Ditët e para të vitit 2024 kanë sjellë lajmin e trishtueshëm për futbollin botëror: Legjenda e futbollit, Franc Bekenbauer, është ndarë nga jeta sot në moshën 78 vjeçare!
Ish-futbollisti, trajneri e drejtuesi i njohur sportiv gjerman, i cili mbajti për shumë vite nofkën “Kaizeri”, është ndarë nga jeta të dielën, por lajmi u bë zyrtar vetëm sot nga familja e tij me një njoftim që iu shpërnda mediave.
“Është me trishtim të madh që lajmërojmë se burri dhe babai, Franc Bekenbauer, u nda nga jeta paqësisht në gjumë gjatë ditës së djeshme, të dielën, i rrethuar nga familja e tij. Ne ju kërkojmë që të na lejoni ta vajtojmë në qetësi dhe të përmbaheni nga drejtimi i pyetjeve”, shkruhej në njoftimin që u shpërnda për mediat nga familja e ikonës së futbollit botëror.
Bekenbauer cilësohet nga shumëkush si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, Ai ishte kapiteni legjendar i Gjermanisë që u shpall Kampione Bote në vitin 1974, teksa më pas e fitoi atë trofe edhe si një trajner në vitin 1990.
Bekenbauer kishte vite që ishte tërhequr nga jeta publike. Kjo, për shkak të vdekjes së djalit të tij Stefan në vitin 2015 e sidomos pas akuzave për ryshfete që kishte marrë në periudhën kur ai ishte drejtues i Komitetit Organizator të Botërorit 2006.
Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Ai kishte pasur probleme me syrin, më pas një operacion në zemër të shoqëruar nga Parkinsoni dhe demenca e pjesshme. Ai kishte vuajtur shumë vitet e fundit për shkak të këtyre situatave shëndetësore dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë aktivitet publik, për të shmangur prishjen e imazhit që kishte krijuar gjatë një karriere shumë të suksesshme.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al