ChatGPT, programi i inteligjencës artificiale që shkruan ese, shqetëson universitetet

Feb 9, 2023 | 20:32
SHPËRNDAJE

Programi i inteligjencës artificiale ChatGPT, që ka kapacitetin të shkruajë ese, po i bën universitetet të vendosin nëse duhet ndaluar përdorimi i tij. Një nga universitetet kryesore franceze e ka ndaluar tashmë, por të tjerët po presin të shohin se si do të zhvillohet situata, ndërkohë që po shqyrtojnë se si inteligjenca artificiale mund ta ndryshojë arsimin përgjithmonë.

chat

Në mbarë botën, universitetet po shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjnë me një mjet të fuqishëm të inteligjencës artificiale që është bërë i disponueshëm për publikun – ChatGPT.

I bërë publik në nëntor 2022 nga OpenAi, programi robotik tërhoqi shumë vëmendjen e mediave dhe studentëve për shkak të përgjigjeve të detajuara, që janë pothuajse të padallueshme nga një tekst i shkruajtur nga njeriu.

Programi ka aftësinë t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta, si p.sh. se kush është president i Shteteve të Bashkuara, apo edhe pyetjeve më të komplikuara në stilin e eseve, me argumenta të shumta dhe shtjellim.

Adoleshentët dhe studentët e universiteteve ishin ndër miliona njerëzit që filluan të eksperimentojnë me të. Dhe megjithëse shumë prej tyre gjetën mënyra për ta përdorur me krijimtari dhe pa rrezikshmëri, lehtësia me të cilën programi mundej t’u përgjigjej pyetjeve në testimet që studentët merrnin me vete për t’i plotësuar në shtëpi, si dhe ndihma që programi u jepte për detyrat të tjera, shkaktuan panik në radhët e arsimtarëve.

Kur po rihapeshin shkollat pas vitit të ri, në qytetin e Nju Jorkut, në Los Anxhelos dhe drejtori të mëdha arsimore në Shtetet e Bashkuara, filloi të ndalohej përdorimi i programit në klasa dhe në paisjet elektronike të shkollave.

Por një profesor në Angli ka publikuar një shkrim ku argumenton se ChatGPT mund të bëhet një mjet i vlefshëm. Megjithë fuqinë e këtij programi dhe mundësinë e abuzimit me të, profesori mendon se është gabim ndalimi i tij.

“Mendoj se është mirë që ta shikojmë këtë çështje nga këndvështrimi se si këto teknologji do të zënë vend në të ardhmen në qendrat e punës, aty ku do të shkojnë studentët tanë. Dhe është e rëndësishme që ne, si arsimtarë, t’i përgatisim studentët që t’i kuptojnë këto mjete me një sy kritik, që të njohin kufizimet e tyre dhe t’i bëjnë ato pjesë të arsenalit të tyre, dhe jo të refuzohen nga universitetet”, thotë profesor Balbir Ban, i cili është dekan i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjisë, në Universitetin në Middlesex.

Ai po eksperimenton me programin ChatGPT, madje edhe duke e pyetur se cilat do të ishin disa nga pikat e debatueshme moralisht për përdorimin e tij nga studentët. Programi i përgjigjet me shpejtësi dhe me një strukturë që i ngjason një eseje në përgjigje të pyetjes, duke radhitur probleme si plagjiarizmi, mashtrimi, apo ndërvarësia.

“Nëse ne si arsimtarë mendojmë se ChatGPT përbën kërcënim, atëherë ne duhet të ngremë pyetjen se çfarë do të thotë arsim. Ka të bëjë me ofrimin e aftësive të nivelit të lartë që do t’iu duhen studentëve për të nxënë në vazhdimësi. Këto janë teknologjitë që ofrojnë mundësi. E kemi parë evolucionin që nga kontrolli për gabime ortografike në programin Word, dhe pastaj me kontrollin gramatikor, dhe tashmë me përpilimin e përmbledhjeve. Ajo që duhet të bëjmë është që t’i pajisim tani studentët me njohuritë për ta identifikuar. Mund të përdorim atë që prodhohet për ta përmirësuar, për ta vlerësuar me një sy kritik, për të identifikuar mangësitë dhe për të nxjerrë një produkt përfundimtar”, thotë profesor Barn.

Institucione të tjera arsimore, si Sciences Po Paris, një ndër universitetet më prestigjioze të Francës, ndaloi përdorimin e programit ChatGPT dhe të të gjitha mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale dhe paralajmëroi me përjashtim studentët në rast të shkeljes së këtij rregulli.

“Studentët tanë vijnë për të studiuar këtu dhe për të marrë një diplomë cilësore. E pyetëm veten se si duhej të vepronim dhe menduam se është e rëndësishme të kufizohej përdorimi i kësaj inteligjence të re… Pikë së pari, pasi është një inteligjencë artificiale e bazuar në përllogaritje dhe jo në një arsyetim. Dhe mbi të gjitha, krijon iluzionin e një teksti të shkruar nga njeriu, dhe studentët tanë duhet ta dinë se për universitetin Sciences Po, përdorimi i këtij mjeti nuk shërben si garanci për ndershmërinë intelektuale”, thotë Myriam Dubois-Monkachi, drejtore për çështjet akademike në Universitetin “Sciences Po Paris”.

Organizata OpenAI publikoi edhe një program prototip që synon të pikasë materialet e prodhuara me inteligjencën artificiale. Megjithatë, programi “AI classifier” është në gjendje të dallojë vetëm rreth 26% të shkrimeve të prodhuara me inteligjencën artificiale.

“Mendoj se këto programe do të shërbejnë për të hartuar variantet fillestare të dorëshkrimeve, por për të cilat do të duhet sërish mbikqyrja e njeriut, për t’i kontrolluar për gabime dhe për të korrigjuar koncepte të gabuara që mund të kenë këto programe. Pra, pjesë e përgatitjes së studentëve do të jetë edhe që të kuptojnë se si t’i përdorin këto mjete me efikasitet dhe në mënyrë etike”, thotë Gregory Morgam, profesor i asociuar në Institutin Stevens të Teknologjisë.

Programi ChatGPT vazhdon të jetë i disponueshëm për çdo person që ka qasje në internet. Ai funksionon si një dialog i shkruar mes sistemit të inteligjencës artificiale dhe personit që i drejton pyetje./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura