Kandidatja e PS në Tiranë, Mimi Kodheli ka komentuar deklaratat e ambasadores së SHBA-ve për zgjedhjet. Disa ditë më parë në një emision televiziv, Kim u shpreh “nëse doni ndryshim votoni ndryshimin, nëse doni kriminelë votoni kriminelët”.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kodheli tha se deklarata e ambasadores Kim pasqyroi të njëjtin qëndrim që SHBA-të kanë pasur gjithmon sepse janë të interesuar që vendi të prosperojë.
“Unë gjykoj që është i njëjti qëndrim gjithmonë i SHBA-ve. Ata janë të interesuar që ky vend të prosperojë, të ngrejë dhe forcojë institucionet demokratike. Investimi i tyre është i madh në këtë zonë. Investimi i tyre në këtë zonë, sidomos për çlirimin e Kosovës, për forcimin e demokracisë nuk mund dhe nuk duhet të shkojë dëm, kështu që ata janë të vëmendshëm. Ne duhet të jemi të durueshëm dhe të mësojmë nga të tjerët, aq më tepër nga SHBA-të”, u shpreh Kodheli.
Sa i përket patronazhistëve dhe publikimit të të dhënave në një database të PS, Kodheli tha se këtë e bëjnë shumë vende të botës dhe nuk shikon asgjë të keqe. Sipas saj, gjëja e keqe është që keqpërdoren, dalin të dhënat në media.
“Nuk më lë asnjë shije. Është një mënyrë e vjetër me të cilën jemi marrë prej kohësh. Varet çfarë konsideron ligji ynë të dhëna personale. në momentin që kemi një celular në dorë… Ne kemi një database të mirë që daton herët, në vite, që nga 2007-2008, e kemi pasuruar këtë database në vazhdim. Këtë e bëjnë shumë vende të botës, nuk shikoj asgjë të keqe. Gjëja e keqe është që keqpërdoren, dalin të dhënat në media”, deklaroi Kodheli.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al