Çdo politikë për të mbajtur njerëzit tanë!

Oct 22, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

fatoscocoliFATOS ÇOÇOLI

Sipas Bankës Botërore në raportin e saj të fundit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të publikuar më 16 tetor 2024, ekonomia e Shqipërisë po rritet, varfëria po ulet, investimet po shtohen dhe turizmi po zhvillohet shpejt. Banka Botërore pret që ekonomia jonë gjatë këtij viti të rritet me 3.3 për qind, e shtyrë nga turizmi që shtohet me dy shifra edhe këtë vit. Ekonomistët e vendit mendojnë se rritja ekonomike mund të jetë edhe më e madhe këtë vit, ndoshta edhe 3.7 për qind. Por prapë kjo shtesë në prodhimin kombëtar nuk ngroh njeri ndër 1.3 milionë shqiptarët me të ardhura pranë varfërisë, të pakta ose modeste te ne.

Ne na duhet një rritje ekonomike të paktën 5 për qind çdo vit, që ndikimi zemërdhënës të ndihet te këto kategori të popullsisë që përbëjnë edhe shumicën e atyre që kanë ngelur te ne. Banka Botërore thotë se sfida më e madhe e Shqipërisë është rënia e popullsisë dhe emigrimi. Kështu duhet ta shikojmë edhe ne. Duhet të investojmë jo vetëm që të sjellim sa më shumë vizitorë të huaj në vend, por sidomos dhe kryesisht tashmë, që të mbajmë njerëzit tanë të interesuar të punojnë këtu. Si dhe të kthejmë një pjesë të atyre që na kanë ikur. Vërtet na kanë ikur në këta 24 vite emigracion të fortë 1.6 milionë qytetarë, por sipas shifrave të Bankës Botërore, na janë kthyer në dy dekadat e fundit rreth 245 mijë emigrantë. Sipas raportit të saj të 16 tetorit 2024, te ne, nga viti 2001 deri në vitin 2011 rreth 140,000 emigrantë u kthyen në vend. Ndërsa në periudhën 2012-2023 janë kthyer edhe 108 mijë të tjerë. Për këtë vit flitet për një ritëm të shtuar të emigrantëve të kthyer, për të hapur biznese pranë shtëpive ose pronave të tyre të lëna pa zhvilluar për dekada.

Programi “Paketa e Maleve” duhet të mos vonojë një ditë që të publikohet, pasi emigrantët më të shumtë i kemi nga zonat më të pazhvilluara dhe malore të vendit. Duhet të dyfishojmë me çdo politikë të mundshme shifrat e rikthimit të emigrantëve dhe për këtë duhet të mendojmë dhe punojmë natë e ditë që nga tani. Kryeministri bën shumë mirë kur shqipton apel për një të tretën e punonjësve të turizmit në Greqi, që janë shqiptarë(vendi fqinj ka mbi 243 mijë punonjës me kohë të plotë në këtë sektor), që një pjesë të kthehen në atdhe, se këtu mund të fitojnë po aq, në mos më shumë, në turizmin tonë. Ne duhet të zbatojmë qasjen e zgjuar të Irlandës në vitet 1990-2010, kur nisi të fuqizohej dhe zhvillohej. Për më tepër, derisa sa arritëm të sjellim në Rinas një irlandez, pronar i një kompanie evropiane fluturimesh me kosto të ulët dhe shumë të fuqishme e me emër.

Ky irlandez ia doli nga tetori i vitit të kaluar, që brenda një viti të kthejë Rinasin në aeroportin me biletat më të lira në botë, sipas gazetës së mirënjohur italiane “Corriere della Sera”, në një shkrim-investigim të saj të datës 24 maj 2024. (https:// www.corriere.it/economia/consumi/24_maggio_13/biglietti-low-cost-sfida-ryanair-wizz-air-acolpi-di-sconti-in-albania-ma-l-obiettivo-e-il-suditalia-4fb4f225-37b6-4a12-977fdbbebf67cxlk.shtml). Ne duhet të shikojmë edhe vendimet e qeverisë së Irlandës nga vitit 1982 e deri në fund të shekullit të kaluar, që jepnin nga 50-60 mijë dollarë për çdo irlandez që kthehej në atdhe dhe hapte një biznes të vetin. Ne japim sot 500 mijë lekë ose 5 mijë euro për çdo biznes të vogël të hapur nga emigrantët tanë të kthyer në atdhe. Është shumë pak. Duhet të paktën ta dyfishojmë menjëherë këtë shumë.

Zhvillimi ynë në dhjetë vitet e ardhshme duhet të jetë jo vetëm nën vulën e turizmit të shpenzimeve të pakta të qytetarëve evropianë, që i sheh në byrektoret dhe dyqanet tona të bukës në çdo orë të ditës, por edhe nën dritën dhe shpresën e madhe të mbajtjes së ekspertëve tanë me çdo kusht dhe çmim në vend. Si dhe nën vulën e politikave të përkushtuara për rikthimin e gjysmë milionë emigrantëve tanë me dije të pasura aty ku i kanë fituar, me një ritëm 50 mijë syresh çdo vit. Atë që bëri me shumë sukses Irlanda e braktisur dhe gati bosh e viteve 1975-1995, që brenda një 15-vjeçari 1996-2010 arriti jo vetëm të mbushej, por edhe të kthehej në një nga vendet më të zhvilluara të Evropës. Irlanda kishte edhe fondet e Bashkimit Evropian si vend anëtar që është, por e nisi nga tri aeroportet e saj të Diasporës.

Ne po e nisim mirë me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, që do të jetë në funksionim nga viti i ardhshëm. Ne do ta kemi shumë më vështirë se Irlanda, por është rruga e vetme për t’u rritur dhe për të pasur një të ardhme, përtej turizmit të evropianëve që duan të shpenzojnë tek ne pak në pak ditë. Ne duhet të vazhdojmë shumë fort me programe mbështetje dhe nxitjeje të specialistëve tanë për të qëndruar këtu, por edhe të ekspertëve emigrantë për t’u kthyer dhe ndërtuar një të ardhme në atdhe. Kemi shembuj të mirë që duhet t’i nxisim shumë në të gjitha mediat sociale që mundemi, por që ende janë të pakët, si dallëndyshet e para të pranverës./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura