Shqipëria kandidate për në BE, përfitimet e detyrimet që vijnë nga marrja e statusit

Jun 25, 2014 | 9:00
SHPËRNDAJE

KRYEMINISTRI RAMA DHE MINISTRJA GJOSHA DJE NE KONFERENCE PAS STATUSIT
Pas statusit ngelen edhe tri faza deri në anëtarësimin e plotë.

Nuk rriten financimet e BE, imazhi rrit investimet e huaja.

Marrja e statusit të vendit kandidat pritet të japë frytet e tij në ekonominë e vendit.

Pas vendimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, Shqipëria ka disa përfitime, por në të njëjtën kohë i lindin edhe një sërë detyrimesh për të zbatuar. Konkretisht, në aspektin formal, Shqipëria do të marrë pjesë në mbledhjet e hapura të Këshillit të BE-së për vendet kandidate si dhe do të bashkëpunojë më ngushtë me Komisionin përmes Komitetit Ekonomik dhe Social që do të krijohet. Por përfitimi më i madh është ai i thithjes së investimeve të huaja. Kalimi në një etapë tjetër të anëtarësimit në BE e paraqet Shqipërinë si një vend stabël, me demokraci të konsoliduar e, për rrjedhojë, pritet që investimet e huaja të rriten. Në të njëjtën kohë Shqipëria do të vijojë të përfitojë nga fondet IPA të Bashkimit Europian, ku prej një viti ato nuk ndahen më në bazë të stadit të secilit vend në raport me integrimin, por vetëm përmes paraqitjes së projekteve bindëse. Në këtë pikë lind edhe detyrimi i parë i Shqipëri, ku për të paraqitur projekte që garantojnë suksesin, duhet një administratë me kapacitetet e mjaftueshme. Gjithashtu Shqipëria duhet që brenda pesë viteve të ardhshme të ketë përafruar të gjithë legjislacionin vendas me atë të Bashkimit Europian.

FAZAT E ANËTARËSIMIT
Procesi i integrimit europian është i ndarë në 7 faza deri në anëtarësimin me të drejta të plota. Aktualisht Shqipëria ka kaluar katër fazat e para, që janë nënshtrimi i Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, dorëzimi i aplikimit për anëtarësimin në BE, miratimi i kërkesës nga vendet e Bashkimit Europian dhe vendimi për marrjen e statusit të vendit kandidat. Etapa e radhës, që në fakt është formale, është vota e ditës së enjte e Këshillit të Ministrave të BE-së. Më pas janë për t’u plotësuar edhe tri faza të tjera, të cilat mund të zgjasin nga 3 deri në 14 vjet. Faza e pestë përfshin negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Procesi i negociatave me BEnë përfshin një hark kohor, minimalisht një vit dhe maksimalisht 7 vjet. Faza e gjashtë është nënshkrimi i “Traktatit të Anëtarësimit”, periudhë kjo nga 2 muaj deri në 5 vjet. Ndërsa faza e shtatë është “Data e Anëtarësimit”, që përfshin harkun kohor nga 1 deri në 2 vjet.

Përfitimet nga statusi
•     Shqipëria do të mund të marrë pjesë në mbledhjet e hapura të Këshillit të BE-së për vendet kandidate.
•     Shqipëria mund të bashkëpunojë më ngushtë me komitetet e BE-së, kryesisht në aspektin ekonomik. Do të ngrihen strukturat e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komitetit të Rajoneve si dhe me Komitetin Ekonomik dhe Social.
•     Marrja e statusit kandidat rrit investimet e huaja falë qëndrueshmërisë politike të vendit si dhe punësimin.
•     Shqipëria do të përfitojë nga fondet IPA, me anë të projekteve që do të paraqesë për financim.

Detyrimet nga statusi
•     Shqipëria duhet që brenda 5 viteve të përafrojë të gjithë legjislacionin me atë të Bashkimit Europian.
•     Administrata publike duhet të ketë kapacitetet e mjaftueshme për të ofruar projekte bindëse për t’u financuar nga IPA.

Hapat që ndiqen
•     Procesi i integrimit europian është i ndarë në 7 faza, ndërkohë që Shqipëria, deri më sot, ka kaluar vetëm 4 prej tyre.
•     Pas vendimit të ministrave duhet që të enjten të konfirmohet vullneti i BE-së në mbledhjen e Këshillit.  
•     Faza e pestë përfshin negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Përpara se të nisin negociatat, Komision aplikon një fazë të ndërmjetme, që ka të bëjë me nisjen e analizës së detajuar për përputhjen e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Procesi i negociatave me BE-në përfshin një hark kohor, minimalisht një vit dhe maksimalisht 7 vjet.
•     Faza e gjashtë është nënshkrimi i “Traktatit të Anëtarësimit”, periudhë kjo nga 2 muaj deri në 5 vjet.
•     Ndërsa faza e shtatë është “Data e Anëtarësimit”, që përfshin harkun kohor nga 1 deri në 2 vjet.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura