Buxheti i bujqësisë që vulos fatin e saj!

Nov 12, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA PROF. EDMOND PANARITI edmond-panariti

Me një rritje më pak se 5 për qind krahasuar me fondet e një viti më parë (vetëm 673 milionë lekë) dhe në kushtet e ndërprerjes së financimit nga fondet e Bashkimit Evropian, bujqësia do të vazhdojë të garantojë rrudhjen e saj të mëtejshme. Bujqësia në vitin e kaluar shënoi një rënie me 0,69 për qind, ndërkohë që ekonomia shënoi një rritje me 3,5 për qind. Këtë vit bilanci është edhe më i rëndë. Të mos harrojmë që buxheti në letër prej rreth 150 milionë euro, nga të cilat subvencione rreth 72 milionë euro, vetëm në 1/3 destinohet si pagesë e drejtpërdrejtë për fermerin dhe përpunuesit, pra më pak se 30 milionë euro. Pjesa tjetër shkon për shpenzime joprodhuese, si kosto administrimi, pagesa personeli etj.. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka raport të përmbysur negativ për financimin e Bujqësisë. Për çdo 1 euro pagesë për fermerët, shpenzohen 3 euro për shpenzime joprodhuese. Nga mosfinancimi, vetëm në një hark kohor prej 5 vitesh, blegtoria u përgjysmua nga rreth 490 mijë lopë në vitin 2017, në 263 mijë këtë vit.

Të njëjtin fat ka pësuar edhe blegtoria e imët, delet dhe dhitë. Shqipëria ka më shumë se pesë vite që importon qengja e keca nga Rumania dhe Maqedonia e Veriut, pavarësisht kushteve të përsosura të relievit dhe atyre klimatike për të mbarështuar dele dhe dhi si dhe të një tradite shumëshekullore në këtë drejtim. Bujqësia shqiptare po rrudhet edhe aty ku ajo ka përparësi krahasuese në krahasim me fqinjët dhe më gjerë. Kështu, importi i frutave dhe i perimeve për vitin 2024 u rrit me rreth 46 për qind në krahasim me një vit më parë. Vendi nuk arriti të “kapitalizonte” me rritje të prodhimit vendës, kërkesën e madhe për konsum nga flukset e shtuara të turistëve. Kështu, paratë e tyre u shpenzuan kryesisht për blerje të prodhimeve si fruta dhe perime jashtë vendi, në vend që të mbështetnin prodhimin vendas…. Në vitin 2017 për herë të parë eksportet e frutave dhe të perimeve i kapërcyen me 14 për qind importet e tyre, por nuk kaloi asnjë vit dhe raporti u përmbys.

Nëse do të hedhim një vështrim në tregjet e frutave dhe zarzavateve, do të shohim një dominim të plotë të importeve. Kështu, karota e Lushnjës dhe e Divjakës, është zëvendësuar nga ajo e Kretës. Rrushi vjen nga Moldavia dhe Maqedonia e Veriut, portokallet, limonët, qepët, patatet, mollët nga Turqia, Greqia, Italia dhe deri Argjentina. Edhe kreditimi i Bujqësisë është në minimum historik, më pak se 1 për qind dhe e ashtuquajtura garanci sovrane nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë. Perveç mosfinancimit, prodhimi bujqësor vendës shtypet nga një regjim fiskal “mizor”. Prodhimi bujqësor vendës ngarkohet me një Tatim mbi Vlerën e Shtuar prej 20 për qind, i cili që prej vitit 2017 nuk rimbursohet, ndërkohë që fqinjët e kanë këtë tatim mesatarisht në masën 5 për qind. Kjo është një konkurrencë shtypëse dhe e pamëshirshme, që e nxjerr prodhimin vendës jashtë loje.

Shqipëria madje nuk shfrytëzon as prerogativat që rrjedhin nga marrëveshja mbi tregtinë e lirë, ku në aneksin “anti dumping measures” ndalohet importi i prodhimeve bujqësore nga jashtë kur ato subvencionohen në origjinë dhe konkurrojnë në mënyrë të parregullt dhe të pandershme prodhimin vendës. Në këtë mënyrë, vendi po kthehet në një pikë fundore shkarkimi të mbetjeve dhe mbi prodhimit ushqimor të botës. Shtuar këtu që edhe një sistem kontrolli analitik ushqimor, i paralizuar bën që prodhime jocilësore dhe të falsifikuara të depërtojnë në tregje. Nga mungesa konkurruese, në treg e prodhimit vendas, edhe pikat e grumbullimit dhe fabrika e përpunimit po kthehen në magazina lende të parë të importit.

Kjo është më e theksuar të fabrikat e përpunimit qumështit. Pragjet diskriminuese të financimit të blegtorisë, ku duhet të kesh mbi 10 lopë dhe mbi 100 dele e dhi për të aplikuar për para, po e rrudhin edhe më shumë blegtorinë vendëse. Sipas FAO-s, 65 për qind e fermave të lopëve në Shqipëri kanë më pak se 10 lopë. Kjo do të thotë se 65 për qind e blegtorisë përjashtohet nga financimi. Pa katërfishim të buxhetit dhe pa lehtësim me katër herë të barrës tatimore, që përbën ofertën programore të Partisë së Lirisë, bujqësia nuk rimëkëmbet. Me një buxhet “mjeran” të 2025 dhe me një ngarkesë tatimore të pashembullt, bujqësia tashmë e ka të vulosur fatin e saj!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura