Një prej protagonistëve kryesor të eventit të madh në boksin profesionist që u mbajt gjatë fundjavës në Durrës, ishte pa diskutim Aleksandër Kallashi.
31- vjeçari shqiptar, i lindur në Fier dhe rezident prej vitesh në Gjermani, regjistroi suksesin e radhës në ringun profesionist, duke arritur një triumf historik, për të bërë të tijtë dy tituj europianë në federatat UBO dhe UBF për peshat e mesme. Kallashi triumfoi ndaj boshnjakut Edis Biberoviç në një duel që zgjati 3 raunde. Boksieri kuqezi tregoi një formë të shkëlqyer, duke e kontrolluar kundërshtarin në të gjitha aspektet, për të merituar fitoren e 11-të në karrierë.
“Ishte një ditë e veçantë për mua, një moment që do ta mbaj mend gjithmonë. Pas shumë mundimi, sakrifice dhe përkushtimi, arrita të realizoj një ëndërr të madhe edhe atë në Shqipërinë time. Ky është vetëm fillimi! Falënderoj ekipin tim, trajnerët dhe të gjithë ata që më mbështetën gjatë gjithë kësaj rrugëtimi. Një falënderim posaçëm shkon edhe për menaxherin tim, Dyli Salihu, me të cilin kam nis këtë rrugëtim 3 vite më parë në boksin profesionist. Gjithashtu dua pa kufi të falënderoj edhe sponsorin ‘Sell mannsboutique’ për çdo gjë që bën për mua”, u shpreh pas fitores Kallashi. Nga ana tjetër edhe menaxheri i tij, Dyli Salihu, thotë se pret shumë nga ky djalosh.
“Kallashi është një djalë fantastik, i cili punon shumë dhe gjithnjë kërkon maksimumin si në stërvitje ashtu edhe në jetën e tij. Me këtë djalë kemi lidhje të veçan pasi së bashku kemi filluar rrugëtimin në boksin profesionist dhe jam shumë i gëzuar që sivjet na u dha rasti të luftojmë për 2 tituj të rëndësishëm ku edhe i fituam. Falënderoi sponsorët dhe të gjithë që na mbështetën që të arrijmë qëllimin. Viti 2025 kam disa plane të bukura me Kallashin, ku ndër to do jenë edhe disa ndeshje në Dubai dhe në Kolumbi, por asnjëherë duke mos harruar planin që të organizojmë edhe një event të madh në Fier, nëse bashkia e këtij vendi dhe kompanitë vendase shprehin interesim”, tha ndër të tjera Salihu.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al