Debati i plotë/ Miratohen “patronazhistët” e administratës, Shehi: Po riktheni instruktorët e partisë. Kryemadhi: Agjencia sjell mbivendosje

Nov 5, 2021 | 10:34
SHPËRNDAJE

pr ligjiKELMENT BAÇI/ Maxhoranca miratoi dje ligjin për bashkëqeverisjen, ndërsa çdo institucion pritet që të ketë “patronazhistin” e tij për të monitoruar punën brenda tij dhe raportuar në zyrën qendrore, e cila kontrollohet nga Kryeministri. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, pranë çdo institucioni do hapet një zyrë që do ketë një koordinator, i cili do bëjë kontrollin dhe funksionimin e punës dhe do të ndikojë në kthimin e përgjigjes së ankesave të qytetarëve.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, të dy palët, pozita dhe opozita, kishin qëndrime diametralisht të kundërta për efektet që sjell ky ligj i ri. Maxhoranca ishte e bindur që kjo agjenci do të kontrollojë punën e administratës brenda institucioneve shtetërore me qëllim përmirësimin e saj, për të cilën pranon faktin që vuan nga paaftësia dhe korrupsioni, ndërsa e sheh si një shpëtim për zgjidhjen e halleve të qytetarëve.

Por, opozita e kundërshton plotësisht, teksa argumenton se kjo agjenci, nën varësinë e Kryeministrit, do të jetë “baza e patronazhimit” të administratës publike nga njerëz të besuar të partisë, mbi njerëz të tjerë, po të emëruar nga partia. Për deputetin Dashamir Shehi, krijimi i kësaj agjencie brenda Kryeministrisë për kontrollin e administratës në çdo institucion është rikthim në kohën e Partisë së Punës dhe instruktorëve, ku komiteti i partisë kontrollonte Komitetin Ekzekutiv.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shpreh në Kuvend se kjo agjenci, e cila propozohet nga qeveria, sjell mbivendosje të Kodit të Punës me statusin e nëpunësit, civil si dhe anashkalon rolin e institucioneve ligjzbatuese. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, tha se “patronazhistët” do të vazhdojmë të jenë pjesë e PS-së dhe kjo parti është krenare për këtë.

DEBATI

Arben Ahmetaj: Të gjithë qytetarët që kanë votuar për ju kanë tani mundësi platformën e tyre gjithëpërfshirëse bashkë qeverisëse që ju të mos i thoni më nuk keni mundësi. Të dashur deputetë të opozitës tani do të bëheni pjesë e platformës së bashkëqeverisjes. Shqiptarët votën na e dhanë ne dhe zemrat e zjarrta ju votuan më pak, por kjo nuk do të thotë që të mos bashkëqeverisim tani. Nuk duhet të jetë më me vendim qeverie, por me ligj. Platforma do t’i shërbejë çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë dhe do të na ndihmojmë të ulim korrupsionin.

Jorida Tabaku: Besoj ka pasur një debat të gjerë, por shqetësimi kryesor që unë kam me këtë agjenci që përveç çështjes buxhetore që sigurisht është një shqetësim, lidhet me përqendrimin e kontrollit të pushtetit. Tashmë, zyra e Kryeministrit po kthehet në një kullë kontrolli. Nuk pres asgjë ndryshe. Nuk pres të respektojnë Kushtetutën, nuk pres të respektojnë të drejtën e qytetarëve kur i shkelin me të dyja këmbët me sistemin e “patronazhistëve”, thjesht janë duke kthyer një pamflet elektoral, ashtu siç reflektohet ligji, në një agjenci zbatuese të tyre, duke shtuar bashkimin e rolit që ka shteti me partinë, duke mbivendosur funksione partiake, duke i çuar në zyrën e kryeministrit, duke shkelur çdo parim të ndarjes së pushteteve dhe të respektimit të drejtave të njeriut. Ky është elementi më shqetësues në këtë ligj.

Dashnor Sula: Nëse deri dje “patronazhistët” i kishin në statutin e tyre tani do e kthejnë në ligj. Ju po ligjëroni “patronazhistët” me emrin koordinator. Projektligji për bashkëqeverisjen nuk bën gjë tjetër veçse ju jep fuqi ligjore “patronazhistëve”. Në optikën sipërfaqësore duket sikur u vjen në ndihmë qytetarëve për t’i përfshirë në vendimmarrje, por në fakt është krejt e kundërta. Edi Rama do të çojë në çdo institucion një person të besuar, të plotfuqishëm që do ketë akses në çdo informacion. Kryeministri do jetë sateliti që monitoron çdo gjë. Reflektoni dhe jepini fund një marrëzie të tillë.

Ulsi Manaja: Me këtë ligj synojmë luftë sistematike kundër burokracisë filikse, paaftësisë, korrupsionit, ryshfetit në radhët e administratës për dhënien e shërbimeve ndaj qytetarit, duke e bërë ata kontrollor të administratës publike përmes instrumenteve ligjorë. Çfarë është projektligji për bashkëqeverisjen? Nëse deri dje një qytetar që kishte një ankesë, i drejtohej institucionit me një shkresë dhe i kalonte nëpunësit për Marrëdhëniet me Publikun apo ankesat. Merrte apo nuk merrte përgjigje. E njëjta gjë do ndodhë edhe sot. Do ti drejtohet institucionit dhe do të marrë përgjigje nga institucioni i linjës, por me një ndryshim që dixhitalizohet marrëdhënia e qytetarit dhe nuk do ketë mundësi të ngelë në sirtar. Kërkesa e qytetarit nuk do të përfundojë në kosh, e grisur apo harruar diku. Mbasi të marrë votën mund ta çoni në Gjykatën Kushtetuese. Bashkoni votën me ne sot dhe bëhuni pjesë e bashkëqeverisjes, lërini “patronazhistët” se po bëhen gati për zgjedhjet lokale “patronazhistët tanë” dhe mos thoni pastaj pse i humbëm 61 bashkitë, siç i latë në 2019.

Elisa Spiropali: Bashkëqeverisja nuk është vetëm dera që do të hapet për ankesat e qytetarëve por edhe dera që do të mbyllet për çdo punonjës që abuzon me postin. Pa mik, pa deputet, pa parti ky ligj është mundësi për shërbime më të mira publike. Kjo nismë ligjore nuk vjen nga ligji por nga eksperienca 4 vjeçare diskutimi. Në këtë projektligj është listuar të gjithë mësimet e marra dhe roli i agjencisë në këto katër vite. Për këtë arsye ka lindur dhe nevoja që projekti i bashkëqeverisjes të ketë forcën e ligjit për rregullimin e marrëdhënieve për ligjin shqiptar. Shqetësimin më të madh e keni me “patrionazhistët”, pasi ju në zgjedhje ishin magazinë pa inventarë, përballë “patronazhistëve” që ishin fitues. Ligji për bashkëqeverisjen nuk ka lidhje me “patronazhistët”

Monika Kryemadhi: Kjo agjenci e cila propozohet nga qeveria nuk sjell gjë tjetër po vetëm mbivendosje. Çdo të thotë? Do të thotë që kemi një agjenci të krijuar me Kodin e Punës ku ndërkohë kemi Shërbimin Civil gjë që e bën të pamundur mbivendosjen mbi njëra tjetrën. A është Kodi i Punës mbi statusin për nëpunësin civil, a është Kodi i Punës mbi autonominë vendore, a është Kodi i Punës mbi ligjin për bilbilfryrësit e spiunët, e kështu me radhë të gjitha të tjerat. Neni 52, cenon autonominë vendore, nëpunësi i bashkisë kujt do t’i përgjigjet, kryetarit të bashkisë, Këshillit Bashkiak, Agjencisë së kryeministrit, do t’i përgjigjet prokurorisë apo gjykatave. Neni 12, neni 56, cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Dëgjova pak më përpara një nga kolegët parafolës që tha se kemi institucione të dobëta dhe jemi për forcimin e këtyre institucioneve. Pra, sipas kësaj teorie i bie që institucionet tona të llogaridhënies nuk ekzistojnë, institucionet tona të kontrollit nuk ekzistojnë, këtu bëhet fjalë për prokurorinë dhe gjykatat. Do të marrim ne që t’i dalim përsipër prokurorisë dhe gjykatave me një agjenci e cila ngrihet me një vendim të Kryeministrit.

Belinda Balluku: Çfarë lidhje kanë “patronazhistët” me këtë projektligj. Ne “patronazhistët” do të vazhdojmë ti kemi. Strukturat e majta kështu i ngrenë partitë, me bazë popullin, me organizata partie, me patronazhistë, gjë që nuk e kemi fshehur dhe jemi krenarë për këtë. Ajo që nuk kuptoj është se ku është diferenca, pse këtu do jenë të angazhuar. Ky projektligj i vjen në ndihmë çdo qytetari duke e bërë pjesë të bashkëqeverisjes.

Oerd Bylykbashi: Ata që janë sot në administratë në shumicën dërmuese të rasteve janë të punësuar për shkak të lidhjeve me partinë socialiste. Nuk i heq njeri kur gabojnë apo bëjnë korrupsion. Sepse ose kanë dikë të fortë në parti, e kanë atje ganxhën, ose kanë bërë çmos që të vjedhin apo blejnë vota për të mbajtur vendin e punës nëpërmjet sistemit të “patronazhimit”, apo në rastin më të keq e kanë ndarë hisen e shefit, që edhe atë e ka vënë partia. me një super agjenci ju doni të zëvendësoni një shtet të krimbur por ka një problem, nuk ngihet në këmbë një kalë i ngordhur duke e goditur me thupër. Një administratë e paaftë dhe e korruptuar prodhon vetëm padrejtësi. Ky shtet ka Kushtetutë, ka kod të procedurës administrative, ligj të shërbimit civil të miratuara me 2/3. Shteti i së drejtës nuk e ka konceptin e bashkëqeverisjen, por qeverisjes dhe llogaridhënies. Kryeministri nuk është Zoti, ministrat janë aty edhe për ta kundërshtuar. Gjykata Kushtetuese është anemike, sapo ka bërë lindjen dhe nuk e kundërshton kryeministrin. Prokuroria ka frikë, se mos ikin nga puna me vetingun. Kryeministri duhet të jetë i detyruar të bëjë kompromise. Qeverisja e mirë dhe jo bashkëqeverisja e keqe do të ishin synimi. Ky është një ligj i dëmshëm afatgjatë.

Dashamir Shehi: E gjitha kjo është një sajesë pa precedentë, unë nuk di një shtet tjetër që ta ketë këtë agjenci. Ne e kishim një agjenci të tillë më përpara, e kishin dhe vendet e Europës Lindore. Që kishin një Komitet Partie, e mbushur me injorancë në shumicën e rasteve që kontrollonte Komitetin Ekzekutiv. Ky është nëpunësi i partisë që shkon të dhunojë punonjësin e shtetit. Këta quheshin instruktor më përpara për ata që nuk e dinë. Funksioni është po i njëjti, do të çojmë disa nëpunës të besuar për të kontrolluar ata që nuk i besojmë dot. Por ne kemi ligj, kemi Kushtetutë, makinerisë tonë shtetërore mund të jetë e vjetër dhe difenkroze, por nuk i mungon asnjë gjë për të kontrolluar ata që abuzojnë me detyrën. Ky është revolucioni kulturor i mandatit të tretë.

Ky shtet që është copa copa s’ka nevojë që t’i shtohet dhe një tjetër copë e pavlefshme. Nuk kemi çfarë tu japim më shqiptarëve dhe u ofrojmë revolucionin kulturor. Së fundmi janë krijuar 3 agjenci për tu shitur si diçka e re. Ky është një turp i madh. Nuk jemi të gjithë injorantë brenda kësaj salle. Ju ftoj mos ta votoni, do mblidhemi më vonë dhe do ta kuptoni që është një gafë dhe nuk ka asnjë vlerë. Ky lloj institucioni do të prodhojë vetëm korrupsion, pasi këta zotërinj janë imunë ndaj korrupsioni dhe asaj tarifës korruptive që fatkeqësisht ka pasur administrata jonë do t’i shtohet edhe tarifa e këtyre agjencive.

Petrit Vasili: Kemi 8 vite që dëgjojmë platforma pafund që kanë kushtuar miliona. Por, meqenëse duhet që çmendurisë së Kryeministrit t’i shkojmë për masë, do ti vëmë edhe emrin e sloganit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura