SHKODER- Fermerët e Koplikut protestuan dje për rreth dy orë para pularisë, e cila deri në muajin mars ishte në pronësi të Tom Doshit e Dritan Priftit. Ata akuzojnë pronar- ët e saj se nuk iu kanë shlyer një shumë prej 75 milionë lekësh të rinj, nga shitja e misrit, me të cilën ushqeheshin pulat.
Banorët i bëjnë thirrje shtetit të ndërhyjë për situatën e krijuar, pasi, sipas tyre, vetëm brenda pak kohësh, subjekti ka ndryshuar 5 herë pronar e për rrjedhojë ata ende nuk janë të qartë se kujt duhet t’ia kërkojnë shumën e konsiderueshme, e cila është mbartur në vite. “Po bëjmë 15 muaj që kërkojmë paratë e djersës tonë, por nuk po gjejmë një zgjidhje. Kemi komunikuar edhe me Tom Doshin, i cili ka qenë deri në mars pronar i pularisë. Por ai na ka thënë se nuk na ka asnjë borxh, pasi në periudhën që pularia ishte në pronësi të tij, ne jemi paguar për misrin e shitur.
Ai na ka shpjeguar se duhet t’ia kërkojmë borxhin pronarit para tij. Por ne nuk dimë se ku të përplasemi më për këtë problem. Jemi të paqartë nëse shitja e pularisë është bërë bashkë me borxhet e saj apo se kë duhet të takojmë”, shprehen banorët. Sipas banorëve, së fundmi ata janë njoftuar se pularia është blerë nga një farmacist që jeton në Tiranë.
Për rreth dy orë, 30 banorë nuk lejuan as punonjësit të futeshin në pulari dhe është dashur ndërhyrja e Policisë. Gjokë Pashku, njëri prej fermerëve, u shpreh se “që nga janari 2014, kjo pulari ka ndërruar pronar 5 herë dhe nuk dimë se cilit t’i kërkojmë borxhin e misrit.
AKSIONET E PULARISË
Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi dhe ishministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, kanë shitur aksionet e pularisë së ngritur në qytetin e Koplikut, e njohur me emrin tregtar “Beata”. Sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të biznesit, bie në sy ndryshimi i ortakëve të pularisë “Beata”, më datë 10 mars, të vitit 2015. Deputeti Doshi ia ka shitur aksionet e pularisë kompanisë “Breçani R.O.S.P” me përfaqësues ligjor Fatbardh Breçanin. Doshi i ka dhënë të gjitha aksionet që dispononte, pra 40% kompanisë “Breçani”, duke e kaluar në aksionerin kryesor të firmës.
Në kontratë është caktuar dhe vlera e aksioneve, dhe mësohet se Doshi nga ky transaksion ka marrë 250 mijë euro, për 40% të aksioneve. Ndërkohë që deputeti Dritan Prifti ka dalë fitimtar në këtë histori. Nëpërmjet kompanisë së tij “Premiere Service”, Prifti i ka shitur 20% të aksioneve blerësit Ilir Bisha, me çmimin e 400 mijë eurove. Më ndryshimin e kuotave të aksioneve është emëruar dhe administratori i ri, Velter Dushi. Ndërkohë që ish-administratori, Petrit Maho ka mbajtur 30% të aksioneve. Në këtë kompani, ortaku maxhoritar është bërë “Breçani R.O.S.P”, ndërkohë që aksioneri i dytë është Petrit Maho me 30% të kuotave, Ilir Bisha me 20% dhe Klodjan Mema me 10%.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al