Këshilltarët teknikë të Koresë së Veriut kanë mbërritur në qytetin port të Mariupolit të pushtuar nga Rusia, tha një burim ukrainas i sigurisë për CNN.
Qëllimi i vizitës së tyre ishte i paqartë, tha burimi, duke shtuar se ata ishin veshur me uniforma ruse.
Ardhja e tyre zgjeron praninë e aleatit rus përgjatë vijës së frontit, shkruan CNN.
Sakaq burimi tha se trupat e Koresë së Veriut në Mariupol po qendrojnë veçmas nga njësitë ushtarake ruse.
Burimi tha gjithashtu se sulmet e fundit me raketa ukrainase brenda Rusisë kishin shënjestruar një gjeneral të lartë të Koresë së Veriut, por mbeti e paqartë nëse komandanti është vrarë.
Kujtojmë se presidenti Vladimir Putin ka përshkallëzuar kërcënimet e tij ndaj vendeve që lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre për të synuar territorin rus.
Ai tha se Moska ka të drejtë të godasë objektivat ushtarake që u përkasin atyre vendeve.
Paralajmërimi i Putinit erdhi pasi Rusia goditi qytetin ukrainas Dnipro me një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi që mbante koka të shumta.
Ekspertët thanë se ishte hera e parë që një armë e tillë ishte përdorur në luftime.
Putin u shpreh gjithashtu se konflikti rajonal ka marrë “natyrë globale” pasi Ukraina shënjestroi Rusinë këtë javë me raketa të prodhuara në SHBA , MB dhe Francë .
Ndërkaq mendohet se Moska i ka dhënë Koresë së Veriut pajisje të mbrojtjes ajrore dhe raketa anti-ajrore në këmbim të dërgimit të trupave nga Pheniani për të luftuar përkrah ushtarëve rusë, sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare të Koresë së Jugut.
Rusia gjithashtu mendohet të ketë furnizuar Korenë e Veriut me mbi një milion fuçi naftë që nga marsi, sipas një raporti.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al