Burrel, 16-vjeçari plagos dy persona për hakmarrje

May 6, 2011 | 11:22
SHPËRNDAJE
Halit Dedja, babai i vrarë i 16-vjeçarit

Një 16-vjeçar tentoi të vriste për të marrë hakun e vrasjes së të atit, dy xhaxhallarëve dhe gjyshit të tij.Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:30 në mes të qytetit të Burrelit, kur autori i dyshuar, H.Dedja, qëlloi me plumba ndaj një mjeti në të cilin po udhëtonte 48-vjeçari Ismet Kola dhe nipi i tij, Bashkim Dervishi. Adoleshenti dyshohet se do të hakmerrej pesë muaj pasi fisi Kola akuzohet për ekzekutimin e babasë së tij, Halit Deda. Nga policia pohohet se si pasojë e hasmërisë ndërmjet fiseve Kola e Dedja, 16-vjeçarit i janë vrarë edhe dy xhaxhallarët Gëzim e Gazmir Dedja, si dhe gjyshi, Femi Dedja. Për këto vrasje, sipas burimeve të policisë, dyshohet të jetë një pjesëtar i fisit Kola. “Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur ‘Lagjja e Re’, afro 500 metra në perëndim të stadiumit të qytetit”, bëri të ditur policia. Të shtënat me armë shkaktuan panik në Burrel, ndërsa efektivë të policisë mbërritën në vend dhe nisën kërkimet për autorin, i cili dyshohet të jetë djali dhe njëherazi nip i katër viktimave. Dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Burrelit. Mjekët kirurgë thanë se Ismet Kola kishte dy plagë në bark dhe Dervishi një plagë në shpatullën e djathtë. Pas konsultimeve mes tyre, mjekët kërkuan dërgimin e tyre në Spitalin Ushtarak. Mësohet se të plagosurit po udhëtonin nga ish-Agjencia e Udhëtarëve në drejtim të kryqëzimit, kur është qëlluar mbi mjetin e tyre. Policia tha se autori i dyshuar është H.Dedja, 16 vjeç, djali i vetëm i Halit Dedës, i cili u ekzekutua në Tiranë më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Pas ngjarjes, adoleshenti është larguar, ndërsa po punohet për kapjen e tij. Familja Kola, burrat e kësaj shtëpie akuzohet se kanë vrarë tre vëllezër të familjes Dedja dhe babanë e tyre. Ndërkohë, Dedajt akuzohen se kanë vrarë dy vëllezër të Ismet Kolës, Fiqiriu e Mediu, si dhe babanë e tij, Haki Kola. Pikërisht ky serial vrasjesh për hasmëri mendohet të ketë shkaktuar edhe ngjarjen e djeshme, e cila për pak solli dy viktima të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura