Çështja e urës mbi lumin Ibër, kryeministri i Kosovës bisedon me komandantin e KFOR-it

Aug 13, 2024 | 22:50
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e priti në një takim të martën Ozkan Ulutashin, komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me të cilin bisedoi edhe për synimet e Qeverisë së tij për ta rihapur për qarkullim për automjete urën mbi lumin Ibër në veri.

kurti komandati i kfor

Në një njoftim për media, Qeveria tha se ndër temat qendrore ishte “hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme”, pavarësisht se ajo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim.

KFOR-i nuk ka komentuar ende rreth këtij takimi, por ditë më parë tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndonjë skenarë në të ardhmen, nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.

Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, e cila ndan shqiptarët në jug dhe serbët në veri. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

KFOR-i paralajmëroi disa herë se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Ministria e Infrastrukturës e publikoi të martën më herët një raport fillestar për testimet e kryera në urë, duke thënë se është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftim.

Në debatin e organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut kishte një pjesëmarrje të vogël të qytetarëve serbë dhe e të pranishmëve ishin asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.

Kurti ka ngulur këmbë në rihapjen e urës me gjithë kundërshtimin nga bashkësia ndërkombëtare dhe serbët lokalë.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura