Blerjet online, procedura e re për të tërhequr pakot në postë

Aug 20, 2016 | 22:18
SHPËRNDAJE

Pakot e qytetarëve të porosita në internet, që kanë mbërritur në Doganë para datës 3 gusht, nuk do të taksohen deri në pragun 150 euro. Ndërsa në rast se porosia nëpërmjet postës elektronike është kryer para kësaj date dhe pakoja ka mbërritur pas hyrjes në fuqi të ligjit, qytetarët nuk do të paguajnë TVSH deri në pragun e 22 eurove.

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera
Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, në intervistën dhënë gazetës shpjegoi se pas ndryshimit të ligjit, vetëm data e mbërritjes të kolipostës në dogana do të jetë referenca për llogaritjen e TVSH-së. Lera shpjegoi se si do të jenë procedurat e reja dhe plotësimi i formularit nga posta.

Kur fillon zbatimi i procedurave të reja për blerjet online, si do të veprojnë qytetarët?

Zbatimi i procedurave të reja nis nga dita e hënë. Udhëzimi në fuqi parashikon një deklaratë të thjeshtuar, që duhet të bëjë pritësi i mallit në lidhje me porosinë që bën. Deklarata do të bëhet nga shërbimi postar, pra ne nuk do ta ngarkojmë qytetarin në rast se ai nuk dëshiron të dërgojë deklaratën në shërbimin doganor dhe më pas të marrë porosinë, por këtë do ta kryejë shërbimi postar. Gjithashtu, edhe pagesa e taksimit 22,4 për qind, ku përfshihet TVSH-ja dhe tarifa mesatare e taksës doganore, do të bëhet në shërbimin postar. Pra shërbimi postar do të kontaktojë personin që ka bërë porosinë do të bëjë në emër të tij deklaratën, do t’i arkëtojë shumën përkatëse të duhur dhe më pas do të dorëzojë porosinë. Synimi është një procedurë e thjeshtuar.

Si do të veprohet me pakot që kanë ardhur para datës 3 gusht të hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë?

Vendimi që ka hyrë në fuqi në datën 3 gusht nuk ka fuqi prapavepruese, çka do të thotë që të gjitha kolipostat e ardhura para datës së hyrjes në fuqi të vendimit do të trajtohen sipas vendimit të vjetër, që do të thotë kufiri i pataksueshëm 150 euro. Pas kësaj date, do të aplikohet ndryshimi që kemi sjellë për uljen e pragut të pataksueshëm.

Kufiri kur përjashtohet TVSH-ja për rajonin dhe BE
Kufiri kur përjashtohet
TVSH-ja për rajonin dhe BE

Pra ju po thoni se, në rast se pakoja ka qenë e bllokuar 1 muaj në dogana dhe unë atë e marr para datës 3 gusht do të taksohem mbi vlerën 150 euro?

Po. Nuk do të paguhet taksa deri në 150 euro të vlerës së porosisë, sepse do të merret në konsideratë data e mbërritjes së porosisë në dogana. Për pagesën e taksave do të krahasohet data kur koliposta ka mbërritur ne dogana dhe kur ka hyrë në fuqi ndryshimi i ligjit. Nëse data e mbërritjes së kolipostës është më e hershme se data e hyrjes në fuqi e ligjit, do të respektohet kufiri i mëparshëm. Nëse është e kundërta, do të respektohet kufiri i ri.

Po në rastet kur porosia është bërë para 3 gushtit, por duke qenë në një vend të largët ka mbërritur pas kësaj date, si do të taksohet qytetari?

Në këtë rast taksa do të paguhet mbi vlerën 22 euro të porosisë, pasi siç e theksova edhe më lart, ne do t’i referohemi datës së mbërritjes të kolipostës në dogana dhe jo datës kur porosia është dërguar nëpërmjet e-mailit. Pra, për pagesën e taksave do të krahasohet vetëm data kur koliposta ka mbërritur në dogana dhe kur ka hyrë në fuqi ndryshimi i ligjit.

Kjo vlen edhe për dërgesat personale që vijnë nga jashtë? Si ishin më parë procedurat?

Edhe për dërgesat personale me postë do të zbatohet e njëjta procedurë dhe mënyrë taksimi. Nëse një mall që porositej online, le të themi kushtonte 200 euro, qytetari paraqitej në zyrat e shërbimit postar, plotësohej formulari i deklaratës së thjeshtuar, paguhej në postë detyrimi i taksës, duke u paraqitur vetë qytetari. Por ne u ofrojmë qytetarëve lehtësi në shërbim, ku tashmë plotësimi i formularit do të jetë në përgjegjësi të postës për qytetarin. Pas plotësimit të formularit, qytetari do të hedhë vetëm firmën dhe paraqet dokumentin e identifikimit për tërheqjen e porosisë. Drejtoria e Doganave po diskuton me shërbimin postar për ta shtrirë procedurën e re edhe në rrethe.

A është e vërtetë se ka një bllokim të qëllimshëm të porosive në dogana?

Nuk ka asnjë arsye të ketë bllokim të qëllimshëm të porosive, mbase ka një konfuzion, pasi paraprakisht duhej të ishte bërë një fushatë ndërgjegjësuese dhe një përgatitje nga ana e shërbimit postar dhe atij doganor, në mënyrë që të ishin të përgatitur për këtë proces. Tashmë ne po punojmë për të koordinuar gjithçka më së mirë për ato çka nuk është vepruar para marrjes së vendimit. Gjithashtu dua të sqaroj se në këto raste, Drejtoria e Doganave nuk arkëton tarifa për këtë shërbim, ndërsa nga shërbimi postar tarifat që do të aplikohen do të jetë vendimmarrje e tyre.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura