U bënë vite tashmë që diskutohet data e çlirimit të Shqipërisë. Gjermani i fundit iku më 28 apo 29 nëntor? Po kaq të diskutueshme janë edhe disa figura historike. Një ndër ta edhe Esat Pashë Toptani. Në një intervistë të dy ditëve më parë, drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, u shpreh se Esat Pasha është një figurë me dritë-hijet e veta, ndërsa historiani Paskal Milo shprehet se s’ka asnjë dyshim rreth figurës së Toptanit.
Sipas tij, ai është tradhtar dhe ka bërë marrëveshje të turpshme me Serbinë në këmbim të favoreve personale. Në lidhje me ditën e Çlirimit, Milo i qëndron datës 29 nëntor, madje ai shprehet i kënaqur që edhe drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, ka bërë një hap përpara, duke e njohur 29-ën si ditën e Çlirimit. Dy ditë më parë, Beqir Meta u shpreh se gjermanët janë larguar nga Shkodra natën mes 28 dhe 29 nëntorit 1944.
PASKAL MILO
Si gjithnjë festat e Pavarësisë e të Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë provokojnë debate, diku shkencore e diku folklorike, diku me historianë e në shumicë nga pseudohistorianë e sharlatanë të rrjeteve sociale. Me këta të fundit nuk ia vlen të merresh, sepse veç do të ishte humbje kohe. Ata janë zgjatime dhe makineri riciklimi e grupeve dhe individëve të caktuar, historianë ose jo, që në shpërdorim e keqinterpretim të lirisë e sidomos të asaj akademike e në emër të rishkrimit të historisë, kërkojnë rishikimin e historisë.
Rishkrimi dhe rishikimi i historisë nuk janë e njëjta gjë, por dy koncepte që përfaqësojnë dy qasje të ndryshme në vështrimin e historisë, si ngjarje e fenomen dhe në përdorimin e metodologjisë si mënyrë studimi e saj. Për lexuesin e thjeshtë, pa rëne në akademizëm, duhet thënë se rishkrimi i historisë është një proces objektiv i përhershëm, i natyrshëm i disiplinës, që quhet historiografi. Që do të thotë se një ngjarje, fenomen apo personalitet historik, për arsye të ndryshme mund të shkruhet e rishkruhet, mund të shihet nga këndvështrime të ndryshme, por gjithnjë pa cenuar, pa ndryshuar e përmbysur faktin apo tërësinë e fakteve historike që përbëjnë ngjarjen ose fenomenin historik.
Koncepti i “rishikimit”, ose siç e lexova të shkruar nga një koleg historian në gjuhë të huaj, i “revizionimit” të historisë, është në themelin e tij gnoseologjik i gabuar. Për ata që u mungon kultura historike mund edhe të mos u vihet re dhe këta janë shumë. Por një numër njerëzish jo vetëm të politikes, por për fat të keq edhe ndonjë apo tre apo dhe pesë historianë me ndërgjegje e në injorim të profesionit të tyre flasin për rishikim të historisë. Historia si ngjarje, si fenomen, si epokë, si marrëdhënie e të gjitha kategorive e llojeve të saj, i takon së kaluarës, ka ndodhur vetëm një herë, është një realitet historik dhe nuk mund të rishikohet.
Një historian apo një grup historianësh mund të dallohen për mirë apo për keq për qartësinë e mendimit, stilin e të shkruarit e metodologjinë që përdorin, thellësinë e argumenteve dhe pasurinë e re faktologjike që sjellin. Por thelbi i punës dhe i kontributeve të tyre qëndron se sa ata i afrohen të vërtetës e realitetit historik, sa ata e sjellin në veprat e tyre. E bëra këtë hyrje në teorinë e historiografisë e në metodologjinë e saj, sepse edhe me rastin e festimeve të sivjetshme të fundnëntorit u botuan libra, shkrime dhe u organizuan edhe debate televizive e konferenca shkencore për Pavarësinë e Çlirimin e vendit nga nazifashizmi.
Këto aktivitete përpos vlerave memorialistike dhe edukative, pa dyshim kanë edhe kontribute të spikatura historiografike shkencore. Duke folur për ditën e Pavarësisë, dua të vë në dukje një vëzhgim timin që përtej shumë aktiviteteve me rastin e 105- vjetorit të Pavarësisë, është e pafalshme që në monumentin e Ismail Qemalit, në qendër të kryeqytetit, nuk u vendos një buqetë me lule apo një kurorë në këtë vit jubile të Pavarësisë. Interpretimet për historinë e Pavarësisë shqiptare kanë vite që kanë hyrë në shtratin solid të një thuajse konsensusi mes historianëve, sigurisht për çështjet kryesore të saj.
Por ka ende detaje, sidomos figura historike që diku ngjallin debate e diku konfuzion. Ato pa dyshim që janë komplekse, me merita, por edhe me gabime, shpesh edhe të rënda antikombëtare. Ndaj edhe analiza historike duhet bërë e drejtpeshuar, pa emocione, jo me modën e sforcuar të “rishikimit” të historisë. Por ka ngjarje e figura historike të Pavarësisë që nuk ka asnjë mëdyshje që nuk mund të dalin në dritën e historisë si çfarë nuk kanë qenë.
Mund të shkruhen jo një apo tre libra për Esat Pashë Toptanin, por edhe më tepër se çfarë kanë shkruar historianët serbë rreth tij, por kjo nuk e heq kujtimin e hidhur dhe veprimtarinë antikombëtare të pashait toptanas nga kujtesa historike shqiptare. Esat Pasha e vrau komandantin osman të kalasë së Shkodrës Hasan Riza Pashën dhe e dorëzoi qytetin në duart e ushtrisë serbo–malazeze, në një kohë kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në mars 1913 ia kishte lënë Shqipërisë.
A nuk ishte ky veprim një akt i pastër tradhtie? Esat Pasha sabotoi qeverinë kombëtare të Ismail Qemalit dhe qeverinë europiane të Princ Vidit. A nuk ishin akte antikombëtare këto? Esat Pasha ka nënshkruar dy marrëveshje të turpshme e të dokumentuara, njërën në vitin 1914 me Kryeministrin e Serbisë, Nikolla Pashiç, dhe tjetrën në maj 1915, me ministrin e tij të Brendshëm, ku i shiste territore kombëtare dhe ku premtonte vendosjen e protektoratit serb mbi Shqipërinë kundrejt shpërblimeve e ofiqeve për vete. A nuk ishin këto akte të hapura tradhtie?
Esat Pasha kundërshtoi dhe luftoi Republikën Autonome të Korçës në vitet 1916 – 1918 dhe vazhdoi bashkëpunimin me Nikolla Pashiçin e Serbisë dhe me Elefter Venizellosin e Greqisë në Selanik. Esat Pasha kundërshtoi dhe sabotoi përpjekjet e delegacionit zyrtar të qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919 – 1920 ku u rrezikua copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë. A nuk ishte një veprim antikombëtar ky? Atëherë ku qëndrojnë meritat e kësaj figure historike që duhet rishikuar? Se ishte me mentalitet e formim osman, se nuk dinte as të shkruante shqip, se ishte maniak koleksionist dekoratash apo se prehet edhe sot e kësaj dite në varrezat e ushtarëve serbë në Paris?
Historianë që kanë merak punën e Esat Pashës t’i bëjnë vetëm një pyetje vetes: Pse e duan dhe e respektojnë historikisht, sot edhe kësaj dite, serbët atë? Esat Pasha është një nga modelet absurde të “rishikimit” të historisë që disa historianë apo amatorë të saj synojnë të realizojnë. Po ka edhe shumë të tjera që nën sloganin edhe të “luftës kundër komunizmit” duan të përmbysin vlerat e paçmuara të antifashizmit shqiptar, e veçanërisht të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Janë shpikur e po shpiken gjoja në emër të modernizmit metodologjik të të gjykuarit të historisë së Luftës koncepte dhe emërtime socio–politike përmes të cilave, siç shkruhej edhe në gazetën tuaj dy ditë më parë, “në kuadrin e përpjekjeve për një lloj revizionimi të historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Kjo është një strategji jo e re dhe jo vetëm e historianëve të caktuar, që dalin si zëdhënës e përpunues të saj.
Ajo është strategji e qarqeve politike të djathta e antikomuniste shqiptare, që për 27 vite resht nuk po reshtin së godituri një nga ngjarjet më përfaqësuese të ndërgjegjes atdhetare shqiptare dhe një nga manifestimet më të mëdha të shpirtit e të kompozicionit boshtor liridashës të shqiptarëve, si Lufta Antifashiste Nacionalç- lirimtare. Qëllimisht gjykohen rrjedhojat, komunizmi dhe diktatura për të goditur thelbin, duke e paraqitur si shkak, si fatkeqësi e si dramë që shumica e shqiptarëve u ngritën në luftë antifashiste dhe i bashkuan forcat e tyre me Kombet e Bashkuara Antifashiste të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik.
Dhe që këtu vjen synimi që tashmë afishohet fare hapur, që këta njerëz me “revizionim” të historisë kuptojnë përmbysjen e saj, duke u justifikuar se Regjenca Kuislinge në kohen e pushtimit gjerman, bashkëpunimin me ushtrinë gjermane e bëri “para së gjithash e kushtëzuar nga nevoja për të mundur komunizmin” dhe se objektivi i saj “ka qenë pastrimi i vendit nga ndotja e ideologjisë dhe praktikës komuniste…”. Shërbimi politik përmes historishkruarjes nuk është fenomen vetëm shqiptar. Por këtu në Shqipëri, abuzivizmi me historinë i ka kaluar të gjitha caqet.
Është paradoksale se si disa njerëz, drejtues të lartë politikë apo edhe anëtarë të ekipeve politike, nuk arrijnë ende të kuptojnë se antikomunizmin si platformë politike në një vend që po u afrohet 30 viteve që është ndarë nga diktatura, nuk u ofron shanse për sukses. Është një kartë tepër e konsumuar që nuk ngjit, sidomos te brezi i ri, që nuk e ka jetuar. Historianët nuk duhet të bëhen kamikazë të etjes e të luftës për pushtet që kanë shtabet politike. Ata duhet të ruajnë integritetin e tyre shkencor për të cilin edhe do të gjykohen nesër nga opinion i shëndetshëm publik.
Shqipëria ende nuk është një vend me standarde plotësisht demokratike. Kultura e komunikimit dhe e debatit, duke filluar nga ai parlamentar për të vazhduar në atë publik, por edhe shkencor, është larg normave europiane. Historianët e mirë- filltë, pra shkencëtarët e certifikuar me vepra e në opinion dhe jo pseudohistorianët, duhet të respektojnë profesionin e tyre e të mos bëjnë lëshime me të vërtetën historike. Kjo e fundit është një dhe vetëm një, ndërkohë që mund të vështrohet nga kënde të ndryshme. Debati shkencor mes historianëve profesionistë i afron qasjet realiste në njohjen e faktit apo te ngjarjes historike.
Kjo është shenjë e pjekurisë shkencore dhe e objektivitetit historik. Në Shqipëri ka pak historianë profesionistë, aq pak saqë edhe një institucion tradicional i studimit të historisë së popullit shqiptar, Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, i ka apo nuk i ka 15 të tillë. Sigurisht që historianë profesionistë ka edhe në departamentet e historisë së universiteteve publike e private.
Është e nevojshme për një institucion koordinues shkencor në kuadër kombëtar, që të koordinojë studimet historike, por edhe ato albanologjike në përgjithësi. Një institucion kërkimor modest në fushën e studimeve historike, siç është Instituti i Historisë, nuk mund ta marrë përsipër këtë rol, as edhe të flasë në emër të të gjithë historianeve. Sepse me gjithë përpjekjet që bëjnë individë të caktuar, Instituti i Historisë nuk e ka tagrin të deklarohet, siç lexova para dy ditësh, se “të gjithë historianet janë në një mendje që gjermanët janë larguar nga qyteti i Shkodrës, mbrëmjen e datës 28 nëntor, duke u gdhirë 29–a”.
Mua më vjen mirë që drejtori aktual i Institutit, prof. dr. Beqir Meta, ka rishikuar qëndrimin e tij, duke bërë një hap para në njohjen e 29 Nëntorit si datën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit gjermanë. Ndërgjegjja prej historiani, e ndodhur para fakteve të pakundërshtueshme edhe të reja nga burime arkivore të orës së parë të ushtrisë naziste që po tërhiqej nga Shqipëria, u përul para të vërtetës historike. Por nuk duhet harruar se ka qenë ky Institut historie, por me drejtor tjetër, që 24 vite më parë, me urdhër të Partisë Demokratike, shpërtheu kryqëzatën kundër ditës historike të Çlirimit të Shqipërisë.
Uroj që ky proces reflektimi të shtrihet edhe për çështje të tjera të Luftës, të keqinterpretuara e të shtrembëruara ndër vite, jo vetëm në këtë Institut, por edhe më gjerë. Ashtu sikurse edhe historianë të tjerë që janë shquar për dogmatizëm e, sidomos jo historianë, të bëhen më tokësore e më realistë, e të mos mbeten besnikë të skemave të vjetra të historiografisë komuniste.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al