Debate në Komisionin e Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku: Ambasadorët po përdoren për fushatë partiake të PS

Nov 11, 2024 | 10:13
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, ka shprehur shqetësim të thellë mbi përfshirjen e ambasadorëve shqiptarë në aktivitete politike të organizuara nga qeveria shqiptare, duke i quajtur këto veprime si ” përdorim të papranueshëm të trupit diplomatik për qëllime partiake. “

Jorida Tabaku
Jorida Tabaku

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Europiane me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, Jorida Tabaku denoncoi faktin se në të paktën 48 raste, ambasadorët shqiptarë kanë qenë të pranishëm në evente ku është sulmuar opozita dhe që janë zhvilluar nën flamurin e Partisë Socialiste, shpesh pa arsye të qarta për pjesëmarrjen e tyre diplomatike.

Ajo ngriti pyetjen drejtuar ministrit Hasani nëse ekziston ndonjë reagim ose politikë për të adresuar këtë përfshirje të trupës diplomatike në fushatën elektorale, duke theksuar se ” ka një kufi të qartë që nuk duhet kaluar. ”

Sipas Tabakut, qeveria nuk duhet të përfshijë përfaqësuesit diplomatikë në aktivitete me ngjyrime partiake, pasi kjo minon besueshmërinë e shërbimit diplomatik dhe përfaqësimin e vendit jashtë. ” Shërbimi diplomatik duhet të jetë i paanshëm dhe i fokusuar në interesat kombëtare, jo në fushata elektorale, ” shtoi ajo, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të këtij fenomeni.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur buxheti për Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme po diskutohet në parlament dhe takimet e Ramës me diasporën janë shtuar si pasojë e votës së emigrantëve.

Fjala e plotë e Tabakut :

Dëgjova disa herë që përmendët fjalën “diasporë” dhe kjo lidhej me aktivitetet për diasporën, si dhe me rritjen e shpenzimeve të ministrisë suaj për këtë sektor, për shkak të shtimit të aktiviteteve.

Prandaj, dëshiroj të nis këtë diskutim duke ngritur një shqetësim të madh që ka dalë në ditët e fundit. Disa ambasadorë shqiptarë, pjesë e shërbimit diplomatik, kanë qenë të pranishëm në aktivitete politike të organizuara nga qeveria shqiptare me qëllime partiake. Duke qenë se ju jeni një diplomat me përvojë, i cili e njeh shumë mirë shërbimin diplomatik, a ka ndonjë koment Ministria e Jashtme në lidhje me përfshirjen e ambasadorëve në procesin elektoral?

Në të paktën 48 raste, ambasadorët kanë shoqëruar ministrin, kryetarin e bashkisë ose kryetarin e shtetit në aktivitete ku është sulmuar opozita, pa asnjë arsye të ligjshme për praninë e tyre. Për mua, ka një kufi që nuk duhet kaluar, dhe përfaqësuesit diplomatikë nuk duhet të jenë pjesë e aktiviteteve partiake. Kemi numëruar 48 raste që lidhen me këtë problem.

Tani kalojme tek pikt e tjera. Në emër të anëtarëve të këtij grupi, shpresoj që kapitujt e tjerë të ndahen më herët sesa ndodhi me grupkapitullin e parë. Kjo është e padrejtë, pasi nuk kemi ndarje në këtë proces dhe nuk ka arsye që këto veprime të kryhen për sy e faqe. Së dyti, a është i përfshirë në koordinimin e procesit gjithë stafi që ka punuar për klasterin 6, siç ishte për klasterin 1? Kjo për shkak se kemi një listë prioritetesh dhe detyrash për t’u kryer sipas pozicioneve negociuese.

A reflektohen ato në buxhet? Për më tepër, nuk arrij të kuptoj nëse stafi negociues për kapitullin 6 është përfshirë gjithashtu në ndërtimin e buxhetit për pjesën e integrimit.

Sa i përket diplomacisë ekonomike, a ka ndonjë strategji të veçantë që po ndiqni? Dëgjova për ambasadën në Indi, e cila është një prioritet për periudhën e ardhshme, edhe pse më parë kemi pasur një përfaqësi në Indi që është mbyllur. Prandaj, jam e interesuar të kuptoj se si është procedura për hapjen e ambasadave dhe si lidhet kjo procedurë me prioritetet e diplomacisë ekonomike dhe me bordin e eksporteve.

Kam ngritur shqetësime se si funksionon struktura e negociatave. Ju drejtoni Ministrinë e Evropës, dhe gjithashtu kemi një kryenegociatore, së bashku me një strukturë tjetër për menaxhimin e fondeve, të cilat më duken të vështira për t’u koordinuar. A kemi një plan për të ndryshuar strukturën dhe skemën për këtë çështje?

Lidhur me planin e rritjes, kemi një dokument të qeverisë shqiptare dhe një dokument të Komisionit Evropian mbi vlerësimin e këtij plani. Megjithatë, deri më tani nuk kemi një agjendë ekonomike të publikuar nga qeveria shqiptare, as një listë administrative për planin e rritjes. Është e nevojshme të fillojmë një diskutim për planin e rritjes. Duhet të kemi mundësinë të shohim aktivitetet e përfshira në buxhet dhe indikatorët e këtyre projekteve; prandaj habitem pse mungojnë këto projekte në buxhet.

A ka një strukturë të veçantë që do të merret me planin e rritjes dhe zbatimin e tij? A është e përfshirë drejtoria e koordinimit të fondeve dhe a është rritur kapaciteti për përthithjen e fondeve, sidomos duke marrë parasysh situatën me fondet e donatorëve?
Së fundi, kam ngritur një shqetësim lidhur me zbatimin e MSA-së, një çështje që ju e njihni mirë.

A jeni në dijeni se vitin e kaluar janë përafruar vetëm 12 ligje? Kur kërkova agjendën, e bëra për të diskutuar mbi planin e rritjes, agjendën ekonomike dhe përafrimin e legjislacionit në përgjithësi. A mendoni se sot duhet të ishim duke debatuar për ligjet e përafruara, për grupet e interesit që duhej të ishin përfshirë dhe ndikimin e tyre në ekonomi, në vend që të ndjekim thjesht propagandën?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura