Çmimi Kadare 2018: 32 konkurruesit nga faza e parë e selektimit për garën e letërsisë

May 19, 2018 | 11:48
SHPËRNDAJE

Çmimi i madh i letrave shqipe “Kadare” i cili jepet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, tashmë ka hyrë në fazën e seleksionimit të veprave që do të vijojnë garën nga ana e jurisë, ku nga prurjet janë selektuar 32 autorë për të vazhduar garën drejt fazës së dytë të selektimit, ku do shkojnë vetëm 10 autorë drejt fazës finale

cmimi

Çmimi i madh i letrave shqipe “Kadare” i cili jepet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës tashmë ka hyrë në fazën e seleksionimit të veprave që do të vijojnë garën nga ana e jurisë. Sipas Alda Bardhylit, koordinatore e Konkursit “Kadare” tashmë janë përzgjedhur 32 veprat që do të garojnë për çmimin e madh. “Ka pasur një interes në rritje të autorëve që duan t’ia besojnë dorëshkrimet e tyre këtij konkursi. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për institucionalizimin  që ky konkurs ka pasur në vetëm katër edicione si një konkurs ku çertifikohen vlerat e vërteta në terrenin letrar në vend, duke qenë i besueshëm për autorët, por dhe për faktin se ka një rritje të autorëve që duan të shkruajnë letërsi, duke pasur parasysh historinë tonë letrare pas viteve 90-të” , thotë Bardhyli.

Sipas saj, juria do të mblidhet sot (e shtunë) për të vendosur dhe 10 finalistët që do të garojnë për çmimin e madh prej 10 mijë eurosh që do të ndahet në ditët letrare të Razmës që do të mbahen nga data 25-27 maj.

“Juria ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u njohur me veprat. Përgjatë këtij muaji ajo ka pasur disa takime për të konkluduar mbi dorëshkrimet e paraqitura në konkurs, duke ndarë me njëri tjetrin leximet dhe gjykimet mbi pjesëmarrësit. Takimi i sotëm do të jetë i rëndësishëm për fazën në të cilën hyn ky konkurs, pasi nga 32 autorët që janë përzgjedhur në fazën e parë, tashmë vetëm 10 prej tyre do të kenë mundësi të garojnë për çmimin e madh”, thotë Bardhyli.

Në katër edicionet e tij, çmimi Kadare ka pasur në përbërje të jurisë emra të njohur të letrave shqipe, dhe gjykimi i tyre ndër vite ka rritur besueshmërinë ndaj këtij çmimi. Juria kryesohet nga Kim Mehmeti, një emër i njohur i letrave shqipe në Maqedoni, ndërsa në përbërje të saj është Ledia Dushi, Genciana Abazaj, Eni Vasili dhe Agim Baçi.

“Përmes këtij konkursi ne kemi mundësi të njihemi me situatën letrare në vend, ku shohim një rritje gjithnjë e më shumë të numrit të autorëve të rinj që duan ta lidhin jetën e tyre me letërsinë. Por krahas të rinjve këtij konkursi ia kanë besuar dorëshkrimet e tyre dhe emra tashmë të konsoliduar në historinë tonë letrare si Zija Cela, Vera Bekteshi, Virgjil Muçi, Gazmend Krasniqi, Bashkim Hoxha, etj”, thotë Bardhyli.

“Çmim i madh do të jepet gjatë ditëve Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), një aktivitet që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, kritikë të cilët këtë vit do ti bashkohen  në një konference shkencore me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”, një temë e zgjedhur me rastin e Vitit të Skënderbeut shpallur nga qeveria shqiptare.

Kritika dhe studimet shqipe nuk e kanë shtjelluar ende dimensionin letrar që kjo figurë e historisë sonë ka pasur në librat e shumë shkrimtarëve të huaj, që kanë gjetur tek ai shpesh personazhin më interesant për veprat e tyre”,- thotë Bardhyli.

Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autor shqiptar. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro dhe vepra fituese botohet nga Mapo Edition. Ky është edicioni i katërt i këtij çmimi i cili është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare.

Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku.

Emrat e selektuar nga prurjet për çmimin “Kadare”

  1. Vera Bekteshi- Një rrugë e gjatë pa krye                               roman
  2. Zija Çela-Djalli komik                                                               roman
  3. Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave                                        roman
  4. Loer Kume-Bisha të fshehta e një sy i madh i gjelbër        tregime
  5. Saimir Qefalia- Biondina besnike                                           tregime
  6. Gazmend Krasniqi- Triologjia e Shkodrës                            roman
  7. Kujtim Lapa- Gjithë fajin e ka paraja                                     roman
  8. Sokol Thana- Guvernatori i shtëpisë së vogël                       roman
  9. Ndue Gaspri- Humbja e trishtë e kufijve të fëmijërisë       roman
  10. Resmi Osmani- Pas Trojës                                                       roman
  11. Sotir Athanasiu- Tregime parisienë                                        tregime
  12. Ullir Burimi Busti dhe varri i diktatorit                                roman
  13. Eqrerem M Canaj- Princesha Rugjine                                   roman
  14. Jetmir Dragusha-Ikja                                                               roman
  15. Rudina Cupi-Shenjat e pikësimit                                           roman
  16. Arian Kadiu- Vajza e KukLandit                                             roman
  17. Erjon Papagjoni- Limonë dhe kokoshka                               roman
  18. Dhimitër Druga- Animations                                                   roman
  19. Thanas Dino- Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi                 roman
  20. Alion Çaçi- Tregime të Rinisë                                                  tregime
  21. Ada Çapi- HappyLand                                                               roman
  22. Sulejman Mato- Qyteti i shirave                                             roman
  23. Bashkim Hoxha- Një ditë si Skënderbeu                              roman
  24. Arlind Farizi- I fundmi tundim                                              roman
  25. Ardian Thaqi- I mbijetuari i luftës                                        roman
  26. Enida Bogdani- Kronologji emocionesh                              tregime
  27. Vlash Linadi- Diella                                                                 novela
  28. Shpëtim Selmani- Libërthi i dashurisë                                roman
  29. Vasil Premçi- Fermani i përgjakur                                       roman
  30. Vladimir Ndini- Nën hirin e Antigonese                             roman
  31. Flogerta Krypi -Rrëfime me dhe pa kripë                           tregime
  32. Enton Bido- Ara e Tares                                                         tregime

MAPO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura