ARDIAN NDRECA
Bertrand Russell rrëfente në nji intervistë të vitit 1952 sesi gjyshja e tij, grue e nji politikani në shenj të Mbretnisë së Bashkueme të shekullit XIX, i ishte drejtue njiherë nji ambasadori të Rusisë cariste, duke i thanë se nji ditë edhe ata mund të kishin parlamentin e tyne. Ambasadori i Carit i ishte përgjigjë flakë për flakë:”Zoti mos e dhashtë zonjë…”. Kanë kalue shumë dekada qysh atëherë, shton Russell tek intervista e tij, e përgjigja nga ai krah asht po ajo, vetëm se prej togfjalëshit të masipërm ia kanë heqë fjalën Zot. Sot kanë kalue edhe ma shumë dekada prej intervistës së filozofit anglez dhe përgjigja mbetet po ajo e vitit 1952, i vetmi ndryshim në diskurset e sotme politike janë bekimet e patriarkut të Moskës dhe futja krejt pa vend e fjalës Zot në diskurset agresive e imperialiste të atij krahu.
Gjithsesi do të ishte humbje kohe për ne me i qa hallet Rusisë, pse sidoqoftë Rusia mbetet nji vend që ka nxjerrë gjeni dhe figura të përmasave botnore që të keqen – ndryshe prej nesh – e kanë përpunue, kundërshtue dhe tejkalue në shumë forma, mjaft me kujtue personalitete si Pavel Florenskij, Mikhail Bulgakov, Aleksandër Solzhenicin, Andrej Saharov, Anna Politkovskaja etj.. Ka disa vende si ky i yni që kanë tundimin, tendencën apo mallkimin me e përbuzë demokracinë e edhe atëherë kur janë të detyruem prej rrethanave me e pranue institutin e parlamentit e kthejnë atë menjiherë nga kazermë që ishte nën diktaturë, në nji cirk qesharak plot me kllounë e figura të pakuptimta politike. Gjendja e sotme e parlamentarizmit tek ne nuk asht shenj e dobësimit të nji institucioni themelor të sistemit demokratik, ajo dëshmon në mënyrë të qartë arritjet e nji klase politike që gjithnji e ma shumë injoron jetën parlamentare dhe i jep hapsinë vullnetit të plotfuqishëm të “njishit”. Antikët dështimin e institucionit kolegjial, për shembull të senatit romak, e shprehnin me thanjen: “Senatorët janë burra të mirë, senati asht nji kafshë e keqe” (Senatores boni viri, senatus mala bestia).
Ka diçka të vërtetë këtu, pse senatorët, deputetët të marrun nji nga nji mund të jenë simpatikë e madje edhe të padamshëm, por ajo që ndikon në degradimin e institucionit asht funksionalizmi i tyne personal, të qenit aty të ngarkuem me nji “detyrë” dhe jo konvergjenca në drejtimin e vendit në bazë të nji arsyeje politike. Kjo merr ngjyrime dramatike në jetën parlamentare, ku jo rrallë del në pah mungesa e respektit për pakicën. Nuk mund të jetë qëllim i vetëm i debatit parlamentar frustrimi i pakicës parlamentare me anën e forcës së numrave. Në jetën politike në nji sistem demokratik nuk janë numrat, ato që kanë fjalën e fundit, por arsyeja politike, e cila duhet të shpaloset me të njejtin rigorozitet logjik edhe prej atyne që e kanë të sigurt fitoren në bazë të përqindjeve. Çdo vendim “bipartizan” në demokraci do ta forconte atë dhe do t’u tregonte të gjithëve se dialektika parlamentare nuk ndërtohet me bazë anmiqsije personale apo partiake, por vetëm me bazë kundërshtie publike. Pikërisht sferës publike duhet t’i nënshtrohen edhe interesat, simpatitë, problematikat e karakterit privat dhe personal.
Nuk asht as urrejtja dhe as dashunia që e çojnë përpara “luftën” parlamentare, por vetëm kundërshtitë dhe respekti, vetëdija se mbas kundërshtarit politik qëndron gjithnji nji person, bashkëpunimi institucional me të cilin duhet të jetë në parim të çdo lëvizje politike që i përmbahet frymës kushtetuese. Forca e numrit nganjiherë komprometohet prej faktit se në fillim qëndron gjithmonë po e njejta zero. Ne këtë gja e kemi provue tashma ma së miri. Në vitin 1936, filozofi Miguel de Unamuno shprehej publikisht para fitimtarëve të radhës: “Keni fitue, por nuk i keni fitue|! (Venceréis, pero no convenceréis). Tri legjislatura mjaftojnë me largue çdo dyshim. Sado zero të rreshtohen në fillim, çdo numër që vjen mbas tyne nuk do ta ketë kurrë vlerën që meriton./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al