XHEVAT MUSTAFA
Gjatë afro 83 viteve të sajesës e gjallesës, PKSH-PPSH-PSSH i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve shumëfish më tepër të këqija se sa të mira! Faktet për këtë të vërtetë janë të shumta. E para dhe më shprehësja: mbetja e Shqipërisë ndër të fundit në Evropë e botë për treguesit e zhvillimit modern, për nivelet e pagave dhe pensioneve, për mirëqenie; për shtet ligjor e social funksional; për demokratizim të përjetueshëm… si dhe ndër të parat për shumë të këqija! Pa menduar edhe se PDSH, gjatë 33 viteve të saj e sidomos gjatë 13 viteve në qeverisje, është “e pamëkatë”, si foshnjat që po lindin tani nëpër maternitete si dhe pa besuar aspak se 67 vjet janë baras me 13, nga lista e gjatë e “mëkateve” dhe krimeve të PKSH-PPSH-PSSH, po rendis disa prej tyre:
-Krijimi i PKSH-së, më 8 nëntor 1941, duke pasur si “mami” të dërguarit e PKJsë e të Josif Broz Titos në Shqipëri, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha.
– Vënia në krye të PKSH-së e Enver Hoxhës, një shkollëmesëm (me diplomë të Liceut Francez të Korçës); njeri pervers dhe lehtë kuptueshëm nga veprimet e mëvonshme, i rekrutuar nga UDB qysh në Montpelier në Francë, ku nisi e nuk bitisi në universitet as të gjitha provimet e vitit të parë!
– Anulimi, sipas urdhrit për Enver Hoxhën nga “vëllezërit” apo padronët jugosllavë të tij, i Marrëveshjes së Mukjes mes PKSH dhe krerëve të “Ballit Kombëtar” e forcave të tjera nacionaliste, për luftë të armatosur të përbashkët kundër pushtuesve italianë, ashtu si dhe më parë e vendimeve të Konferencës së Pezës (16 shtator 1942) e më vonë të Konferencës së Bujanit (2 janar 1944)!
– Nisja dhe çuarja deri në fund, me marrjen e pushtetit nga PKSH e luftës civile apo ndërshqiptare…, me më shumë viktima nga armë në duar shqiptarësh se sa ushtarësh pushtues!
– Pas 29 nëntorit 1944, shndërrimi de facto i PKSH- së në një degë të PKJ-së e të Shqipërisë në republikë të shtatë të Jugosllavisë… u bë fakt shprehës edhe me “dhurimin Jugosllavisë motër” falas apo me çmime shumë të ulëta të sasirave të mëdha mallrash ushqimore, veshmbathjesh, lëndësh minerare, nafte…, kur shkatërrimet e luftës dhe varfëria ishin të skajshme dhe masive!? Për më keq: deri nga mesi i vitit 1948 nga goja dhe dora e Enver Hoxhës i janë bërë “shokut Tito” disa kërkesa për “pranimin e Shqipërisë në gjirin e Jugosllavisë…”, nënkuptueshëm duke i falur asaj edhe Kosovën.
– Pas “prishjes” së “motërsisë” me Jugosllavinë e tij, nëpërmjet vetë Enver Hoxhës e më vonë, Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë…, UDB kishte ndikim të fortë në krye të PKSH-PPSH-së, në Shqipëri, deri në “vendosjen e gurëve të saj të shahut” në radhët e KQ e të Byrosë Politike të PKSHPPSH-PSSH… si dhe në institucionet më të larta të shtetit e të qeverisjes.
– Grabitja e pronave dhe pasurive të familjeve të mëdha, nëpërmjet shtetëzimit dhe konfiskimit të dhunshëm dhe presionet shumëformëshe për t’i bërë bij e bija të tyre shërbëtorë apo spiunë në shërbim të diktaturës, solli zhveshjen dhe varfërimin e shumicës së shqiptarëve edhe nga pronat dhe pronësia; edhe nga liria, drejtësia, demokracia, besa, ndershmëria…!?
– Fushata inkuizicioniste kundër fesë më 1967, i zhveshi shumicën e shqiptarëve edhe nga besimi dhe morali fetar, duke u detyruar të nderonin si Zot, Enver Hoxhën sa qe gjallë.
– Izolimi tërësor i Shqipërisë, sidomos ndaj vendeve kapitaliste të Perëndimit, triskëtimi e tollonizimi masiv e afatgjatë; shndërrimi i Shqipërisë në një ferr tokësor për shumicën e popullit; kolektivizimi dhe tufëzimi tërësor i fshatit… ishin hapur në interes të Jugosllavisë, Greqisë…!
– Ndalimi për rreth 46 vjet i pluralizmit politik, i shtetit ligjor, drejtësisë së vërtetë; politizimi ekstrem e absurd i arsimit, kulturës, shkencës; vrasja, burgosja, internimi me gjyqe formale i rreth 1.000 shkencëtarëve, inxhinierëve, ushtarakëve, shkrimtarëve, artistëve…, plot prej tyre të diplomuar në universitete prestigjioze perëndimore e më shumti bij e bija nga familje të mëdha nacionaliste dhe zëvendësimi i tyre me shkollëpakët, me partiakë fanatikë e me mangësi të shumta në formim e moral, e bënë Shqipërinë vend unikal për diktaturë totale e çnjerëzore!
-Hapja e ambasadave në Tiranë, më 2 korrik 1990, për mijëra qytetarë të Shqipërisë, në të njëjtën ditë kur në Prishtinë, me iniciativën dhe kryesimin e Ibrahim Rugovës, shpallej Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte një ndihmë e hapur nga Ramiz Alia dhe PSSH për Milosheviçin dhe shtetin jugosllav, që të arrinin zhvendosjen e vëmendjes së opinionit ndërkombëtar nga Prishtina në Tiranë!
– Lejimi i vonshëm, në dhjetor 1990 i pluralizmit dhe krijimit të PD-së, me skenarin për të futur, sidomos në drejtimin e saj, të sa më shumë “kuajve dhe pelave” të Bllokut, të sigurimit, Sorosit… “kishte si qëllim kryesor manipulimin e opinionit vendas e ndërkombëtar për kalim nga diktatura në demokraci si dhe për të qenë PD më tepër garniturë pluralizmi allashqiptar…
– “E majta”, PSSH, është autore dhe regjisore e kundërrevolucionit bolshevikoenveristo-mafioz-greko-serb…, më 1997, në bashkëpunim të hapur me banda kriminale shqiptare e nga vende fqinj… Së bashku me “schock terapinë”, edhe ideja dhe praktika e firmave piramidale ishin “dhurata” nga kreu i lobit grek në SHBA, Nicolalas Gage për klasën politike shqiptare në fazën foshnjore të pluralizmit, fatkeqësisht pranuar me naivitet apo eufori nga PD-Berisha! Kështu iu dhurua “të majtës shqiptare” sebepi dhe mundësia që për disa mijëra e miliona lekë të vjetra të humbura në firmat piramidale, jo rastësisht në masë me stafe ishsigurimsa, ish-ushtarakë, ish-aparatçikë partiakë dhe pushtetarë nga koha e diktaturës, të ngrinte në kryengritje të armatosur apo “kundërrevolucion” turma masive popullore, kryesisht në Vlorë e në bastione të tjerë të enverizmit…! Për rimarrjen e pushtetit politik nga PS-ja u dëmtuan rëndë ekonomia, ushtria, pasuritë dhe imazhi i vendit, shteti dhe normaliteti qeverisës. Por, më e rënda, u shkaktuan edhe mijëra viktima nga duar dhe armë shqiptare…!
– Emërimi dhe mbështetja masive 11- vjeçare, për interesa partiake dhe përfitimesh personale e familjare, si kryeministër i Edi Ramës, një njeri me mangësi e probleme të shumëllojshme dhe për më tepër me një profesion të papërshtatshëm për këtë post të lartë si dhe i njohur edhe si një nga “kukullat më të dashura” të Xhorxh Sorosit në Ballkan e Evropë.
– Ideimi dhe pranimi nga kryeministri Edi Rama i Marrëveshjes “Open Ballkan”(“Ballkani i Hapur”) dhe qenia e tij një shtyllë kryesore e saj, përmbajnë apo shprehin favorizim të Serbisë në qëllimet dhe planet e saj ndaj Kosovës si dhe një thikë pas shpine nga qeveria e Shqipërisë për shtetin e saj. Mbështetja nga kryeministri e qëndrimeve favorizuese për Serbinë dhe e masave ndëshkuese për Kosovën nga BE dhe DASH, kryesisht për inate personale ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, shpreh SHQIP “nëpërkëmbje” të interesave kombëtare e mbivlerësim të atyre ngushtësisht rajonalë…!?
– “E majta”, individualisht dhe institucionalisht Edi Rama, në këta 11 vjet ia kanë arritur ta lënë këtë vend pa pozitë (PS) dhe opozitë (PD), pa sindikata të fuqishme e të pavarura, pa popull, pa rini, pa drejtësi, pas shtet ligjor e social funksional…, pa perspektivë të sigurt daljeje nga humnera!
– Ruajtja e nostalgjisë ndaj antishqiptarit dhe diktatorit të tërbuar Enver Hoxha dhe për sistemin e tij, sidomos në bastionet e “të majtës” në ish-Zonën e Parë Operative të LANÇL e në disa krahina të Shqipërisë së Mesme e të Veriut; ruajtja pa u ndëshkuar dhe favorizimi i kontingjentit masiv të ish-partiakëve, ish-zyrtarëve, ish-igurimsave të gjase komunizmo-socializmit për të rrëmbyer pushtetin ekonomik, i ka siguruar PKSH-PPSH-PSSH një “ushtri jetëgjatë votuesish” në rreth 25-30% e përcaktuese për rezultatet përfundimtare në betejat elektorale.
– Si rrjedhojë e papunësisë, varfërisë, mungesës së perspektivës e të meritokracisë, emigracionit masiv, sidomos të moshave të reja e të kontingjenteve me arsim të lartë e profesione të kërkuara, popullsia e Shqipërisë në këta 33 vjet,(20 vjet PS, 13 PD) është katandisur në afro 1.5 milionë vetë më pak se më 1990 e rreth 750 mijë vetë më pak se më 2013, shumica e të cilëve me bindje e votë djathtas…!? Për më keq, mes shumicës së të mbeturve në Shqipëri, gjenden me bollëk pensionistë, që mezi mbajnë në këmbë vitet, lypsa rrugësh e lokalesh, rrëmihësa së bashku me minjtë, nëpër kosha plehrash; të droguar e trafikantë drogash, vrasës, shitëse trupi e nderi…! Pas këtyre fakteve mund të shtrohen disa pyetje: “e majta shqiptare”, “PKSHPPSH-PSSH”, kryesisht në parulla e fjalime kongresesh… e jo me vepra, është vërtetë shqiptare e kombëtare apo më shumë ballkanike dhe internacionaliste, globalisto-sorosianiste…? Sociale e humane apo individualiste, deri në pandjeshmëri njerëzore e kombëtare…? A i ke mbetur akoma ndonjë “dozë” socialiste dhe shqiptarie…? / Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al