Checco Zalone shijon Shqipërinë: Pushova në Green Coast por do rikthehem si vizitor në Vlorë nga ku mund të lindin ide për një film të ri

Aug 28, 2023 | 14:35
SHPËRNDAJE

“Mendoja se Sardegna kishte detin më të bukur në gjithë Europën, por jo”Kjo verë e ka gjetur komedianin e njohur italian Checco Zalone në Shqipëri.

Ceco-Zelone1

Ai po pushon në Green Coast dhe ne kemi mundur ti shkëpusim një intervistë ku ai ka folur gjatë për vendin tonë, bregdetin, natyrën mahnitëse dhe projektet e tij të ardhshme që duket se disi lidhen me Shqipërinë. “Mendoja se Sardegna kishte detin më të bukur në gjithë Europën, por jo, Shqipëria më ka suprizuar. Më ka bërë përshtypje energjia e njerëzve që janë kaq vitalë ” – thekson Zalone duke rrëfyer se do të rikthehet sërish në Shqipëri këtë herë si vizitor dhe në planet e tij është një vizitë më e gjatë edhe në Vlorën nga ku mund të lindin edhe ide për një film.

Kjo verë ju gjen në bregdetin shqiptar ku keni vendosur të kaloni pushimet, përse kjo zgjedhje?

Sugjerimi me ka ardhur nga miku im Ermal Meta, këngëtar me origjinë shqiptare, shumë i famshëm në Itali. Pastaj po flitet shumë për Shqipërinë dhe për më tepër unë jetoj në Bari, në një apartament nga ku shihet deti. Ndonjëherë kur moti është i kthjellët arrij të shoh Shqipërinë dhe them me vete, jemi kaq afër dhe nuk kam qenë asnjëherë, këtë vit duhet të shkoj dhe zgjedhja ishte e duhura.

Me aq sa keni mundur të shihni dhe shijoni deri tani, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga Shqipëria?

Përveç pamjes, sigurisht detit, gjithë vija bregdetare. Mendoja se Sardegna kishte detin më të bukur në gjithë Europën, por jo. Më ka bërë përshtypje energjia, njerëzit kanë një energji vitale që është fantastike, ndoshta i ngjan pak asaj energjie që kishin italianët në periudhën pas luftës. Ka entuziazëm, një entuziazëm gjeneral për jetën që ndoshta në vendin tim ka humbur vitet e fundit. Ndihet një atmosferë plot me dëshirë për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar. Unë natyrisht kam parë vetëm Green Coast, këtë vend të mrekullueshëm, nuk e kam parë ende Shqipërinë dhe qytetet e saj, por mendoj që do të kthehem sërish në tetor.

Nëse miqtë apo kolegët tuaj do t’ju pyesin për Shqipërinë, cila do të ishte fjalia e parë që do t’ju thoje dhe a do t’ua sugjeroje atyre për pushime bregdetin shqiptar?

Deti, deti është i mrekullueshëm. Do t’ju thoja miqve të mi puliez, ne kemi Salenton, por edhe Shqipëria nuk bën shaka, duhet të kemi kujdes nga Shqipëria( qesh)

Dikur Shqipëria në sytë e të huajve është parë disi me skepticizëm, tashmë që jeni këtu, si e vlerësoni vendin tonë dhe çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Unë nuk kam dëgjuar, unë kam parë, sepse unë jam nga Bari. Më kujtohet kur anija Vlora zbarkoi në portin tonë nga e cila zbritën 20 apo 30 mijë njerëz që mbushën stadiumin, me kujtohet, edhe pse isha fëmijë por më kujtohet. Ajo që kam vënë re është se në krahasim me emigracionin në ditët e sotme me personat që vijnë nga Afrika, në atë kohë kishte më shumë altruizëm. Mbaj mend im atë që zbriti për t’ju dhënë bukë këtyre njerëzve, ndërsa në ditët e sotme vihet re jo vetëm në Itali, por në të gjithë Evropën një farë populizmi, nacionalizmi që më përpara nuk ezistonte.

Unë jam muzikant dhe mbaj mend që ishte një djalë shqiptar që punonte në një dyqan muzike në Bari dhe që ishte ekspert informatike lidhur me fushën e muzikës dhe për mua shqiptari ishte ai( qesh). Shqiptarët për mua ishin të gjithë gjeni. Me pak fjalë nuk kam pasur asnjëherë paragjykime, nga ana tjetër e fejuara e vëllait tim është shqiptare, Natasha, asaj i kemi bërë një dhuratë që kemi ardhur këtu, ajo është shumë e lumtur që jemi këtu. Gjithashtu jam dhe unë që munda të pushoja në Green Coast ku kam parë dhe takuar shqiptarë të profesioneve të ndryshme duke më përforcuar edhe më shumë mendimin që kam pasur edhe më herët për ta.

Dihet që Italia është një vend shumë i bukur, ka histori, kulturë dhe një natyrë mbresëlënëse, nëse do të bënit një krahasim mes pushimeve në Shqipëri dhe atyre në Itali, cilat janë të përbashkëtat dhe ku qëndron dallimi?

Pikat e përbashkëta janë dielli, deti, ushqimi që është shumë i ngjashëm. Disa gjëra madje janë edhe më të mira këtu. Perimet, janë më të mirë këtu në Shqipëri dhe gjithashtu diferenca është 10 mijë euro më pak( qesh)

Do të riktheheshit sërish në Shqipëri jo vetëm si pushues, por edhe si visitor në një tjetër stinë të vitit?

Po dua të kthehen në vjeshtë për të parë edhe Vlorën. Kam njohur kryetarin e bashkisë së Vlorës, që më ka ftuar dhe sipas meje është një vend ku mund të lindin ide për një film. Akoma nuk kam një ide, por më pëlqen, rrëfimi për këto vende sigurisht në formë komedie, në mënyrën time, mund të jetë interesante.

Ceco-Zelone

Le të flasim pak për karrierën tuaj, cilat janë projektet që keni në plan për të ardhmen, a do t’ju shohim së shpejti në një tjetër film komedi?

Të vij në Shqipëri(qesh), këtë vit kam organizuar një tur “dal vivo”, kam bërë 102 shfaqje këtë vit, më duhet të bëj edhe 10 të tjera dhe më këto mbaron turi në Itali, ma pas më duhet të gjej ide për një film

Do të shohim në një komedi tjetër?

Shpresoj që po, ende nuk kam një ide konkrete, i marr pak gjërat me nge, avash avash si shqiptarët ( qesh)

Thonë që komikët edhe pse bëjnë të gjithë për të qeshur vetë janë ndryshe, sa flet për ty kjo frazë?

Flet shumë, njerëzit kujtonë që unë bëj gjithmonë si budalla, por jam komplet ndryshe në jetën reale. Nuk jam aq i mangët sa në filma (qesh)

Profesioni juaj duket sa i bukur aq edhe i vështirë ndonjëherë, a keni pasur ndonjë moment kur keni dashur të ndërroni profesion dhe përse?

Çdo mbrëmje para se të ngjitem në skenë them me vetë pse nuk u bëra hidraulik, murator, është ajo minuta aty para se të dal para publikut që i bëj vetes këtë pyetje, në ato momente më vjen të rrëzohem në tokë, ankthi të shkatërron. Pastaj shkoj në skenë, më kap adrenalina dhe vijoj me shfaqjen

Cili është momenti që e cilësoni si më të rëndësishmin në karrierën tuaj, momenti që ka bërë kthesën e madhe që i duhet çdo artisti?

Ka qenë një moment fati. Ishte viti 2006, kur Italia fitoi Botërorin dhe unë kisha shkruar një këngë, që ishte sigla e një programi radiofonik. Kjo këngë që quhet “Jemi një skuadër shumë e fortë” u bë himni i Botërorit. Nga një njeri komplet i panjohur, u duk sikur isha unë që e bëri Italinë të fitonte kampionatin, ishte pika e kthesës në karrierën time.

Ju keni luajtur në disa filma, cili është roli që keni dashuruar më tepër dhe ai që nuk do donit ta kishit luajtur?

Roli që kam dashur më shumë ka qenë roli i babait në filmin tim të tretë, sepse u gjenda me vajzat e mia dhe roli i babait torollak më ka pëlqyer shumë. Ndërsa një rol që nuk e kam dashur, nuk ekziston sepse gjithmonë kam vendosur vetë çfarë kam dashur të interpretoj.

Cilat janë të vështirat dhe të bukurat e profesionit tuaj, sa e vështirë dhe sa e bukur është të jesh komedian?

Atëherë pjesa më e vështirë është të përmbushësh pritshmëritë e publikut, ndërsa pjesa e bukur është kjo, që vjen në Shqipëri dhe të përkëdhelin, ka shumë njerëz që të tregojnë dashamirësi dhe që ti as nuk e dije, kjo është një gjë shumë e bukur që më ka bërë të ndihem mirëkëtë javë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura