NGA FATOS ÇOÇOLI
Buxheti rekord i shtetit për vitin 2025, i përgatitur nga qeveria, do të jetë 600 milionë euro më i madh se ai i këtij viti. Në fakt, kur ke vite në rritje të ekonomisë, sikurse janë vitet pas vitit të pandemisë 2020, është e kuptueshme që çdo vit buxheti do të jetë rekord, pra më i madh. Ajo që ka rëndësi themelore kur sheh një buxhet shteti, njëlloj si një buxhet familjar, është se ku i çon shpenzimet dhe çfarë bën me të ardhurat shtesë. Buxheti për vitin 2025 do të jetë 8.2 miliardë euro, ndërsa qeveria planifikon të mbledhë rreth 7.5 miliardë euro, ose gjysmë miliardi euro më shumë se këtë vit. Investimet publike shkojnë në 1.3 miliardë euro ose 6.1 për qind e prodhimit kombëtar, duke u shtuar me 327 milionë euro më shumë se ky vit.
Buxheti kërkon të garantojë një rritje ekonomike rreth 4 për qind për vitin e ardhshëm. Objektivi qeveritar është 3.9 për qind rritje ekonomike, ose 0.4 për qind më shumë se parashikimi i Bankës Botërore. Qeveria do të marrë eurobondin e shtatë prej 650 milionë euro, edhe pse koha për të dalë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për një hua të re është sfiduese, ngaqë përqindjet e interesit janë ende të larta. Por si vend na duhet të marrim hua për zhvillim. Edhe pse eurobondi i ri e ka një kosto jo të vogël, nuk mund të tkurrim gjasat për rritje të ekonomisë së vendit, vetëm pse po marrim borxh të ri. Eurobondi i ri që do të emetohet (borxhi i ri që do të merret) do të jetë me afat të gjatë maturimi.
Nga qeveria do të synohet të merret deri në 15 vjet, në mënyrë që norma e interesit të jetë e ulët, e favorshme për ne, duke i shërbyer nevojave të vendit. Duke qenë se pas uljes së inflacionit kudo në Evropë, bankat qendrore po lehtësojnë politikat e tyre monetare, duke ulur normat bazë të interesit, borxhi vitin e ardhshëm mund të merret me një kosto më të ulët se ai i marrë vjet. Megjithatë, situata në tregjet e huaja të kapitalit ende nuk është e qëndrueshme. Nëse emetohet vitin e ardhshëm, do të jetë eurobondi i shtatë që vendi ynë merr në tregjet e huaja. Deri tani kemi marrë në tregjet e huaja gjashtë eurobonde me vlerë 3.2 miliardë euro. Në vitin 2010 u emetua eurobondi i parë prej 300 milionë eurosh, me normë interesi 7.5 për qind. Ishte dhe norma më e lartë e interesit që kemi marrë deri tani. Në vitin 2015 morëm eurobondin e dytë prej 450 milionë euro, me normë interesi 4.75 për qind. Më tej, në vitin 2018 morëm borxh 500 milionë euro me interes 3.5 për qind. Ishte eurobondi i tretë. Në vitet 2020 dhe 2021 emetuam dy eurobonde prej 650 milionë euro secili, me interesa 3.5 për qind dhe 3.7 për qind. Eurobondi i gjashtë dhe i fundit ishte ai i vitit 2023, me vlerë 600 milionë euro dhe interes 5.9 për qind. Nga ana tjetër, me të ardhurat që i shpreson në shtim të fortë, projektbuxheti 2025 projekton uljen më tej të borxhit publik, pavarësisht marrjes së eurobondit të shtatë.
Ulja me gati 0.7 për qind e prodhimit kombëtar, ose 178 milionë euro, është ulje jo e vogël për një vend si i yni. Jep edhe një mesazh qetësues për huadhënësit tanë të huaj, se dimë të shlyejmë në kohë dhe të ulim borxhet që marrim. Nga ana tjetër, buxheti i vitit 2025 ka pritshmëri të larta që t’i përgjigjet edhe sfidës së rritjes së pensioneve dhe reformës së re të skemës së pensioneve, të paralajmëruar nga qeveria. Kjo reformë do të shpallet në fund të këtij viti dhe do të nisë zbatimin gjatë vitit 2025. Shifrat e projektbuxhetit 2025 nuk e pasqyrojnë këtë vëmendje të sotme të qeverise ndaj shtimit të pensioneve. Në buxhet janë planifikuar për vitin e ardhshëm vetëm 16 milionë euro për indeksimin e pensioneve dhe 37 milionë euro për shpërblimin e fundvitit. Projektbuxheti duhet të bëjë të qartë që, në rast të shtimit të të ardhurave përtej planit të qeverisë, e gjitha kjo shtesë duhet të shkojë për rritjen e pensioneve të ulëta dhe arritjen brenda vitit 2025 të objektivit, që pensioni minimal të bëhet 150 mijë lekë të vjetra në muaj dhe jo 100 mijë lekë të vjetra sa është tani. Projektbuxheti jep 899 milionë euro për të 61 bashkitë, ose 13.2 për qind fonde më shumë se ky vit. Janë 119 milionë euro më shumë për pushtetin vendor, nga sa po jepen këtë vit.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al