Ç’do t’i thosha prof. Apetreit në Bukuresht, për Antologjinë e Poezisë Shqipe?!

Jul 7, 2023 | 10:30
SHPËRNDAJE

Nga KRISTO MËRTIRI KRISTO-MËRTIRI-120x90

22 vite më parë, ashtu refugjat fatgremisur në një bodrum të Pireut, zemra ime e zhgënjyer po dallgëzonte më tepër se dallgët e Egjeut. Megjithëse kisha dhënë dorëheqjen nga puna gati njëvjeçare pas Luftës e Fitores në Kosovë (ish ministria e Informacionit dhe në Kryeministri) pa pikë buje e zhurme, një lëmsh ankthi, zemërimi e pse jo revolte rebelimi po më pushtonte vetiu. Vazhdoja të kërkoja me këmbëngulje takim me Kryeministrin. Letrën me një paragraf fare të shkurtër, ku citova edhe një përgjigje të mikut tim Dritëro një natë para largimit, as që e begenisi njeri. Nuk e konceptoj dot ndryshe sot e kësaj dite : Të punosh pranë Kryetarit të Qeverisë dhe të mos takohesh dot asnjëherë me të (edhe kur e kërkon me gojë e me shkrim!), për mua është paradoks i hidhur. Aq më tepër që nuk vija nga istikamet e xhunglës së Administratës shtetërore. Dikur në gazetë kisha mbuluar edhe problemet e pushtetit lokal e qendror. Dhe flisnim shpesh edhe për takimet e drejtuesve me popullin në fshat e qytet, me ditë e orare të caktuara dhe problemet që ngriheshin sqaroheshin ose zgjidheshin në kohë. Mehmurët e cdo kohe që as ngrohin e as ftohin dhe pehlivanët e kurrizshtruarit gojëkycur para cdo eprori(sot sikur i gjen më me shumicë e më arrogantë), në sytë e hallexhinjve tashmë duken si të përjetshëm e shkëmbinj të palëvizshëm. Këta pëlcasin edhe gurin ! Gënjejnë, sorollatin e mashtrojnë haptasi qytetarët e ndershëm e pa “shpatulla të ngrohta”, që kanë ende besim te Shteti i së Drejtës ! Dhe gurët i ha Qeveria me në krye Ramën. Gotën e durimit që po derdhej dhimbshëm,e provova vetë. Dhe mërmërija dy vargje të De Radës :”Ah, moj zemër, më mirë plac !/ Se sa të heqësh vec adhap”. Dhe një ditë maji, ajo plasi. Mu në Tiranën time të mërguar…

Jo rastësisht e bëra këtë hyrje të shkurtër dhe me ndonjë notë dramatike. Bisedën e gjatë me Dritëronë në shtëpinë e tij, infarkti e stopoi në diktofon. E botova në tetor, në ditëlindjen e tij. Në Greqi dhe në Shqipëri. Poeti dhe miku im e mori vesh vonë se c’farë kishte ngjarë me mua. Dhe u trondit jo pak… Do operohesha në Bukuresht ! Falë interesimit dhe alarmit të vëllait të madh. Megjithëse Leonard Solis u tregua menjëherë i gatshëm për të ndihmuar edhe gjetkë. Mirënjohje atij njeriu tepër humanitar e burrëror leskoviqar ! Por pse i hedh këto shënime sot, pas leximit të lajmit të gëzuar se në Rumani është botuar një Antologji dinjitoze e Poezisë Shqipe, përgatitur me seriozitet e dashuri mëmëdhetare nga intelektualët e mirënjohur Renata e Luan Topciu ?

…U operova në Spitalin “Iliesku”, nga kirurgu darartë Iliesku. Nuk mund të mos kujtoja ish Presidentin, Iliesku. Një trekëndësh i pashlyer në memorien time. Ndiehej pakëz varfëria “lindore”. Por ama aspak mungesën e rregullit e anarshinë, zhurmën a papastërtinë dhe ishte i prekshëm kujdesi në cdo cast dhe fjala e ëmbël me zë të ulët e tërë personelit në klinikën e kardiokirurgjisë . Gjatë orareve të takimit me të sëmurët, të afërmit e tyre rumunë zinin radhën pa fjalë përballë dyerve të hapura kanat më kanat. Qetësi që rrallë e kam ndeshur, vecanërisht në spitalet e vendit tim. Nuk hynte asnjë në pavion, pa dalë Kryeinfermierja me krahun e shtrirë nga qytetari që duhej të hynte për vizitë. Dhe pa shtrënguar fort a përplasur ndonjë derë që mund të “prishte” rregullin e kthyer në mënyrë sjelljeje te kushdo…Për të vendosur përfundimisht ditën dhe orën e ndërhyrjes kirurgjikale( pas ekzaminimeve të plota e pa shikuar hic duart e pacientëve për ndonjë shpërblim financiar), verdiktin duhej ta jepte shefi i sapoardhur nga një shërbim në Francë, Prof. Apetrei. E dha miratimin e vet sy më sy me kolegë e vartës dhe erdhi te dhoma ime. Përshëndeti shpejt dhe vështrimin e ndali te komodina në krah të krevatit. Mbi të kisha lënë dy libra në shqip, një të Dritëroit dhe një të Eseninit. Befas filloi të recitonte përmendësh dhjetra vargje në rusisht e rumanisht, nga Esenini. Me një pasion e dashuri të vecantë, megjithse në moshë të thyer. Dhe vazhdoi bisedën koncize, qartë e plot optimizëm rreth zemrës sime. Madje, përmendi edhe doctor Berishën. Kishin qenë dikur për specializime në Paris…

Gjatë përkthimit që bënte djali im(gjuhën rumune e fitoi në kohë rekord, falë edhe Renata Topciut pedagoge shqiptare e talentuar, modeste dhe e palodhur). Juli ynë kurseu një vit nga koha e studimeve të larta për Drejtësi(viti i gjuhës së huaj). Fola edhe për poetët tanë të shquar. Por edhe për Emineskun e paharruar që ka ndikuar edhe te krijuesit tanë në Shqipëri e gjer te Asdreni i dashur. Ose për Kutelin, Cabejin dhe Poradecin e papërsëritshëm. Pa lënë mënjanë faktin që Cabeji i madh, bashkë me Emineskun, paskan studiuar të dy në Austri e Gjermani . Koincidencë e këndshme…

Rrodhën 22 vite. Dhe erdhi një ditë e bukur me 700 faqe të ngarkuara me vargje Shqipërie, në gjuhën rumune. Në kërthizë të Bukureshtit ! Një Antologji jo dosido me 85 autorë, edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Itali e Jugut dhe diaspora jonë. Mirëpo, c’do i thoshja Profesor Apetreit sot ? Do i sugjeroja të lexonte baladën e Kostandinit dhe Doruntinës, por edhe ustain e vërtetë Naim Frashëri, Cajupin e viseve të mia, Zef Seremben,Ndre Mjedën, Migjenin uragan, Petro Markon kapedan i Bregut të Detit e i Letërsisë, Bilal Xhaferin e Camërisë; Agollin e Kadarenë, Spahiun e Kacalidhën, Mustafajin e Gjetjen, Zhupën e Rukën që përherë rrjedhin e do të gurgullojnë bashkë me Vjosën nazemadhe e bukurishumë; Reshpjen e London etj. Janë ligjërime në gati 5 shekuj, zoti Apetrei ! Është thelbi i shpirtit poetik të popullit tim ! Ashtu sic recitoje Eseninin, mund të recitosh pa mundim e pa pishmanllëk mjaft vargje të ndritura, që janë përzgjedhur nga dy bashkëqytetarët tuaj shqiptarë e aspak aguridhë, që e njohin me rrënjë edhe letërsinë e historinë e Rumanisë. Jam i bindur që do i shijosh shumë. Kjo Antologji i bën nder edhe Kulturës Shqiptare, që u është mirënjohëse dy autorëve të respektuar në studim, përzgjedhje e përkthim. Sepse të përkthesh 85 autorë të mirënjohur brenda e jashtë Shqipërisë, nuk është shkrim i thatë gazete e as një leksion auditori. Në fund të fundit, është guxim, lodhje, mundim, përgjegjshmëri e lartë letrare e atdhetare, punë kolosale e krijuese gjer në dhimbje.

Aq më tepër kur mbi tavolinë ka edhe talente të mëdhenj të një kombi. Dhe dihet, “kultura nuk është Pazar” Roskoveci a Miloti ! Sidomos sot kur ke përballë “mushkën xanxare të poezisë dhe dhelprën dinake të politikës”. Dhe jo të gjithë kënaqen e duartrokasin. Kurdoherë ka patur e do të ketë mendjelehtë apo të lajthitur. Punë e madhe ! Antologjia e mirë bën këmbë vetë edhe brenda kulturës rumune. Të tjerat janë thjesht marrëzi, smirë, xhelozi, ligësi, paaftësi provinciale, shkurt antikulturë. Nuk thoshnin kot të mocmit e mencur : I varfri me dituri kushton më shumë se i pasuri me flori ! (Luani e provoi një herë në jetë se c’do të thotë të matesh me bajlozët e korrupsionit majtas e djathtas dhe unë u trishtova jo pak. Se koha e idealistëve është ende larg, vecanërisht në Polit(h)ikë !). Vecse vlerat e vërteta shpirtërore e krijuese nuk blihen me para…

iesku (që më vonë u bë Sekretar Shteti), nuk besoj të mos dinë një dukuri historike jo të rëndomtë : Kolonitë e para shqiptare të mërgimit të detyruar ekonomik e politik, para shekullit XIX e në fillimtë shekullit XX, u ngulitën në Rumani. Tashmë kanë hedhur rrënjë të forta që nuk shkulen kurrë. Ura miqësie e vëllazërie. Të mos harrojmë, kontributi i këtyre mërgimtarëve në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ishte dhe mbeti i dukshëm , patriotizëm real e frymëzues në breza. Që nga Shtypshkronjat e para që flisnin me gjuhën e bilbilit të poezisë Naim Frashëri dhe gjer te botimet që ngrinin peshë zemrat e luftëtarëve për clirim kombëtar; zemrat e fëmijëve nëpër shkollat e para shqipe etj. Fjala vjen, një piktore me origjinë nga vendlindja ime, u bë me emër në Bukuresht ! Historitë e mërgimtarëve nuk ka libër në botë që mund t’i pasqyrojë plotësisht. Por “Antologjia e Poezisë Shqipe” u jep krahë, dituri e krenari të ligjshme. Ajo, sic thekson me të drejtë Visar Zhiti, “I ngjan një kështjelle hijerëndë dhe një ure të re, moderne, vazhdim i bashkëpunimit kulturor në shekuj i dy popujve tanë, i miqësisë… tani të kthyer në art”. Profesorët Apetrei e Iliesku, ndoshta nuk e dinë që Himni ynë Kombëtar është shkruar nga një shqiptar drenovar mërgimtar nëpër udhët, lulishtet a në Parkun e rrallë të Bukureshtit. Atje qëndroi edhe i pavdekshmi Ismail Qemali, pak para se të ngrinte Flamurin Kuq e Zi në Vlorë, Flamurin e Pavarësisë ! Vjershën e Asdrenit e solli vetë i miri Hilë Mosi, shkodrani democrat, poet e publicist. Mjaft nga vargjet e tij hynë lirshëm dhe mbetën të ngrohta nëpër këngët popullore shkodrane. Grupi i Korit të famshëm korcar, erdhi te Sheshi i Flamurit, shesh që gjëmoi e drithëroi tërë shqiptarinë. U ndrittë shpirti Asdrenit me shokë plot ! Po atë vit të bekuar botoi librin poetik “Ëndrra e lotë”, që mund të lexohet me ëndje sot e kësaj dite. Ose poema flakërimë “Burri i dheut”, që i kushtohet Vegjëlisë kur luftonte “me një mbret 40 milionë” dhe i vërviti në det pushtuesit e përtej detit. Ndërsa guna historike e Selam Musa Salarisë, mbeti mbi telat me gjemba ! I zoti kishte zënë “topin nga gryka”…Pa folur gjatë këtu për Viktor Eftimiun, që profesorët duhet t’ia dinë origjinën shqiptare nga Boboshtica e Korcës. Letërsia rumune e shekullit XX, nuk mund të kuptohet kurrë pa emrin dhe kontributin e tij të vyer. E kush nuk e ka dëgjuar, lexuar a shijuar në skenë, përshembull, “Njeriu që pa vdekjen me sy” etj. ?!

Sa herë pyes për Luan Topciun, më kthejnë gati të njëjtën përgjigje: Punon ende si kalë ! Madje me dikë në Tiranë mbaj mend një debat që desh u kthye në kacafytje. “Mos u merr me njerëz që bien nga kali i politikës”, më “këshilloi” një smirëzi e shpirtzi. Ishte fjala për kandidaturën e kryetarit të Bashkisë në Pogradec. Po nga cili kalë ra vallë ? Ky militant dallkauk është disa minare më poshtë nga Luani ynë që nuk i hipi asnjë kali lakuriq, e as mbrapsht apo nga qafa. Ai iu fal vetëm vendlindjes së shenjtë ! Por Polit(h)ika pa moral dhe pa din e iman, i mban përtej gardhit idealistët, intelektualët e vërtetë. Derëziu e punëziu që jep vetëm “këshilla”, me siguri nuk e di hic se cdo të thotë “Kalorës për Merita Kulturore”(dekorata më e lartë në këtë fushë). Dhe ku ? Në Rumani ! Unë nuk i di vlerësimet nga shteti amë. Por një gjë e di mirë: Ai dhe Renata meritojnë shumë ! Janë si yje të emigracionit shqiptar. Emigracion që krenohet me të tillë intelektualë që zemra u rreh për mëmëdhenë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura