo sepse përdorimi i mundësisë së shpërndarjes së vendeve të punës në sektorin publik si kalë beteje në fushatat elektorale ka ushqyer dhe ushqen mediokritetin dhe mungesën e profesionalizmit në ofrimin e shërbimeve publike, ka zbehur debatin politik e publik për alternativa zhvillimore dhe perspektivën e vendit, ka dekurajuar ofrimin në administratën publike të të gjitha niveleve, por sidomos në nivelet e sipërme të saj të të shkolluarve në vendet perëndimore, etj.
Ndërsa më keqja është se ky lloj patronazhimi politik ka krijuar terrenin e nevojshëm për uzurpimin e thuajse të gjitha burimeve financiare të shtetit, të drejtave ekskluzive të tij, pasurive natyrore te vendit, etj. nga elita politike qeverisëse e radhës. Për rrjedhojë jo vetëm është cenuar rëndë konkurrenca në fushën e prokurimeve duke e shndërruar garën në porosi shtetërore apo kontraktim të drejtpërdrejtë (pa garë), por edhe ka zhytur në konflikt të interesit këtë elitë dhe fitues në shumicën e rasteve janë personat e ekspozuar politikisht.
Në të kundërt?
Përndryshe nuk ka se si shpjegohet që në pushtetin lokal dhe në parlament gjen biznesmenë të pagojë që shkojnë aty për të shtuar pasuritë e veta, që bizneset e tyre nuk kontrollohen kurrë nga tatim-taksat si të gjithë të tjerët, që anëtarë të kabinetit vendosin të ndajnë pasuritë publike midis tyre, që qeveria kryen tenderë sekretë edhe për mallra e shërbime krejt të zakonshme, që qeveria paguan “sipas kontratës” për shërbime publike të pakryera siçështë pjesa e pagesës së inceneratorit të munguar të Tiranës, etj.
Studime të ndryshme kanë treguar se vendet më të korruptuara mbledhin më pak taksa, pasi njerëzit paguajnë ryshfet për t’i shmangur ato, duke përfshirë zbrazëtirat e taksave të krijuara në këmbim të ryshfetit. Gjithashtu, kur taksapaguesit besojnë se qeveritë e tyre janë të korruptuara, ata kanë më shumë gjasa të shmangin pagimin e taksave, d.m.th. nuk janë të interesuar t’i paguajnë ato. Për fat të keq, kështu ndodh në vendin tonë prej tri dekadash…
Për suksesin e luftës kundër korrupsionit në vendin tonë kërkohet vullnet politik për të krijuar institucione të forta fiskale që promovojnë integritetin dhe llogaridhënien në të gjithë sektorin publik, një nivel i lartë transparence dhe respektim rigoroz i rekomandimeve i kontrollit të jashtëm (KLSH).
Ndërkaq, kjo luftë lidhet ngushtësisht edhe me ndërmarrjen e reformave për ta trajtuar korrupsionin nga të gjitha aspektet; ndërtimin e një shërbimi civil profesional të bazuar në meritokraci; përdorimin efikas të investimeve të kryera në teknologjinë e informacionit, fokusimin e politikave publike në fushat me rrezik më të lartë të tilla si: prokurimi publik, administrimi i të ardhurave buxhetore dhe menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe ndërtimi i një kontrolli të brendshëm efektiv, bashkëpunimi me vendet fqinje BE dhe SHBA për të luftuar korrupsionin, bashkëpunim me to kundër pastrimit të parave dhe minimizimin e mundësitë për të fshehur paratë me origjinë korrupsionin në vendet ofshore, etj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al