Data 23 gusht, “Dita e Shiritit të Zi”

Aug 23, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

besimndregjoniBESIM NDREGJONI

23 gushti është “Dita e Shiritit të Zi” (Black Ribbon Day). Dita zyrtare Europiane e Kujtesës së krimeve naziste, fashiste, komuniste e staliniste! Këshilli i Europës duke pasur parasysh krimet që kanë kryer diktaturat në shekullin e njëzet ka vendosur që diktaturat të dënohen dhe viktimat dhe barbarizmat e tyre, shtetet që i kaluan këto diktatura, t’i kujtojnë dhe të mos i harrojnë krimet, diktaturën fashiste, naziste. Mbas mbarimit të Luftës Dytë Botërore, Europa krijoi Gjykatën e Nurmbergut për t’i dënuar ligjërisht këto krime që nga vitin 1948 e në vazhdim. Diktaturën staliniste Europa Juglindore e dënoi në vitin 1956, kurse diktatura komuniste ra në vitin 1988 me shembjen e Muri i Berlinit. I vetmi vend në Europë, Shqipëria u sundua nga stalinizmi 46 vite dhe nuk e dënoi këtë ideologji vrastare, por kaloi nga sistemi stalinist, në sistem pluralist, pa marrë aprovimin e antikomunistëve me një veprim aspak ligjor juridik, por ideologjik formal, që brenda 4 ditësh u ndërrua sistemi dhe u krijuan parti formale antikomuniste me një objektiv të qartë: “Mos dënimin e Krimeve të stalinizmit shqiptar enveristë”!

Duke lejuar Partinë e Punës së Shqipërisë që kishte kryer krime të ishte pjesë e pluralizmit politik duke mos e dënuar ligjërisht për dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për 50 vite ndaj antikomunistëve shqiptarë. Dhe ka tri dekada që e gjithë klasa politike e krijuar në 4-ditëshin e dhjetorit ’90 vazhdoi e vazhdon politizimin e demagogjinë kundra enverizmit, por nuk bëri asnjë akt juridik ligjor, për ta dënuar Partinë Komuniste dhe Hitlerin e Europës Juglindore, stalinistin Enver Hoxhën. Që nga 29 nëntori i vitit 1944 e deri në të ashtuquajtur ndryshim sistemi në ‘90 bilanci i krimeve të komunizmit enverist janë një bilanc i paimagjinueshëm për Europën e pas Luftës së Dytë Botërore për mijëra jetët njerëzore të humbura. Shqiptarët antikomunistë vuajtën 914.000 vite burg. U krijuan kampe përqendrimi ku nuk u kursyen dhe jetët e fëmijëve si në Tepelenë. Ku nga uria vdiqën mbi 350 fëmijë të antikomunistëve nga veriu.

CILI VEND NË EUROPË KA NJË BILANC KRIMI SI SHQIPËRIA?!

23 gushti bashkon ditë-vdekjet e personazheve të njohura, qëndrestarëve shqiptarë, që kanë dhënë shumë për lirinë, shtetin, dhe kulturën tonë kombëtare, por më shumë se çdo gjë tjetër për dinjitetin tonë historik në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe kombit. Ky 23 gushti si ditë kujtesës europiane dënon krimet e stalinizmit shqiptar dhe denoncon publikisht dhe bën përgjegjës ndaj kombit dhe shoqërisë, klasën politike, udhëheqësit e institucioneve të shtetit shqiptar të këtyre tri dekadave që nuk i dënuan krimet e komunizmit. Sot kjo ditë dënon heshtjen e politikanëve të të gjitha ngjyrave ndaj krimit komunist.

Shqipëria nga një diktaturë staliniste, nuk qe në gjendje të ndërtonte shtet të së drejtës, sepse klasa politike nuk ndoqi rrugën e demokratizmit të vendit, por si një lukuni ujqërish për të ndërtuar pushtet me dogma të komunizmit. Pushteti politik gjatë kësaj periudhe 34-vjeçare ndërtoi një sistem korrupsioni, duke prishur ekuilibrat e shoqërisë me propagandë dhe duke përdorur heshtjen ndaj krimeve të diktaturës. Ne si shtet nuk kemi ditë kujtese siç e ka Europa. Ditën europiane të kujtesës këtë vite, po e përkujtojmë këtu në Koplik të Malësisë Madhe, këtu ku krisi pushka e parë antikomuniste që e udhëhoqën burrat e shquar të Malësisë Madhe bajraktari i Hotit, Mulë Deli Bajraktari. Ushtaraku dhe komandanti i shquar Llesh Marashi i Shkrelit, heroi i mbrojtjes së kufijve të shtetit shqiptar, trimi legjendar i Kelmendit, Preng Cali, që u vra në besë nga të pabesët stalinisti kriminel, Mehmet Shehu. Këtu u krye Masakra e Koplikut nga komunistët shqiptarë që nga 28 korriku deri më 29 gusht 1948. U torturuar 56 burra dhe gra, ku në mes këtyre burrave dhe grave, një malësore do të lindte në mes torturave fëmijën e saj. Këtu u torturua shkencëtari Dom Aleksandër Sirdani, biri i Bogës trime, së bashku me Dom Pjetër Cunin, vetëm se ata nuk e mohonin Zotin! Do të torturonin malësorin trim, luftëtarin antifashist e atdhedashës burrin e besës së Malësisë, Taro Keqin; Katolikun trim e të pamposhtur Nik Mark Rexhën. Dhe mbas torturave e vrasjes barbare, trupat e këtyre meshtarëve të besimit e të lirisë dhe trimave të pamposhtur të Malësisë do të hidheshin në kanalin e ujërave të zeza jo shumë larg këtij tubimi, që zhvillojmë sot në nderim të tyre.

“Masakra e Koplikut” nuk harron, ajo i ka në kujtesë xhelatët e krimeve të masakrës, ajo i bën thirrje Institucionit të Autoritetit të hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit: Kur do t’i bani prezencë para shoqërisë shqiptare emrat e xhelatëve dhe dosjet e tyre kriminale që kanë kryer krime në Koplik e në gjithë Shqipërinë. Jo ma larg se dje, Gjykata gjermane dënoi një sekretare të nazizmit atëherë 17-vjeçare, edhe pse ajo është 94-vjeçare sot. Breznia e re pret t’i njohë xhelatët që të mos lejojnë të përsëritet krimi. Lavdi të përjetshme këtyre grave e burrave trima, këtyre antikomunistëve heronj, që nuk u stepën përballë barbarizmave të kriminelëve të Partisë Komuniste Shqiptare. Sot Shqipëria lëngon për liri demokraci, për dinjitet. Sot shoqëria shqiptare është e ndamë në antikomunistë dhe komunistë.

Ne, antikomunistët, jemi etaloni, lajmëtarët e Europës me një dinjitet të padiskutueshëm për shqiptarët. Komunistët janë pjesa e urrejtjes, sunduesit, përçmuesit e vlerave, dokeve, fesë fisnikërisë kombëtare. Politika shqiptare postkomuniste dhe pushteti në Shqipëri kanë zgjedhur heshtjen dhe harresën duke u bërë palë me krimin. Europa e dënon krimin, shteti shqiptar hesht ndaj krimit. Shenjtëria e tij, Papa Francesku, do të priste në Vatikan më 25 tetor 2023 përfaqësinë e antikomunistëve shqiptarë dhe do të lutej për shpirtrat e humbura dhe vuajtjet shekullore të antikomuniste në diktaturën staliniste.

E kundërta ndodh me Presidentin e shtetit shqiptar, me Kryetarin e Parlamentit, me Kryetarin e Qeverisë, ata i urrejnë antikomunistët, bëjnë hipokrizi me kujtesën dhe kanë ndërtuar një sistem qeverisës, mediatik që të zhduken nga kujtesa krimet e Enver Hoxhës. Sot nga Kopliku i masakruar nga regjimi komunist, nga Malsia e Madhe antikomuniste u drejtohem drejtuesve të shtetit shqiptare: Kur do ti dënoni krimet e stalinizmit shqiptar me ligj si gjithë Europa? Keni 6 muaj që heshtni përballë kërkesës së Konferencës Ipeshknore të Shqipërisë, kërkesës së bashkëngjitur Konferencës Ipeshknore dhe të tri komuniteteve fetare, myslimane, bektashiane, ortodokse, si dhe Rezolutës Kombëtare të Unionit Mbarëkombëtare Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Nuk ndërtohet demokracia pa dënuar krimin komunist. Kur partitë politike shqiptare, do t’u kërkojnë falje shqiptarëve për krimet e komunizmit? Zoti President, znj. Kryetare e Kuvendit, zoti Kryeministër, kur do t’u kërkoni falje familjeve shqiptare që përballuan krimet e stalinizmit enveristë? Heshtja juaj është veprim kriminal dhe dhunim i të drejtave dhe lirive të njeriut ndaj shqiptarëve që vuajtën mbi 9 shekuj burg e internim, të mbi 6000 familjeve që kanë tri dekada që s’kanë gjetur eshtrat e të zhdukurve. Si mund të jeni të qetë ju, drejtues të shtetit, kur bashkatdhetarët tuaj nuk kanë një varr për familjet e tyre, ku falë rezistencës së tyre, ju sot gëzoni benefite e pasuri marramendëse të sistemit për të cilën u sakrifikuan antikomunistët shqiptarë. Ju që ishit palë me diktaturën dhe duartrokisnit burgimet e vrasjet tona, pa dhanë asnjë kontribut në dënimin e diktaturës dhe heshtni dhe përbuzni sakrificat tona mbinjerëzore.

Nqs., ju zgjidhni heshtjen si drejtues të shtetit, ne do t’ju denoncojmë deri në Strasburg për dhunim dhe përçmim ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut të 100.000 familjeve shqiptare që përballuan diktaturën. Po opozita pse i është bashkuar korit të “kukuvajkave” të pushtetit me heshtje ndaj kërkesës sonë për të dënuar krimin komunist me ligj. Opozita nuk është vetëm të luftojë që të marrë e pushtetit, por për të mbrojtur të drejtat e liritë e qytetarëve që i dhunon pushteti. Është turp kombëtar që 59 deputetë të opozitës që kanë marr votën e antikomunistëve shqiptarë prej 34 vitesh, heshtin nga 6 muaj si mazhoranca ndaj kërkesës për t’i dënuar krimet e komunizmit si shtet që kërkojmë të bëhemi pjesë e Europës. Nuk shkohet në Europë pa dënuar krimet e komunizmit. Sot kjo ditë kujtese europiane detyron se duhet futur thellë bisturia e drejtësisë në ndërgjegje që të gjinden eshtrat e të zhdukurve.

Duhet urgjentisht të caktohet dita e kujtesës së shqiptarëve siç bën Europa. Sot kjo ditë kërkon të ngrihet në Tiranë Muri i Kujtesës për 6000 të zhdukurve të komunizmit, përballë Piramidës së diktatorit shqiptar. Detyra e shtetit shqiptar është t’u tregojë të vërtetën e krimit komunist brezave që nuk e dinë. Drejtësia shqiptare të penalizojë ligjërisht autorët e vrasësve dhe kujtesa të ruhet si shenjtëri ndaj martirëve dhe të zhdukurve. Të futen në kurrikulumet shkollore letërsia e antikomunistëve dhe të bëhen prezente krimet e enverizmit. Nqs., ne do t’i bashkohemi heshtjes së politikës ndaj kujtesës, do të përbënte një nga turpet ma të mëdha në historinë tonë kombëtare. Do të ishte një njollë e pashlyeshme për të gjithë neve të rezistencës antikomuniste. Edhe të vdekurit nga varri do të protestonin këtë padrejtësi monumentale. 23 gushti, Dita Europiane e Kujtesës denoncon shtetin shqiptar për mosdënimin e krimeve të komunizmit!/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura