VETON SURROI
Rrëfimi i një personi të vet muar që duhet t’i dëftojë udhëheqjes për rusët që rrisin territoret e zvogëlojnë popullatën, për gratë e fëmijët palestinezë që fshihen në objekte që çdokush tjetër në botë, pos Izraelit, i quan shkolla, dollarit që zëvendësohet me një fshehtësirë, BE-së që beson në lutje religjioze…
1. Diku si në mjegull më del plaku i rregullt i katit të sipërm të Radio Kishnjevit, të zyrës së palejuar për të gjithë pos tij dhe detyrës së veçantë për të dëgjuar lajmet e stacioneve të huaja dhe për ta përgatitur buletinin e lajmeve, aso me ngjyrë të kuqe, për anëtarët e udhëheqjes së ngushtë komuniste. Plakun do ta ketë parë një shqiptaro-amerikan i mbetur në Kishnjev më shumë ditë se ç’kishte pasur dëshirë – pra më shumë se një – në atë që atij i dukej dimër i madh dhe pamundësi edhe më e madhe për t’u ngrohur në hotel, restorant apo çfarëdo vendi tjetër publik. Ndoshta do të ketë qenë ngrohtësia, ndoshta drita e ndezur në katin e sipërm të Radio Kishnjevit apo rastësia e të qenit në të njëjtën kohë dhe hapësirë, por rrëfyesi i kësaj ngjarjeje e takoi plakun në detyrë dhe të gatshëm të shpjegonte se çka bënte, disa vjet pasi kishte rënë komunizmi dhe mbase disa vjet para se të vinte demokracia. Ai i tregoi rrëfimtarit – këtij shqiptaro-amerikani që, duke punuar për organizata joqeveritare, do të meritonte rrëfim më vete – se vazhdonte të bënte punën e vet. Rrëfimtari e shënoi diku, e bëri edhe tregim. Mua ma rrëfeu një ditë në Prishtinë dhe pas tridhjetë e kusur vjetësh më ra në mend në këtë mjegull, në mjegullën e rirrëfimit në të cilën mbase e vetmja gjë e mbetur prej origjinalit mund të jenë plaku, Radioja dhe detyra e tij e pandërprerë nga ndryshimet.
Tash jam rrëfimtar vetë, pa leje nga autori origjinal i rrëfimit, pa nevojë që t’i mbetem besnik atij e me të drejtë që ta shpie tutje hartuesin e buletinit të kuq të Radio Kishnjevit.
2. Buletini i kuq i ditës së djeshme rrëfeu se:
– Rusia vazhdoi të dërgonte ushtarë në Ukrainë. Plaku nuk po i shënon më numrat e ushtarëve të vrarë; tashmë çdokush që e lexon buletinin e kuq është i mësuar se Rusia ka djem, burra dhe pleq të mjaftueshëm për të dërguar në front, jo edhe aq për të punuar e zhvilluar vendin. Në njëqind vjetët e fundit Rusia ka pasur gjithnjë e më shumë territor e gjithnjë e më pak njerëz për të jetuar në të; ekziston vendosmëria për të ecur drejt sukseseve të reja, më shumë tokë e më pak njerëz mbi të.
-Porti i Odesës do të vazhdojë të jetë i mbyllur. Moldavia nuk ka det, por Odesa është porti i saj. Moldavia mund të mos ketë det, por nuk mund të mos mbetet pa port, sepse atëherë asgjë nuk është më siç ka qenë. Pra, as shteti që nuk ka det por llogarit se ka port.
-Izraeli vazhdoi të bombardonte fëmijët e gratë palestineze në Gazë, ata fëmijë dhe gra që morën guxim të fshihen në shkolla, që, siç dihet, në ecurinë e deritanishme të luftës janë objekte ushtarake. Dhe Izraeli vazhdoi të ndalonte hyrjen e ndihmave humanitare për popullsinë palestineze në Gazën veriore. Banorëve të Gazës veriore që kanë mbetur pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, ushtria izraelite u tha që të shkonin në Gazën jugore, aty ku është e ndaluar hyrja e ndihmës humanitare. Banorëve të Gazës jugore ushtria izraelite u tha që të lëviznin drejt Gazës qendrore, aty ku ndihma humanitare nuk u lejua të hynte.
3. Buletini vazhdon edhe me këto storie:
-Mbahet Samiti i radhës së BRICS. Kina dhe Rusia, nismëtare të kësaj organizate, rishprehën parimin bazë të kësaj organizate, atë të demokracisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Irani rikonfirmoi mbështetjen për demokraci në botë. Në Samit, pos këtyre tri shteteve ithtare të demokracisë, marrin pjesë edhe shtetet ku ka zgjedhje të lira parlamentare, si India, Afrika e Jugut dhe Brazili.
-Sivjet është 80-vjetori i vendosjes së sistemit monetar global Bretton Woods me FMNnë, Bankën Botërore dhe dollarin si valutë shtyllë në tregti botërore. BRICS-i do të propozojë një kriptovalutë për 80 vjetët e ardhshëm. Fjala kripto rrjedh prej “kryptos”, që do të thotë e fshehtë; valutë e fshehtë dhe sistem monetar transparent duke u përpjekur të shkojnë së bashku.
-Moldavia pati referendum për futjen e integrimit në BE si kategori kushtetuese. Gjysma e vendit votoi kundër. Votat “për” të gjysmës tjetër u siguruan në fund nga diaspora.
-Bashkimi Evropian u ka hapur negociata anëtarësimi Ukrainës dhe Moldavisë, shtetet që nuk e kontrollojnë tërësinë e territorit të vet, për më tepër njëri shtet është në luftë. BE-ja i ka dhënë status kandidati Bosnjë-Hercegovinës, një shteti që funksionon në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi. Prejse i ka ofruar Serbisë shpejtësi integrimi në BE, numri i banorëve, të cilët duan që Serbia të hyjë në BE, ka rënë prej gati 70 për qind nën 40 për qind. BE-ja vazhdon me bindjen se, nëse çdokush përsërit publikisht se që të gjithë do të jetojnë në Evropën e bashkuar, këto do të shndërrohen në lutje, e çdo lutje, siç tregojnë religjionet , dëgjohet nga Zoti.
-Qytetarët që më së shumti duan të jenë në BE janë ata të Kosovës. Aq kanë dëshirë për BE dhe BE-ja ka dëshirë për ta, sa brenda njëzet vjetësh mund të ketë më shumë qytetarë të Kosovës në BE se në Kosovë.
-Në SHBA anketat tregojnë se gjysma e votuesve do t’ia japin votën kandidatit që beson se imigrantët haitianë kanë meny të preferuar qentë dhe macet e bashkëqytetarëve të tyre në Springfield, Ohio.
4. Hartuesi i Buletinit të kuq në Kishnjev doli në punë çdo ditë. Kishte bindjen, atëherë kur ra komunizmi, se do të kalonte edhe një kohë e gjatë derisa të vendosej një sistem tjetër stabil, në botë e Moldavi, që do ta zëvendësonte atë që kishte jetuar deri atëherë.
Kur e mbylli Buletinin e mbrëmshëm kishte një lloj kënaqësie të papërcaktuar në shije që jo vetëm se kishte pasur të drejtë, porse do të ketë punë për një kohë të konsiderueshme./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al